Lenovo prezanton Thinkpad X1, notebook e parë me ekran fleksibël. Do të dalë në treg brenda vitit 2020
Lenovo prezantoi prototipin e parë të vërtetë të notebook fleksibël, i cili do të bëjë pjesë në gamën Thinkpad X1 dhe do të dalë në treg vitin e ardhshëm. Tendenca “foldable” mbërrin edhe tek laptopët, pas debutimit (edhe pse me pak sukses dhe jo pa probleme) te smartphonet Galaxy Fold të Samsung dhe Mate X të Huawei.
Por, sipas Lenovo, Thinkpad X1 fleksibël nuk do të jetë një smartphone i madh. Në fakt, kjo pajisje do të jetë një laptop i vërtetë, i cili do të zëvendësojë laptopët tanë në të gjithë fushat kryesore të përdorimit, duke shtuar disa mundësi që teknologjia aktuale nuk i lejon. Rezultati do të ishte një notebook, që mund të shndërrohet sipas nevojës, në një tablet. Ose dy tabletë, duke qenë se ekrani i ndarë në dy pjesë mund të përdoret edhe për të projektuar dy përmbajtje të ndryshme.
Notebook fleksibël Lenovo, karakteristikat teknike
Për momentin nuk dimë shumë karakteristika teknike të këtij prototipi. Ekrani do të këtë diagonale (kur është i hapur) 13,3 inç dhe rezolucion 2K. Teknologjia është OLED, e vetmja që për momentin bën të mundur ekranet fleksibël. Do të peshojë më pak se 1 kilogram dhe do të ketë procesor Intel. Lenovo thotë se bateria do të zgjasë 1 ditë.
Si funksionon notebook fleksibël i Lenovo
Duke qenë një notebook fleksibël, nuk ka asnjë tastierë fizike, por vetë virtuale. Po ashtu mund të përdorni edhe stilolapsin Wacom. Këtë notebook fleksibël mund ta përdorni në shumë mënyra; si një laptop normal, duke e vendosur në tryezë dhe duke përdorur tastierën virtuale; si një tablet, falë ekranit të madh touch, si një ekran unik për të parë video, filma apo seriale televizive në streaming ndërkohë që qëndroni në divan dhe e mbani në dorë; me dy ekrane pranë njëri-tjetrit, ku shfaqen dy përmbajtje të ndryshme.
Nëse ju e lidhni me një tastierë dhe mouse, ju mund ta përdorni atë si një notebook me përmasa të mëdha. Suksesi ose jo i këtij notebook fleksibël do të jetë software i menaxhimit që do të hapë ose (mbyllë), mundësitë ekzistuese të përdorimit me notebook tradicionalë.