Tifozët kërkojnë kartëmonedhën me Maradonën. Qeveria thotë “jo”

01/12/2020 4:02 PM 0 komente

Një kartëmonedhë në nder të Diego Armando Maradona. Kjo është kërkesa e tifozëve argjentinas drejtuar qeverisë, për të kujtuar “El Pibe de Oro”, i cili vdiq më 25 nëntor 2020. Në momentin e parë, propozimi ishte që Maradona të ishte fytyra e kartëmonedhës 10 pesos.

Por me fuqinë blerëse të pesos argjentinas të zhvlerësuar, qytetarët synojnë për më lart – shkruan Clarin – duke kërkuar që lojtari më i mirë në histori të jetë imazhi i kartëmonedhës 10 mijë pesos.

Kjo është një kërkesë e pafavorshme për qeverinë, që parashikon një lëvizje të cilën zyrtarët duan ta shmangin – nevojën për të vënë në qarkullim kartëmonedha me një prerje më të lartë. Sot, kartëmonedha me prerje më të madhe është 1 mijë pesos. Me kursin e sotëm të këmbimit është vetëm 12 dollarë amerikanë.

Për këtë arsye, në fillim të vitit, kur fuqia blerëse e kartëmonedhës 1 mijë pesos ishte më e madhe se ajo aktuale, ishte parë e arsyeshme për të pasur në treg një kartëmonedhë 5 mijë pesos. Edhe pse në fillim të karantinës qarkullonin zëra, sipas të cilëve dalja e kartëmonedhës 5 mijë pesos ishte e afërt, qeveria vendosi të ngadalësojë hapat. Për zyrtarët, emetimi i një kartëmonedhe me prerje më të lartë është njësoj si të pranosh dështimin e politikave për të frenuar inflacionin.

Që nga viti 2007, vendi është nën ndikimin e inflacionit, që nuk zbret nën shifrën dyshifrore. Vitin e kaluar, inflacioni ishte 53,8% ndërsa për këtë vit, parashikimet tregojnë se do të jetë mbi 38%. Tashmë, vdekja e Maradonës e vë përsëri në qendër të diskutimit çështjen e kartëmonedhave.

Për këtë kërkesë, është krijuar edhe një peticion në Change.org, platformë ku përdoruesit mund të fillojnë fushata publike. “Shto firmën tënde në mënyrë që qeveria të emetojë kartëmonedhën prej 10 mijë pesos të Maradonës. Pesos do të kërkoheshin në të gjithë botën. Le ta bëjmë kartëmonedhën 10 mijëshe të Maradonës, një edicion të kufizuar në të gjithë botën. Goli i shekullit” – lexohet në peticion.

Aktualisht, peticioni është nënshkruar nga më shumë se 15 mijë persona. Disa mbështesin idenë që kjo do të ishte diçka e mirë – kartëmonedha do të bëhej një objekt koleksioni në mbarë botën.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of