Tim Cook përpiqet të zvogëlojë varësinë e Apple nga pajisjet dhe të rrisë të ardhurat nga shërbimet

Hedhjet në treg të produkteve të Apple nuk janë më ato që kanë qenë dikur. Një dekadë më parë, prezantimi iPhone krijoi një entuziazëm të pakufi, aq sa adhuruesit e këtij telefoni do të mbanin radhë përpara dyqaneve që e shisnin këtë produkt, disa ditë përpara afrimit të datës së hedhjes së tij në treg, shkruan The Economist.
Në eventin e fundit të kësaj kompanie, atë të 10 shtatorit, gjithçka dukej njësoj: Bosi i Apple qëndronte në qendër të skenës, i veshur me një bluzë të zezë dhe fliste për risitë e produktit e ri dhe për mënyrën sesi ai do të ndryshonte botën. Por ato fjalë nuk dukeshin më magjike si dikur, magjia e tyre ishte zbehur sepse iPhone 11 duket thjesht si një përmirësim i modeleve që janë hedhur në treg përpara tij. Telefonat inteligjentë janë bërë të mërzitshëm, dhe për këtë shkak shitjet e tyre kanë mbetur në stanjacion.
Situata paraqet padyshim një problem për Apple, i cili e ka ndërtuar suksesin bazë të shitjeve tejet të larta. Edhe përpjekja e fundit, për t’u përqendruar më shumë në shitjen e shërbimeve dhe më pak në shitjen e pajisjeve, është kuptuar gjerësisht. Këto shërbime përmbajnë gjithçka, nga garancitë e zgjatura deri në krijimin e një dyqani ekskluziv të Apple për videolojëra dhe për transmetimin e videove, në të cilën planifikon të shpenzojë 6 miliardë dollarë amerikanë. Ky shërbim është krijuar qëllimisht për të dobësuar rivalë si Disney dhe Netflix.
Hedhja në treg e iPhone 11 tregon se çfarë nënkupton kjo strategji nga ana e harduerit. Çmimet e Apple kanë qenë në një trend rritës për vite me radhë, por tendenca është ngadalësuar. Modeli i iPhone 11 është telefoni me çmim më të ulët që kompania ka hedhur në treg gjatë dy viteve të fundit. Kjo ka kuptim: një kompani e përqendruar në sektorin e shërbimeve ka nevojë për një bazë të gjerë përdoruesish. Ky është një proces shumë delikat. Nëse çmimet bien në nivele shumë të ulëta, firma do të humbasë shkëlqimin e saj për të cilin ka luftuar shumë (iPhone 11 Pro Max do të kushtojë 1,449 dollarë amerikanë).
Në të njëjtën kohë, Apple përfiton nga audienca e saj e “robëruar”. Përdoruesit e telefonave rivalë Android të Google kanë mundësi të shumta zgjedhjeje sa u takon shitësve të pajisjeve hardware, duke krijuar kështu konkurrencë të ashpër të çmimeve. Ata që preferojnë ekosistemin e Apple duhet të blejnë iPhone. Kjo do të jetë ajo që nuk do t’i bëjë çmimet të bien më shumë.
Komente