Me gjithë rritjen me 27% të eksporteve të peshkut në vitin 2009, industrialistët e këtij sektori janë të pakënaqur.
Ata kërkojnë nga qeveria nxitjen e peshkimit të sardeleve dhe acugeve në vend, fakt që mund të rriste ndjeshëm xhiron e industrive të lidhura me të
Industria e peshkut duket se nuk ka pasur aspak ndikim nga kriza globale financiare vitin e kaluar. Sipas të dhënave zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave,
grupi i parë i produkteve agrare më të rëndësishme për eksportet gjatë vitit 2009 i përket prodhimeve të peshkut (peshku i konservuar dhe i freskët) me 3 miliardë lekë ose 40% e vleftës së përgjithshme të eksporteve agrare,
duke shënuar një rritje me bazë vjetore prej 27%. Pjesën më të madhe të këtyre eksporteve e zënë ato të peshkut të përpunuar, që vitin e kaluar arritën në rreth 2.2 miliardë lekë, apo rreth 17 milionë euro, me një rritje prej 22% në krahasim me 2008-n.
Prodhimet e peshkut eksportohen kryesisht në tregun italian, prodhim që në vlerë është pesëfishuar në gjashtë vitet e fundit. Ndikim të drejtpërdrejtë ka zhvillimi i industrisë konservuese të peshkut,
që është investuar kryesisht në vitet e fundit nga investitorë shqiptarë dhe italianë. Kjo industri për momentin punon krejtësisht me lëndë të parë të importuara. Prodhimet e detit gjithashtu përbëjnë një produkt të rëndësishëm,
përfshirë edhe peshk i freskët – i ngrirë, sasia e eksportit po rritet nga viti në vit.
Ky sigurisht është një lajm i mirë, pasi konfirmon rritjen e kësaj industrie në Shqipëri, por a duhet të “gëzohemi” thjesht me kaq? Sot, kjo industri, punon vetëm me lëndë të parë të ardhur nga jashtë dhe nga një vend i rajonit, Kroacia.
Këtu shfrytëzohet vetëm fuqia punëtore dhe katër fabrikat që funksionojnë në vend e “dorëzojnë” produktin te kompanitë italiane apo spanjolle, me të cilat kanë marrëveshjet.
Por, megjithëse Shqipëria ka një det të pasur me peshq e prodhime të ndryshme, në vend, peshkimi është aq i pazhvilluar dhe i paorganizuar sa, industritë ofrojnë vetëm krahun e lirë të punës.
“Në të vërtetë nuk duhet të ishte aspak kështu. Ne duhet ta siguronim vetë lëndën e parë”, shpjegon drejtori i përgjithshëm i kompanisë së përpunimit të peshku “Poseidon”, Alban Zusi.
Sipas tij, do të mjaftonin 2-3 milionë euro grant nga qeveria për të rigjallëruar peshkimin e sardeleve dhe acugeve dhe për ta vënë këtë sektor në funksion të industrisë. “Do të duhej thjesht të ndiqnim shembullin e pak viteve më parë të Kroacisë, që laget po nga deti Adriatik”, thotë Zusi.
Ai ka realizuar edhe një studim mbi mundësinë e zhvillimit të peshkimit të acugeve dhe sardeleve, të cilin ia ka dorëzuar vetë ministrit të Bujqësisë, Genc Ruli, me qëllimin për të tërhequr vëmendjen e qeverisë në këtë drejtim. “Nëse do të nxitet ky sektor do të xhiroheshin 12,000,000 euro nga të gjitha industritë brenda tij”, shton drejtori i “Poseidon”.
Industria, vlera e shtuar 6 milionë euro
Industri e përpunimit të peshkut në vend realizon në Shqipëri një volum pune të barabartë me rreth 6 milionë euro dhe ka punësuar rreth 1,200 vetë,
sipas Alban Zusit (kjo shifër është vlera e shtuar që mbetet në vend, ndërkohë që vlera e eksporteve në 2009-n ishte rreth 17 milionë euro). Rreth 20% e xhiros janë pikërisht lëndët e para të blera në vend, pjesa tjetër janë vlerë e krahut të punës.
Sipas të dhënave nga operatorët, industria është rritur shumë në 2009-n, falë rritjes së prodhimit nga Kroacia, por edhe shtimit të kërkesës nga “porositësit” europianë.
Vitin e kaluar, në Shqipëri, nisën bashkëpunimin edhe spanjollët, ndërkohë që italianët i shtuan dhe më shumë porositë. Një kompani e re hyri në treg në 2009-n, duke e çuar në katër numrin e fabrikave që operojnë në këtë sektor.
Dy prej fabrikave më të mëdha, “Poseidon” dhe “Eurofish” janë të vendosura në Lezhë.
“Pika më e fortë e industrisë sonë është njohja e mirë e punës dhe si rrjedhojë një cilësi e niveleve të larta. Kjo ka bërë që Shqipëria të jetë shumë më konkurruese se Maroku apo Afrika e Veriut, që ka gjithashtu industri të tilla”, thotë Alban Zusi.
Kompanitë shqiptare kanë arritur të nënshkruajnë kontrata me supermarkete cilësore italiane, si “Coop” dhe “Conad”, të cilëve u dërgojnë direkt konservat e peshkut.
Por, aktualisht, në Shqipëri ekziston një situatë paradoksale, për sa i përket peshkimit dhe industrisë përpunuese të të ashtuquajturve pellagjikë të vegjël, në të cilët bëjnë pjesë llojet e peshkut acuge, sardele dhe skumurr.
Ndërkohë që në Shqipëri operojnë kompani lider në nivel europian dhe botëror për sa i përket industrisë së përpunimit të këtyre peshqve, duke transformuar lëndë të para në sasinë prej rreth 8,000 tonësh peshk në vit,
i cili eksportohet i gjithi në tregjet europiane, flota shqiptare e peshkimit nuk e furnizon këtë industri as edhe me një kilogram peshk. I gjithë peshku që përpunohet aktualisht në Shqipëri vjen nga Kroacia,
Greqia dhe pak nga vende të tilla si Maroku, Argjentina. Fakti që vende që lagen nga të njëjtat dete që lagin edhe Shqipërinë (deti Jon dhe Adriatik) furnizojnë rreth 90% të lëndës së parë, është i mjaftueshëm, sipas operatorëve,
për të konkluduar se edhe Shqipëria ka potenciale shumë të mëdha të pashfrytëzuara në këtë fushë.
Paradoksi tjetër qëndron në faktin se deri në vitin 1999, Kroacia nuk ishte fare faktor në tregun e acugeve. Atje peshkohej dhe përpunohej vetëm sardele.
Kroacia u bë faktor në sajë të kërkesës së kompanive italiane, të cilat operojnë në Shqipëri dhe që blejnë rreth 75% të të gjithë produktit që zihet në këtë vend.
Pra këto biznese, të cilat janë prezente në Shqipëri që nga vitet 1995-‘96 kanë arritur ta kthejnë Kroacinë që nga viti 2000 në eksportuesin kryesor europian të acuges, falë ndërhyrjeve dhe politikave mbështetëse të qeverisë kroate për këtë sektor.
Deri në vitin 1990, 5,000 tonë sardele në vit
Në bazë të statistikave, flota shqiptare të peshkimit deri në fillim të viteve ‘90 zinte 4,000-5,000 tonë peshk, kryesisht sardele (pasi acuga nuk përpunohej, por shkonte ushqim për kafshët), e cila përpunohej në katër fabrikat e përpunimit të sardeles në Vlorë, Sarandë, Durrës e Lezhë. Një pjesë e rëndësishme e këtij prodhimi eksportohej në vendet e Lindjes. Kjo tregon se detet shqiptare janë të pasur me këtë varietet peshku dhe se tradita dhe përvoja për peshkatarët shqiptarë nuk mungon.
Momentalisht Kroacia, e cila laget nga deti Adriatik, është eksportuesi më i madh në Europë i peshkut acuge dhe sardeles. Për shkak të mbylljes së industrisë përpunuese në fillim të viteve ‘90, flota e peshkimit ndërroi llojin e gjuetisë, rrjedhimisht edhe pajisjet, duke mos zënë më sardele.
STUDIMI
Si mund ta kthejmë peshkimin drejt industrisë
Nëse do të ndërmerrej një projekt për nxitjen e zhvillimit të këtij sektori, vetëm për zënien e peshkut të freskët do të punësoheshin jo më pak se 300-400 vetë në një afat prej 2 vitesh, ndërsa në sektorin e industrisë jo më pak se 200-300 persona.
Pra në total do të arrihej një rritje të nivelit të punësimit prej jo më pak se 500 vetesh brenda dy viteve të para. Në vazhdimësi, me rritjen e numrit të barkave të pajisura për gjueti acuge dhe sardele, numri i të punësuarve do të rritej disa herë, veçanërisht në sektorin e peshkimit. Është e rëndësishme të theksohet që barkat që peshkojnë acuge, punësojnë minimumi 10-12 vetë krahasuar me 4-5 vetë që punësohen në formën e gjuetisë aktuale të peshqve të bardhë,
Gjuetia e pellagjikëve, në ndryshim nga gjuetia fundore, ka një konsum shumë të ulët karburanti, çka i bën të panevojshme politikat për rimbursimit të karburantit të peshkimit ose fondet për këtë qëllim janë disa herë më të vogla.
Orientimi i peshkimit në këtë lloj gjuetie do të lehtësonte ndjeshëm numrin e barkave që realizojnë gjueti fundore, duke minimizuar kërcënimet mjedisore ndaj faunës.
Mundësia e lindjes së industrive të reja
Nëse do të pranonim se flota e re e krijuar do të arrinte të zinte 4,000 tonë sardele në vit, siç ka qenë normale para viteve ‘90, dhe një vlerë të produktit përfundimtar të përpunuar prej rreth 3 euro/kg (që është minimumi i çmimit të tregut)
atëherë do të kishim një të ardhur prej rreth 12,000,000 eurosh. Këtu përfshihen vlera e peshkut, e lëndëve ndihmëse si kripë, vaj, ambalazhe dhe kostot e transformimit. Nga kjo e ardhur, rreth 80% ngelet brenda vendit.
Me politika pak më të vëmendshme dhe nxitëse në funksion të kësaj industrie, mund të lindnin edhe biznese të reja në fushën e ambalazhimit, pasi për të ambalazhuar rreth 15,000 tonë acuge dhe sardele nevojiten 150,000,000 njësi ambalazhuese në vit (kanoçe, vazo, etiketa, kuti kartoni).
Përpunimi i 15,000 tonëve peshk kërkon: rreth 5,000 tonë vaj ulliri (kur aktualisht përdoret vaj i ardhur nga Italia), rreth 8,000 tonë kripë (kur 10,000 tonë është e gjithë shitja e kripores së Vlorës në një vit.) rreth 150 tonë kaper, speca djegës, ullinj, qepujka etj. (të cilat aktualisht vijnë nga jashtë).
Si mund të ringjallet sektori
Për të rinisur gjuetinë pellagjike, peshkatarët shqiptarë kanë nevojë për mbështetje financiare të konsiderueshme dhe organizim e administrim të këtij procesi transformimi. Si përfaqësues të industrisë së përpunimit të acugeve,
kemi rreth 5 vjet që përpiqemi të vëmë në lëvizje një projekt për rifillimin e peshkimit nga barkat shqiptare të kësaj familjeje peshqish.
E vetmja mënyrë për ta nxitur këtë proces që gjërat të ndodhin sa më shpejt dhe jo pas shumë vitesh, është akordimi i një fondi fillestar investimi për këtë sektor.
Për të filluar kjo lloj gjuetie, teknikisht është e nevojshme që të jenë së paku 15-20 barka të pajisura me pajisjet e nevojshme dhe që të gjuajnë njëkohësisht.
Çdo barkë mund të ketë nevojë për investime, të cilat mund të variojnë deri në 100,000-150,000 euro për barkë. Për të përcaktuar nevojat për investime për barkë lipset të bëhet një studim i posaçëm siç është bërë në rastin e Kroacisë.
Fondi i investimit mund të shërbejë për t’iu garantuar kreditë pronarëve të këtyre barkave, për t’ju financuar interesin, si grant pjesor në investim ose një kombinacion i formave të mësipërme.
Një grup prej 15-20 barkash mund të gjenerojnë një fluks biznesi prej 5,000,000 eurosh në vit, duke përfshirë vlerën e lëndës së parë, lëndëve ndihmëse, koston e transformimit dhe shërbimet e tjera dytësore.
Duke pranuar një normë prej 30% të kësaj vlere si detyrime ndaj shtetit në formën e sigurimeve shoqërore të punonjësve, tatime-taksa etj., mund të themi se 1,500,000 euro të investuara nga qeveria apo donatorët në këtë projekt,
si fond fillestar investimi, do të riktheheshin në arkën e shtetit brenda vitit. Ndërkohë për të formalizuar 100% këtë treg si dhe për ta vënë në pozita të barabarta konkurrueshmërie me operatorët kroatë, modeli që ne do të propozonim mund të funksionojë në këtë formë
-1 kg acuge e freskët kushton mesatarisht 1 euro, – nxitja 15 cent/kg ose 15%
-1 kg acuge e përpunuar dhe e eksportuar kushton rreth 6 euro – nxitja 50 cent/kg ose 10% (6 euro – 1 euro lënda e parë ngelen 5 euro nga transformimi)
Duke llogaritur se detyrimet fiskale të një zinxhiri të deklaruar 100% arrin rreth 30% e volumit financiar të realizuar atëherë nxitja është 30-50% e asaj që shteti fiton nga zhvillimi i kësaj industrie.
Për ta bërë më të thjeshtuar formulën e nxitjes mund të aplikohet formula e rimbursimit në masën 6% mbi vlerën e peshkut të zënë apo të eksportuar.
Vlera 6% ngelet gjithsesi shumë më pak se e ardhura e realizuar nga shteti nga tatimet dhe taksat e vjela nga aktiviteti.
Përfundimisht një skemë për fillimin e nxitjes së këtij sektori në shifra:
– 20 barka x 150,000 =3,000,000
– 5,000,000 e ardhur nga peshkimi, transformimi, lëndët ndihmëse etj.
– 1,500,000 të ardhura në buxhetin e shtetit si detyrime fiskale për sigurime, tatimfitimi, TVSH, efekte të tjera indoto tek industritë e lidhura.
-500,000 nxitës të lidhur drejtpërdrejtë me zënien dhe eksportin
– 1,000,000 e ardhura neto në buxhetin e shtetit
Nëse nxitja fillestare prej 3,000,000 do të jepej 70% në formë granti atëherë ky grant do të rimbursohej në buxhetin e shtetit brenda 2-3 vitesh.
Ndërkohë ky model do të vazhdonte të nxiste të tjerë peshkatarë për të investuar në këtë drejtim, duke nxitur kështu një proces ortek në rritjen e flotës pellagjike.
Nëse brenda pesë vitesh arrihet niveli zënies prej 5,000 tonësh në vit, atëherë e ardhura në buxhet pas eksportit mund të arrijë në 2-3 milionë euro në vit.
Zënia e peshkut të freskët e rrit ndjeshëm atraksionin ndaj industrisë sonë përpunuese. Mundësia për të blerë lëndë të parë që është shumë e kërkuar sot në Europë rrit ndjeshëm mundësinë për të thithur volume të tjera peshku të peshkuara gjetkë për t’u përpunuar në Shqipëri.
Ndërkohë ne si industri jemi të gatshëm të garantojmë përmes lidhjes së kontratave me të gjithë peshkatarët për tërheqjen totale të të gjithë sasisë së peshkut që ata do të zënë, me çmimet e tregut rajonal (Kroaci, Greqi, etj.). Gjithashtu ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me organet publike për të realizuar monitorimin e eficiencës së investimit përmes deklarimeve periodike, dhënies së rekomandimeve për ecurinë e subjekteve që mund të jenë objekt i këtij programi financimi dhe për mbarëvajtjen e projektit në përgjithësi. Duke njohur praktikat dhe nxitësit që aplikohen nga vende liderë në këtë lloj industrie, si dhe mënyrën e organizimit të kooperativave të peshkimit, instrumentet monitorues të këtyre politikave, ne mund të vihemi në dispozicion për të ofruar ekspertizën tonë në hartimin e një pakete të plotë ligjore për këtë qëllim.
TABELA
Sasia e përpunuar 8,000-10,000 tonë peshk i freskët
Vlera e lëndës së parë (peshk) 12,000,000 euro
Vlera e lëndëve ndihmëse (vaj, kripë, kaperi etj.) 5,000,000 euro
Kostoja e transformimit (fuqi punëtore etj.) 8,000,000 euro
Transport, shërbime, mirëmbajtje 1,000,000 – 2,000,000 euro
Burimi: Studimi i Alban Zusi
Tabela: Eksportet e produkteve të peshkut
në mil. lekë në ton
Kapitujt | Përshkrimi | 2008 | 2009 | ‘09/’08 % | 2008 | 2009 | ‘09/’08 % |
03 | Peshk, krustace, molusqe dhe jovertebrorë të tjerë ujorë | 583 | 817 |
40.1 |
1,137 | 1,318 |
15.9 |
16 | Përgatitje të mishit, peshkut dhe krustaceve, molusqeve dhe jovertebrorëve të tjerë ujorë | 1,845 | 2,267 |
22.9 |
2,161 | 2,319 |
7.3 |
Burimi i të dhënave: Drejtoria e Përgjithshme e Doganave
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.