TikTok ka eliminuar më shumë se 49 milionë video të përdoruesve në të gjithë botën në gjysmën e dytë të vitit 2019, njoftoi kompania në një raport transparence të publikuar sot.
Videot përfaqësojnë më pak se 1% të të gjithë videove të ngarkuara në TikTok në këtë periudhë. TikTok thotë se videot janë eliminuar për shkak të shkeljeve të udhëzimeve të bashkësisë së aplikacionit ose kushteve të shërbimit.
Në dhjetor, kompania thotë se një e katërta e videove u eliminuan pasi kishin përmbajtje “me lakuriqësi dhe aktivitete seksuale”. Një tjetër një e katërt e videove u eliminuan pasi “përfaqësonin sjellje të dëmshme, të rrezikshme apo të jashtëligjshme nga të miturit”, si përdorimi i drogave. Ngacmimet dhe fjalimet e urrejtjes përbënin një numër të vogël të videove të eliminuara, përkatësisht vetëm 3% dhe 1% të totalit të videove.
Më shumë se 16 milionë e videove të eliminuara ishin nga përdorues të Indisë. SHBA është tregu i dytë për videot e eliminuara, me 4,6 milionë video. Bëhet fjalë për shifra të larta krahasuar me YouTube, i cili ka deklaruar se ka eliminuar rreth 14,7 milionë video në të njëjtën periudhë të vitit 2019. Edhe në këtë platformë, India dhe Shtetet e Bashkuara janë tregjet kryesore për eliminimin e videove.
Eliminimi i videove në TikTok nuk buron në përgjithësi nga kërkesat e qeverive apo ankesa për të drejtat e autorit. TikTok thotë se ka marrë vetëm rreth 1400 kërkesa për heqjen e të drejtave të autorit dhe 45 kërkesa nga ana e qeverisë (më së shumti nga India) dhe nuk i ka plotësuar të gjitha. Ashtu si edhe në gjysmën e parë të 2019, raporti tregon që TikTok nuk ka marrë ndonjë kërkesë për eliminim apo kërkesë për informacion mbi përdoruesit në Kinë, ku ndodhet selia e shoqërisë mëmë, Bytedance.
“Ne nuk kemi eliminuar asnjë përmbajtje me kërkesë të qeverisë kineze dhe nuk do ta bëjmë edhe nëse do të na i kërkonin” – tha një zëdhënës i TikTok për ‘TheVerge’. Zëdhënësi shtoi se “nuk i ka dhënë qeverisë kineze asnjë informacion të përdoruesve dhe nuk do ta bënim nëse do të na i kërkonin”.
Detajet vijnë nga raporti i dytë i transparencës së TikTok që mbulon periudhën 1 korrik 2019 – 31 dhjetor 2019. Shoqëria e publikoi raportin e saj të transparencës, që përfshin 6-mujorin e parë të vitit 2019, në fund të dhjetorit.
Burimi: The Verge