TikTok, aplikacioni i famshëm për video të shkurtra, do të jetë Global Sponsor i UEFA EURO 2020. Është hera e parë që një platformë për argëtimin dixhital sponsorizon një kompeticion ndërkombëtar të UEFA. Marrëveshja shënon një zhvillim të rëndësishëm për TikTok dhe UEFA duke i dhënë jetë një forme të re bashkëpunimi për UEFA EURO 2020.
Në këtë marrëveshje nuk u publikuan shifra. Kompeticioni me 24 skuadra u shty me një vit për shkak të pandemisë së koronavirusit. Vendimi, siç bëri të ditur UEFA në atë kohë, mund të kushtojë “qindra miliona” dollarë.
Falë bashkëpunimit me UEFA, TikTok do të përpiqet të konsolidojë reputacionin e tij dhe të bëhet platformë referimi për tifozët, të cilët mund të ndajnë pasionin për futbollin dhe të njihen nga një publik i ri. Si një partner zyrtar, TikTok do t’i lejojë tifozët të ndjekin influencer e tyre të preferuar në futboll, të ndajnë përmbajtjen më të mirë dhe të krijojnë momente të veçanta, por edhe reagime dhe festime për kompeticionin.
Guy-Laurent Epstein, drejtues marketingu i UEFA-s, deklaroi: “Jemi të lumtur të mirëpresim TikTok ndër partnerët e UEFA EURO. Kompania është ndër platformat e argëtimit dixhital më të përfolura vitin e fundit. Në muajt e ardhshëm dëshirojmë të punojmë së bashku me TikTok për t’u ofruar tifozëve në të gjithë botën një përvojë unike dhe inovative në UEFA Euro, duke u dhënë mundësinë për të ndërvepruar dhe për të ndarë pasionin për një ndër eventet sportive më të rëndësishme në botë”.
Në cilësinë e Global Sponsor, TikTok do të punojë me UEFA, për të prezantuar një gamë të gjerë përmbajtjesh si efektet AR, Hashtag Challenge, TikTok LIVE and Sounds, për të promovuar produktet dhe shërbimet e tij në komunitet. UEFA gjithashtu do të lejojë që TikTok të hyjë në arkivin e saj për të zhvilluar përmbajtje tërheqëse dhe inovative.
Në kuadër të bashkëpunimit, UEFA EURO 2020 do të hapë një account zyrtar në TikTok përpara turneut për të frymëzuar dhe për të argëtuar miliona tifozë të futbollit në të gjithë botën me momente ekskluzive “prapa skenave” dhe video aktuale dhe nga arkiva.
General manager i Mbretërisë së Bashkuar dhe BE-së i TikTok, Rich Waterworth, deklaroi: “TikTok po shndërrohet shpejt në një vend ku futbolli në botë mund të jetohet në një mënyrë krejtësisht të re, pasi gjithnjë e më shumë federata dhe skuadra futbolli po vijnë në platformën tonë për të përfshirë drejtpërdrejt tifozët. Jemi entuziastë që jemi partner i UEFA EURO 2020, një nga ngjarjet sportive më të rëndësishme në botë, për të sjellë shpirtin dhe pasionin e këtij kompeticioni te përdoruesit tanë. Komuniteti ynë pëlqen të festojë sportin në mënyrë kreative”.
Marrëveshja përfshin edhe të drejtat e sponsorizimit televiziv, që do t’i japë mundësinë TikTok të shfaqë markën e vet gjatë programeve të drejtpërdrejta në UEFA Euro 2020 në gjithë kanalet europiane.