Hashim Thaçi, Presidenti i Kosovës, ka thënë se ka biseduar në telefon me Edi Ramën, Kryeministrin e Shqipërisë, i cili tha se atje tani shtrohet nevoja urgjente për menaxhimin e pasojave që të mos rrezikohet asnjë jetë e njerëzve.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pas një bisede telefonike këtë mëngjes me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, ka njoftuar se Kosova do të dërgojë trupa shtesë të FSK në përkrahje të autoriteteve shqiptare për sanimin e pasojave.
Thaçi ka thënë se tani është nevoja urgjente për sanimin e pasojave, që të mos rrezikohet asnjë jetë e njerëzve.
“Gjendja në Durrës dhe Thumanë të Shqipërisë pas tërmeteve vazhdon të jetë e rëndë. E përcolla me vëmendje mbledhjen e Qeverisë së Shqipërisë dhe konstatimin e gjendjes nga kryeministri Rama. Tani shtrohet nevoja urgjente për sanimin e pasojave që të mos rrezikohet asnjë jetë e njerëzve”, ka shkruar Thaci në Facebook.
Ai ka thënë se pas bisedës telefonike me kryeministrin Rama, nga sot Kosova dërgon trupa shtesë të Forcës së Sigurisë.
“Pas bisedës telefonike me kryeministrin Rama, nga sot Kosova dërgon trupa shtesë të Forcës së Sigurisë, të specializuara për sanimin e pasojave dhe konstatimin dhe evidentimin e saktë të shkallës së dëmtimit të ndërtesave në zonat e goditura nga tërmeti. Kthimi i njerëzve nëpër shtëpi duhet të bëhet në mënyrë të organizuar, vetëm pas konstatimit real që shtëpitë dhe banesat të jenë të sigurta dhe të mos ndodhin fatkeqësi të tjera”, ka shkruar Presidenti Thaçi.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.