EDITORIAL MONITOR 778 / Një kupë qelqi mund të mbushet me ujë përtej nivelit të buzës së kupës, madje nëse e bën me kujdes, duke i hedhur pikat një nga një, arrin një maksimum të tillë (pikërisht aty ku nuk mban më) ku edhe një pikë tjetër mjafton për të realizuar atë që quhet derdhje e kupës, pas së cilës sasia e ujit që rrjedh është shumë më tepër se pika që e mbushi dhe rrjedhja e pakontrolluar.
Një autor shumë i famshëm, Malcolm Gladwell, nisur nga ky fenomen, ka shkruar një libër të tërë, që ka përfunduar bestseller, duke përqasur ndikimin që kanë pasur ndodhi në dukje të parëndësishme (si pika e ujit) në fillimin e ngjarjeve shumë të rëndësishme të historisë së njerëzimit. (derdhja e rrëmbyeshme e ujit nga gota)
Natyrshëm vijmë në Shqipëri, ku ngjarje ndodhin përditë, politike apo jo, të rëndësishme e më pak, ca komike por edhe jo pak të tjera të dhimbshme e tragjike, për të cilat perceptimi e reagimi politik, publik apo civil, është në mënyra nga më të ndryshmet.
Sidoqoftë, kësaj here, jashtë çdo dyshimi (nuk kemi pse fshihemi) jemi para një përballje serioze të palëve politike që kishim kohë pa e parë dhe situata nuk mund të mos vlerësohet si dramatike. Impenjimi i faktorit ndërkombëtar, me vizita në nivele të larta me ambasadorë që nuk pushojnë duke shkuar sa në një zyrë në tjetrën, nga një restorant në tjetrin, në njëfarë mase shërben të paktën për të vlerësuar temperaturën e lartë të pacientit Shqipëri e të gjendjes së sëmurë të sistemit politik tek ne. Ndaj dhe nuk do të hezitonim ta konsideronim situatën të ngjashme me një kupë të mbushur e ku çdo event apo ngjarje, në dukje e izoluar, mund të ndikonte në derdhjen e gotës.
Pikërisht këtu qëndron edhe mençuria që në hapat e hedhur në këto momente kritike, palët të vlerësonin maksimalisht riskun që mbart kjo situatë për vendin, popullin e rajonin ku shqiptarët, ndonëse deri më sot kanë pasur në favor erën e Perëndimit, nuk janë në momentin më ideal. Pasi disa ngjarje që rrjedhin kundër tyre flitet se janë nën influencën ruse apo turke.
Nuk besojmë se aspirata e kombit do të ishte një orientim për nga Lindja, jo vetëm se rinia e vendit është tërësisht e orientuar për nga fryma perëndimore, por edhe të gjithë shqiptarët në emigracion i japin vendit një shtysë të fuqishme drejt Perëndimit. Çdo hap që do të hidhte klasa politike në drejtim të kundërt me këtë vektor shtytës perëndimor do të perceptohej si një qëndrim në kundërshtim me vullnetin perëndimor të popullit.
Momenti i zgjedhjes së Presidentit të Republikës nuk është një ngjarje për t’u neglizhuar, por procesi dhe vetë përzgjedhja e votimi i figurës numër një të vendit, parë në këndvështrimin e kupës së mbushur, sa kohë që pala opozitare nuk u përfshi aspak, por edhe vetë pamjet e ofruara në televizor nga atmosfera në Parlament, në përfundim të votimit, nuk linin asnjë dyshim se kupës iu shtua edhe një pikë tjetër. Na mbetet të urojmë që nuk do të jetë kjo që do ta derdhë kupën e mbushur tashmë dhe se palët nuk do të bëjnë hapa të ngjashëm që do ta bënin derdhjen e kupës të pashmangshme.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.