“Times”/ 10 universitetet më të bukura në Europë

30/01/2018 12:15 PM 0 komente

Shumë nga universitetet më të bukura në Europë janë gjithashtu edhe disa prej universiteteve më të vjetër në botë, bukuria dhe madhështia e të cilëve nuk është zbehur me kalimin e kohës.

Disa prej universiteteve më moderne në këtë listë ofrojnë edhe një arkitekturë më bashkëkohore me ndërtesa moderne dhe elemente artistike.

Times Higher Education Student ka bërë një hulumtim dhe në fund ka hartuar një listë me universitetet europiane të cilat kanë një arkitekturë spektakolare dhe hapësira të gjelbra rreth tyre të cilat nuk duhen lënë pa vizituar….

1.Universiteti i Bolonjës, Itali

Universiteti i Bolonjës në Itali është cilësuar universiteti më i vjetër në botë, i themeluar në vitin 1008. Përveçse është universiteti më i vjetër në botë ku ende vijon të jepet mësim, është edhe një ndër universitetet më të bukura në Europë, e ndoshta edhe në botë. Në foton më poshtë është Palazzo Poggi, një nga ndërtesat kryesore të universitetit, në të cilin ndodhen tre muze universitarë me vepra të historisë natyrore, anatomisë dhe obstetrikës, fizikës dhe kimisë. Brenda universitetit ka shumë ndërtesa të cilat duhet t’i vizitoni, ndër to Collegio di Spagna, një ndërtesë në ngjyrë rozë me elemente gotikë dhe të rilindjes. Universiteti ka edhe një kopsht botanik prej dy hektarësh.

 

2.Universiteti i Salamanca, Spanjë

Universiteti i Salamanca-s në Spanjë është universiteti më i vjetër në Spanjë dhe universiteti i tretë më i vjetër në botë, i themeluar në vitin 1134. Ishte instituti i parë i cili ofroi kurse për studentët e huaj. Universiteti është i famshëm për arkitekturën e tij në stilin barok dhe biblioteka është një pikë referimi për një arsye të fortë. Ajo përmban më shumë se 160,000 volume dhe fasada e saj me zbukurime tërheq shumë studentë dhe vizitorë në kërkim të bretkosës së fshehur. Legjenda thotë se nëse një student sheh amfibin, do t’i kalojë me lehtësi provimet. Qyteti i vjetër i Salamanca-s i cili përfshin mjaft nga ndërtesat e universitetit, është zonë e mbrojtur nga UNESCO.

 

3.Universiteti i Coimbra, Portugali

I themeluar në vitin 1290, Universiteti i Coimbra ndodhet në majë të një kodre. Qendra e universitetit, e njohur si “Qyteti universitar”, është Pallati i Vjetër Mbretëror Alcáçova, një ndërtesë e mrekullueshme borë e bardhë, shtëpi e kullës së orës universitare – një ndër simbolet e universitetit. Ndër ndërtesat që spikasin janë Katedralja Santa Cruz dhe Biblioteka Joanine. Sao Miguel Chapel (në foton më poshtë) është një kryevepër shumëngjyrëshe e zbukuruar me pllaka dhe një tavan aq të bukur sa do t’ju lodhet qafa për ta parë të gjithin.

 

4.Universiteti i Rostock, Gjermani

Universiteti i Rostock është një nga universitetet më të vjetra në Gjermani dhe çdo vit tërheq gjithnjë e më shumë studentë. Shumë prej ndërtesave të tij janë ndërtuar në stilin gotik, i rrethuar nga gjelbërimi. Në qendër të Universitetit është ndërtesa kryesore (foto më poshtë) përballë një parku dhe shatërvani, një vend ideal për studentët dhe vizitorët të kalojnë pak kohë jashtë ndërtesës. Ju këshillojmë të vizitoni ndërtesën zoologjike për të parë koleksionin e famshëm të kafshëve të balsamosura të universitetit.

 

5.Universiteti i Aarhus, Danimarkë

Aarhus University ndodhet në qytetin e dytë më të madh në Danimarkë dhe karakterizohet nga një kampus i gjelbër, pjesë e të cilit është edhe një liqen. Universiteti është shembulli i përkryer i ndërthurjes së strukturave të ndërtuara nga njeriu dhe mjedisit natyror (si në foton më poshtë). Shumë nga ndërtesat janë projektuar nga arkitekti danez C.F. Møller, në një stil modernist që reflekton rininë e universitetit. Møller dhe bashkëpunëtorët e tij Kay Fisker e Povl Stegmann janë përgjegjës për ndërtesat me tulla të verdha për universitetin; ndërtesa kryesore është konsideruar një nga 12 veprat arkitekturore më të rëndësishme në historinë e Danimarkës.

 

6.Universiteti i Teknologjisë të Gdansk, Poloni

Kampusi universitar në Universitetin e Teknologjisë në Gdansk karakterizohet nga një ndërthurje stilesh arkitekturore. Ndërtesa kryesore (në foto) është projektuar në stilin e neo-rilindjes holandeze dhe është një ndërtesat më të rëndësishme të universitetit. Rreth e përqark universitetit ka shumë simbole dhe statuja, si për shembull statuja e një bufi (simbol i dijeve dhe urtësisë) dhe një luani që mban stemën e qytetit të Gdansk.

 

7.Universiteti i Uppsala, Suedi

Ndërtesa kryesore e universitetit është projektuar nga arkitekti Herman Teodor Holmgren, në stilin romak. Ajo është ndërtuar në vitet 1880 dhe ka mbetur e njëjta, duke i lejuar vizitorët ta përjetojnë atë siç ishte në fillim. Pjesa e brendshme e ndërtesës ka detaje të shumta si për shembull figura gjeometrike në dysheme, statuja prej mermeri, kupola të zbukuruara dhe shandanë të mëdhenj. Ndërtesa kryesore e universitetit përdoret ende për mësimdhënie dhe ngjarje akademike të rëndësishme. Përveç ndërtesave të mrekullueshme, universiteti përfshin edhe Kopshtin Botanik, Linnaeus Garden dhe Linnes Hammarby.

 

8.Grenoble Alpes University, Francë

Jo shumë kampuse universitare do të pretendonin tre vargmale si pjesë e kampusit të tyre, por Grenoble Aples University është me fat në këtë pikë. I ndodhur në qytetin francez të Grenoble, universiteti ndodhet pranë alpeve franceze dhe përqark tij ka një peizazh të mrekullueshëm. Universiteti i nxit studentët të dalin dhe të thithin ajrin e freskët të malit dhe me 175 hektarë pranë, kjo nuk është e vështirë.

 

9.Trinity College Dublin, Republika e Irlandës

Trinity College në Dublin është themeluar në vitin 1592. Është një ndërthurje e rrugëve me kalldrëm, fushave të gjelbra dhe gurëve arkitekturorë të shekullit XVIII. Ju nuk mund të lini pa vizituar Librarinë e Vjetër në Trinity College, e cila ka një korridor përgjatë të cilit janë vendosur bustet e shumë filozofëve dhe shkrimtarëve. Universiteti i Trinity është përdorur si skenar në shumë filma, përmendim Educating Rita, madje edhe në filmat e Bollywood-it.

 

10. Lomonosov Moscow State University, Rusi

Ndërtesa kryesore e Universitetit Shtetëror të Moskës ngrihet mbi pjesën tjetër të kampusit. Ndërtesa, një ndër “Shtatë Motrat” e Moskës, mendohet se ka 33 kilometra korridore dhe 5,000 dhoma. Struktura gjigante në të bardhë dhe rozë është bërë një lloj simboli i universitetit. Hapësirat e brendshme nuk janë të hapur për publikun dhe kjo është arsyeja që universiteti mbështillet nga një tis misteri. Universiteti rrethohet nga hapësira të mëdha të gjelbra, të cilat janë të bukura si në dimër kur mbulohen nga dëbora, edhe në pranverë kur lulëzojnë lulet.

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of