Ish-kryeministri italian, Berlusconi, i dhuroi zonjës së hekurt Merkel një shishe Brunello nga Montalcino (krahinë në veri të Italisë), që në atë kohë kushtonte 25 euro. Kjo verë vinifikohet nga rrush me tharje të vonuar dhe cilësia e shkëlqyer e verës u bë objekt studimi në shumë laboratorë të biologjisë në Europë dhe si rrjedhojë, Italia u bë pjesë e projektit Millepori, nga qendra Cern. E njëjta verë sot në varësi të vjeljes, shitet deri në 200 euro shishja, por nuk duhet të harrojmë që marka është e regjistruar. Sugjerime se si t’ia rrisim vlerën e shtuar verës shqiptare
Dr. ADANELA MUSARAJ
Në ndërtimin e politikave të suksesshme të vendit luajnë tre aktorë, klasa politike, konsumatori dhe biznesi. Një aset i rëndësishëm financiar është dhe vitikultura, që ruan biodiversitetin e llojeve dhe hyn në produktet e luksit, nëse trajtohet me kujdesin e duhur.
Për shkak të kushteve të vështira ekonomike, edhe kur ekonomia e vendit ishte e centralizuar, investimet në vitikulturë nuk kanë qenë të mëdha, në ish-kooperativat bujqësore nuk kishte shumë importe të shartesave të reja nga ish-vendet e bllokut të Lindjes apo vende perëndimore me të cilat kishim marrëveshje ekonomike. Ky faktor u bë shkas që pasuria gjenetike e hardhive tona të jetë e pangatërruar me varietete të huaja ose shartesa të ardhura nga jashtë. Për fat të keq, në vitet në vijim, u vu re, për hir të padijes dhe politikave të gabuara bujqësore, një erozion gjenetik i hardhive tona dhe zëvendësim i tyre me varietete të ardhura nga jashtë. Ishte koha kur mobiliet me dru arre zëvendësoheshin me mobilie me tallash të presuar dhe varietetet tona të famshme si Kallmet apo Shesh i Zi zëvendësoheshin me Ristling. Shkulja e hardhive tona autoktone dhe zëvendësimi i tyre me varietete tregtare të përhapura kudo në botë solli varfërim të tregut, por për fat, gjendja nuk është e parikuperueshme. Stabilizimi financiar i tregut të brendshëm u pasqyrua në themelimin e kantinave të reja të verës, të cilat prodhojnë dhe tregtojnë me sukses në tregun vendas dhe të huaj.
Ampelografia molekulare është një instrument për të krijuar një databazë të vreshtarisë shqiptare, që përfshin profilin gjenetik dhe morfologjik të hardhive tona. Një pasuri e paçmuar që ende duhet të identifikohet plotësisht, të studiohet dhe të ruhet.
Vendi ynë prodhon sasi vere relativisht të madhe, krahasuar me sipërfaqen dhe për frymë banorësh. Një pjesë e mirë e kësaj vere konsumohet lokalisht dhe një fraksion i vogël i saj eksportohet jashtë, kryesisht në tregun aziatik dhe rus. Sipas regjistrit kadastral të QTTB Fushë-Krujë, ne kemi një pasuri të madhe varietetesh në treva të ndryshme të Shqipërisë, minore ose lokale. Arsyet që e mbështesin këtë fakt janë të shumta. Shqipëria për shumë mijëvjeçarë ka qenë urë që lidhte lindjen me perëndimin dhe veriun me jugun, duke u bërë një zonë ku kryheshin këmbime tregtare bujqësore; klima e moderuar mesdhetare është shumë e favorshme për kultivimin e vitis vinifera dhe ndihmon në gjeomorfologjinë dhe fragmentimin ekologjik, duke rritur diversitetin si një përshtatje ekologjike ndaj ambientit lokal. Për këto motive, problematikat e vendit tonë janë fillimisht njohja e më pas ruajtja e kësaj pasurie të mrekullueshme të hardhive që na përfaqëson dhe na bën të ndryshëm nga vendet e tjera. Është pikërisht ky drejtimi në të cilin duhet të ecë kërkimi shkencor dhe politikat mbështetëse të bujqësisë.
Në studimin dhe identifikimin e kultivarëve të hardhisë janë bërë shumë hapa përpara në ampelografinë molekulare, pra në analizën e segmenteve të caktuara të ADN të hardhisë dhe të mbetjeve të mushtit në verë. Këto analiza janë shumë të rëndësishme nëse flasim për origjinalitetin e produktit hardhi/vere e në vijim për regjistrimin e verës si markë DOC (përbërja e verës pasqyrohet në etiketë) dhe DOCP (përbërja dhe shija e verës pasqyrohet në etiketë).
Në Europë, kjo procedurë ka nisur me programin GENRES CT96 No 81 (1997-2002) dhe GrapeGen06 (2006-2010), programe që kanë pasur qëllim standardizimin e procedurave të analizave gjenetike dhe formimin e një databaze europiane për hardhinë (European Vitis Database). Në planin kombëtar nuk ka pasur asnjë program të tillë, të profilizuar për këtë çështje. Në kuadrin e INTERREG II dhe INTERREG III, ka pasur bashkëpunime midis krahinës së Puglias dhe vendit tonë, ku janë marrë fidanë, ose lastarë të varieteteve tona autoktone dhe janë analizuar në laboratorët e Qendrave të Kërkimit Bujqësor në Itali, por përveç një përgjigjeje jozyrtare nga pala italiane dhe shumëfishimit të varieteteve tona autoktone në vendin fqinjë, nuk ka pasur asnjë zhvillim tjetër pozitiv për këtë çështje.
Ndërkohë në vendin fqinjë, në kuadër të ndërtimit të databazës së hardhive italiane, sipas ampelografisë dhe gjeneve të hardhisë, tipareve agronomike dhe përbërjen kimike të kokrrës së rrushit, u financua programi AGER 2010-2013. Në përfundim të këtij programi, përveç analizimit të 700 varieteteve të hardhive italiane, rikuperimit të varieteteve të humbura dhe ruajtjes së tyre, e tërë databaza e të dhënave u pasqyrua në regjistrin europian të gjenomës se hardhive, si dhe u ndërtua një faqe elektronike e regjistrit kombëtar të varieteteve të hardhive italiane, ku çdo investues potencial sheh çfarë dhe si të investojë më tej në fushën e fara- fidanëve dhe kantinave të verës DOC dhe DOCP.
Ky mjet, pra ampelografia molekulare, të jep jo vetëm mundësinë të certifikosh një varietet autokton të hardhisë, si p.sh. Pulezen (që ndodh në pronësinë e kantinës Çobaj), Sheshin e Bardhë dhe Sheshin e Zi (varietete me të cilat prodhohet vera cilësore e kantinës Kokomani dhe Gjergj Kastriot Skënderbeu në Durrës), apo Vranacin e famshëm të Kosovës, por gjithashtu u jep mundësinë kantinave, të provojnë që vera e tyre është prodhuar nga varietetet, me të cilat këto kantina krenohen dhe jo nga përzierje llojesh të ndryshme rrushi siç ndodh shpesh me verat e imituara.
Ka shumë arsye pse aktivizimi i trupave tona hulumtuese duhet të kthejnë sytë nga përvoja të tilla. Së pari, pasuria gjenetike e hardhive autoktone shqiptare është një pasuri e paçmuar, e vlefshme më shumë se kurrë në krizën ekonomike të Europës. Vlerësimi, ruajtja dhe katalogimi i kësaj pasurie hedh baza të shëndosha për regjistrimin e këtyre varieteteve shqiptare në katalogun europian dhe rivlerësimin e verës vendase në tregjet e huaja. Më lejoni të sjell një shembull. Ish-kryeministri italian, Berlusconi, i dhuroi zonjës së hekurt Merkel, një shishe Brunello nga Montalcino (krahinë në veri të Italisë), që në atë kohë kushtonte 25 euro. Kjo verë vinifikohet nga rrush me tharje të vonuar dhe cilësia e shkëlqyer e verës u bë objekt studimi në shumë laboratorë të biologjisë në Europë dhe si rrjedhojë, Italia u bë pjesë e projektit Millepori, nga qendra Cern. E njëjta verë, sot në varësi të vjeljes, shitet deri në 200 euro shishja, por nuk duhet të harrojmë që marka është e regjistruar.
Sigurisht, ka nga ata që mendojnë se në kohë krizash ekonomike, askujt nuk i vete mendja për luksin e tepruar, por nuk duhet harruar asnjëherë që dhe në krizat më të vështira, ka gjithmonë një klasë të pasur, e cila është e interesuar të blejë objekte dhe mallra luksi, dhe është pikërisht kjo klasë drejt së cilës duhet të synojmë të tregtojmë verërat tona të mrekullueshme. Varietetet tona autoktone, të regjistruara dhe kontrolluara shndërrohen fare mirë në faktorë qarkullues të monedhës vendase dhe valutës së huaj.
Nga mesi i viteve 1995, që të ruheshin të drejtat e pronësisë së varieteteve të reja të bimëve në përgjithësi, dhe të hardhisë në veçanti, u themelua në BE, Bashkimi Ndërkombëtar i Mbrojtjes së Varieteteve të Reja të Bimëve (The International Union for the Protection of New Varieties of Plants-UPOV). Me një aplikim të vetëm, të drejtat e fituara për një varietet të regjistruar ishin të vlefshme në çdo shtet të Europës. Me fjalë të tjera, nëse regjistrohet varieteti i Bishtdhelprës (që gjendet në një fermë në afërsi të Durrësit) në UPOV, ky varietet në çdo shtet të Europës ka vetëm një pronar, regjistruesin e tij zyrtar, i cili gëzon çdo të drejtë për shumëfishimin, shitjen dhe përdorimin e fidanëve të këtij varieteti, apo të rrushit dhe nënprodukteve të tij për këtë varietet. Sjellim shembull regjistrimin e varietetit Corvino të krahinës së Veronës, në Itali. Përpara regjistrimit të varietetit, pronari i Corvinos kishte të drejtë të prodhonte verë vetëm për veten dhe familjen e tij, me një fitim thuajse 0.5 euro shishja. Pas regjistrimit të varietetit në UPOV dhe OIV, shishja e verës së kuqe të varietetit të sipërpërmendur, verë e etiketuar si Amarone della Valpolicella Classico, e kantinës Bolla, kushton 21.35 euro. Solla këtu shembullin e një varieteti të panjohur, për të nënvizuar faktin që vlera e shtuar e regjistrimit të varietetit është shumë e dukshme. Pronarët e kantinave të shquara si Gjergj Kastriot Skënderbeu, Çobaj apo Kokomani, le ta bëjnë vetë llogarinë e fitimit për varietetet e vjetra dhe të famshme që ata kanë në vreshtat e tyre, varietete që, sipas studiuesve, datojnë që nga shekulli VII pas Krishtit.
Ky diskutim bëhet shumë aktual nga përpjekjet e qeverisë për ruajtjen e së drejtës së autorit, me anën e miratimit të ligjit, i cili në pamje të parë nënvizon të drejtat për veprimtarinë artistike dhe kulturore, por i parë me kujdes ai përfshin dhe të drejtat që derivojnë nga emërtesat e verës dhe varieteteve, apo çdo produkti tjetër bujqësor e blegtoral. I qëndroj shumë kësaj ane sepse kjo pikëpamje na intereson tani për tani.
Një tjetër diskutimin që e fuqizon diskutimin që po bëjmë është dhe marrëveshja TIPP midis Europës, Azisë dhe Shteteve të Bashkuara, që nuk është gjë tjetër veçse marrëveshje tregtare për mallrat e nominuar dhe të regjistruara në databaza si UPOV, European Vitis Database, etj. Në termat e marrëveshjes TIPP, që përkthehet partneritet transatlantik për tregtinë dhe investimet, dhe që ka të bëjë me një tjetër term të përdorur nga qeveria jonë, që janë zonat e lira të tregtisë, e ngjashme me CEFTA, pra në këto terma, firmoset një marrëveshje e tregtisë së lirë midis Europës dhe SHBA dhe volumin e mallrave të tregtuar e vendos vendi që ka popullatën më të madhe në numër dhe jo vendi që ka mallrat më cilësore. Pra njësoj siç ndodhi me CEFTA, Shqipëria si një vend me numër të vogël banorësh, eksportonte pak dhe importonte shumë. E njëjta gjë do ndodhte me Italinë, ku 68 milionë banorët e saj janë pak krahasuar me 350 milionë banorët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në këtë marrëveshje TIPP, nëse Italia do ta nënshkruante vetëm me SHBA, verat e saj të famshme dhe historike DOC do të tregtoheshin vetëm brenda familjes dhe tregun vendas do ta pushtonin verat amerikane. Por këtë marrëveshje, jo vetëm Italia, por dhe Gjermania, Franca etj., po e nënshkruajnë si Bashkim Europian, popullata e të cilit është thuajse 504 milionë banorë, ku institucionet e regjistrimit të varieteteve të bimëve apo çdo regjistër tjetër për mallra dhe produkte bujqësore është i ngritur, i certifikuar, me terma reference të miratuara dhe të pandryshueshme. Kjo do të thotë që i tërë regjistri i varieteteve hyn në marrëveshjen TIPP me të drejta industriale të autorësisë të betonuara dhe të panegociueshme.
Objektivi i TIPP është integrimi i dy tregjeve më të mëdha të botës, duke zvogëluar taksat doganore dhe duke hequr një gamë të gjerë të barrierave të patarifueshme, siç janë p.sh. ndryshimet në rregulloret teknike, normat dhe procedurat e standardizimit të produkteve, rregullat sanitare dhe fitosanitare. Kjo marrëveshje do kishte ndikim dhe në investimet dhe tenderimet publike. Dhe nëse TIPP miratohet, do të fitohej një hapësirë shumë e madhe tregtare, meqë Europa dhe SHBA përbëjnë një të tretën e tregut botëror. Kjo marrëveshje do të shtrihej dhe në vende të tjera me të cilat Europa dhe SHBA kanë marrëveshje të tjera për tregtinë e lirë, siç është NAFTA dhe EFTA (ku përfshihet dhe Shqipëria).
Kjo marrëveshje u publikua për herë të parë në tetor të 2014 dhe këtë verë e vjeshtë takimet në Bruksel për këtë çështje kanë qenë të ngjeshura.
Çfarë duhet të bëjnë pronarët e kantinave apo varieteteve në vendin tonë, nuk është detyra e Ministrisë së Bujqësisë. Detyrë e saj, që përmbushet me rigorozitet, është pjesëmarrja në takimet për TIPP dhe përshtatja e politikave vendase me këto marrëveshje të reja që po shkruhen me zyrtarët e tjerë europianë dhe amerikanë në Bruksel.
Fermerët tanë dhe investuesit e mëdhenj dhe të vegjël, edhe pse në vendin tonë mungon Instituti i Mbrojtjes së Bimëve, regjistrimin e varieteteve mund ta bëjnë individualisht vetë pranë zyrës së patentave dhe markave në Ministrinë e Ekonomisë, si dhe në UPOV, OIV etj. E gjithashtu mund të financojnë ndërtimin e një laboratori gjenetik për ampelografinë molekulare, për identifikimin e varieteteve të hardhive tona dhe regjistrimin e tyre në databazën europiane të hardhive, që situatat që ne vëmë re në projektet dypalëshe ose shumëpalëshe kërkimore të mos përsëriten më, dhe ne të jemi në vendnumëro, kur politikat qeveritare ecin në të njëjtin kah me politikat e Europës.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.