Departamenti i Thesarit në Ministrinë e Financave përllogariti se, gjatë periudhës 7- mujore është alokuar vetëm 34 për qind e fondit të investimeve, sipas një liste ku janë programuar për tu financuar 2400 projekte, ku përfshihen edhe pajisje dhe orendi për zyra.
Sipas të dhënave të thesarit nga programi vjetor për financimin e investimeve janë në dispozicion 93 miliardë lekë, por deri në fund të Korrikut janë paguar 31.5 miliardë lekë ose 34 për qind e programit vjetor.
Deri në fund të korrikut ka marrë financim më pak se gjysma e projekteve të programuara.
Nga shpenzimet për llogari të investimeve, projekti që mori financimet më të mëdha nga buxheti ishte ai i rindërtimit të banesave individuale me një shumë prej 3.4 miliardë lekësh nga 4.7 miliardë lekë në dispozicion. Projekti i cili ka për qëllim ndërtimin e banesave individuale të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 po zbatohet nga Fondi Zhvillimit.
Projekti i dytë më i financuar është Tuneli i Llogarasë me rreth 2.6 miliardë lekë nga 5 miliardë lekë të programuara këtë vit. Ndërsa projekti i tretë më i madh janë fondet e Bashkimit Europian për mbështetje në sektorin e bujqësisë me vlerë rreth 840 milionë lekë rreth 7 milionë euro. Projekti katërt më i financuar ishte projekti i rehabilitimit të Lumit të Vlorës me 771 milionë lekë. Me tej në renditje ishte Programi i infrastrukturës bashkiake në disa bashki me 633 milionë lekë.
Investimet kapitale duhet të jenë zëri më produktiv i buxhetit për arsye se me një pjesë të taksave të shqiptarëve qeveria bën investime në infrastrukturën e vendit si rrugë, shkolla, ujësjellës, investime në shëndetësi etj. dhe rrit vlerën e Produktit të Brendshëm Bruto.
Në përgjithësi auditet ndaj përdorimit të fondeve publike për investime kanë gjetur problematika të mëdha në të gjithë procesin.
Psh në vitin 2021, treguesi “Realizimi i shpenzimeve kapitale” paraqet devijimin nga plani i realizimit i shpenzimeve kapitale në një vit, kundrejt shpenzimeve kapitale të planifikuara me ligjin e buxhetit vjetor në Kuvend. Drejtoria e Përgjithshme e Auditit në Ministrinë e Financave vlerësoi se ky tregues në për vitin 2021, është vlerësuar mesatarisht me 0.98 pikë (24%), nga 4 pikë të mundshme, duke shfaqur një performancë jo të kënaqshme të njësive publike.
Auditorët e qeverisë kërkuan vëmendje e veçantë ndaj realizimit të këtij treguesi pasi mungesa e injektimit të likuiditetit në ekonomi ndikon ndjeshëm në mungesën e stimulimit të rritjes ekonomike, në hapjen e vendeve të reja të punës apo të ardhurat nga tatimet e taksat.
Por duket se e njëjta situatë po përsëritet edhe këtë vit, ku programi i investimeve buxhetore është shumë poshtë planifikimit të vitit. Shpesh fondet e investimeve buxhetore kanalizohen në projekte korruptive, siç ishte rasti i inceneratorëve. Këto objekte në vend të plehrave kanë djegur miliona euro nga taksat e shqiptarëve në 6 vitet e fundit, teksa mbetjet po behën pirg.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.