Ministria e Energjisë e Rumanisë tha se ka bërë thirrje për propozime për projekte të energjisë së gjelbër, me vlerë totale 457.7 milionë euro (510.3 milionë dollarë), me bashkëfinancim nga BE, sipas Planit Kombëtar të Rimëkëmbjes dhe Qëndrueshmërisë së vendit (NRRP).
Aplikimet për projektet diellore dhe të erës mund të dorëzohen midis datave 31 mars dhe 31 maj, tha ministria në një njoftim për shtyp, të mërkurën.
“Zbatimi i projekteve të pranueshme për financim në kuadër të kësaj skeme ndihme, synon të rrisë me afërsisht 950 MW kapacitetin e prodhimit të energjisë elektrike nga era dhe dielli, me ose pa ambiente magazinimi të integruara. Investimet janë zgjidhja afatgjatë për sigurinë energjetike të vendit tonë”, tha ministri i Energjisë, Virgil Popesku.
Ndihma maksimale që mund të jepet për një projekt investimi, nuk mund ta kalojë shifrën 15 milionë euro.
Për energjinë e erës, shuma e ndihmës shtetërore që do të jepet sipas skemës është deri në 1.3 milionë euro për MW për kapacitetet e instaluara midis 0.2 MW dhe 1 MW, dhe 650,000 euro për MW për kapacitetet e instaluara që shkojnë mbi 1 MW.
Për energjinë diellore, ndihma shtetërore është 750,000 euro për MW për kapacitetet e instaluara midis 0,2 MW dhe 1 MW, dhe 425,000 euro për MW për kapacitetet e instaluara mbi 1 MW.
Projektet energjetike përfitojnë nga një shumë totale prej 1.62 miliardë eurosh në kuadër të programit PRKR.