Në AppStore janë shkarkuar 8,2 miliardë aplikacione krahasuar me 28,3 miliardë aplikacione në GooglePlay, por Apple fiton dyfishin
Shpenzimet botërore në aplikacione janë rritur me 32% me bazë vjetore në tremujorin e tretë duke arritur në 29,3 miliardë dollarë, ndërsa numri i instalimeve është rritur me 23,3%, në 36,5 miliardë. Këto shifra bëhen të ditura nga analistët e SensorTower. TikTok, edhe pse është e ndaluar në Indi dhe rrezikon të njëjtin fat në SHBA, është në vend të parë, si për të ardhurat edhe për numrin e shkarkimeve.
Në AppStore të Apple, shpenzimet e konsumatorëve për aplikacione me pagesë, abonime dhe blerje in-app janë rritur me 31% në 19 miliardë dollarë. Ndërsa në PlayStore të Google, shpenzimet janë rritur me 33,8%, në 10,3 miliardë dollarë. Në lidhje me numrin e instalimeve të aplikacioneve, në AppStore regjistrohen 8,2 miliardë aplikacione krahasuar me 28,3 miliardë në pajisjet me sistem operativ Android.
TikTok është aplikacioni që fiton më shumë (me përjashtim të videolojërave) në tremujorin e marrë në analizë. Të ardhurat e TikTok, duke përfshirë edhe versionin kinez Douyin në pajisjet Apple, janë rritur me 800% krahasuar me tremujorin e tretë 2019. Në vend të dytë renditet YouTube ndjekur nga aplikacioni i takimeve, Tinder. Rrjeti social kinez rezulton në vend të parë edhe për numrin e shkarkimeve, para Facebook dhe aplikacionit të videochat, Zoom.
Gjithnjë sipas analistëve, përdoruesit në mbarë botën kanë shpenzuar 20,9 miliardë dollarë në aplikacione për videolojëra, nga të cilat 12,4 miliardë në Apple dhe 8,5 miliardë në Google. Në dy vendet e parë të klasifikimit renditen “Honors of Kings” e “Pubg Mobile”, të zhvilluara nga kompania kineze Tencent. Në vend të tretë, Pokemon Go.