Presidenti Hashim Thaçi pas takimit me kryetarin Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi ka folur për nevojën sa më të shpejtë për Pakon e Rimëkëmbjes Ekonomike. Presidenti Thaçi ka thënë se një shtet mund të ketë sukses vetëm nga bashkëpunimi i ngushtë në mes të institucioneve dhe bizneseve. Ai ka falënderuar afaristët për punën që e kanë bërë në këtë kohë të rëndë për vendin dhe shoqërinë.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi gjatë një vizite në Odën Ekonomike ka thënë se sektori privat duhet të ketë vëmendjen e veçantë të institucioneve.
Thaçi ka shtuar se shqetësimet e afaristëve janë reale dhe se duhet të dëgjohen kërkesat e tyre.
“Në këtë drejtim do të punojmë të gjithë që të nxirret një pako e plotë, e qartë dhe e nevojshme dhe në pajtueshmëri me nevojat që të jemi në dispozicion të ekonomisë. Gjithashtu, duhet të kemi interes të veçantë për sektorin privat, për kujdesin që duhet të kemi ndaj punëtorëve që të vazhdojnë prodhimin dhe të njëjtën kohë t’i shohim edhe masat tjera që duhet t’i ndërmarrim si institucione me një angazhim të përbashkët të spektrit politikë në mënyrë që të kemi një qasje më serioze në të ardhmen”, tha Thaçi.
Ai tha se, deri më tani ka pasur një qasje të dështuar për sa i përket rimëkëmbjes ekonomike.
“Deri më tani kemi pasur një qasje jo serioze, jo profesionale dhe të dështuar për sa i përket rimëkëmbjes ekonomike, por duhet të vazhdohet edhe me zbatimin e plotë të investimeve kapitale për hapjen e investimeve të tjera që janë domosdoshme për hapje të vendeve të punës. Shqetësimet e afaristeve janë reale dhe duhet të janë kërkesa për institucionet e vendit, prandaj takime të tilla do të zhvillojmë në mënyrë që të jemi më afër sektorit privat”.
Ai tha se në këtë takim ka dëgjuar shqetësimet e afaristëve vendës.
“Duhet të punojmë bashkë sepse është jetike të nxjerrët një pako e rimëkëmbjes, e qartë dhe ne përputhje me nevojat e biznesit. Duhet të keni kujdes të veçantë për sektorin privat, që të vazhdojë prodhimin dhe të shohim të gjitha masat e tjera që mund të marrim që të kemi sukses në të ardhmen”, tha Thaçi.
Edhe kryetari i OEK-ut, Berat Rukiqi ka folur për dëmet që i janë shkaktuar ekonomisë së vendit nga pandemia dhe nevojën sa më të shpejtë për pakon e rimëkëmbjes ekonomike.
“Dëmet janë të konsiderueshme. Humbjet në 9 deri në 10 milionë. Ekonomia është goditur në këto 75 ditë të kufizimeve por është dashur të përkrahen në aspektin institucional. Ne i kemi dhënë vërejtjet tona sa i përket Pakos së Rimëkëmbjes. Asnjë nga masat nuk është implementu. Duhet që Kosova ta ketë një pako të rimëkëmbjes që e rikuperon ekonominë sa më shpejtë. Për neve do të sillte probleme”.
Rukiqi tha se “Jemi në një situatë të pazakonshme pasi pandemia nuk ndikoi vetëm në shëndetin publik por pati ndikim edhe në ekonomi”.
“Kemi kërkuar konsensus politik që mundëson që Kosova të ketë një pako për rimëkëmbje ekonomike të shpejt por pa dëme afatgjate. Me presidentin diskutuam gjendjen e bizneseve, efektet e masave të deri tashme dhe rolin e institucioneve”.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.