Banka do të mbajë të njëjtin emër, për të ruajtur identitetin e saj, si një institucion financiar lokal i rëndësishëm gjatë dy dekadave të fundit, si dhe lidhjet me bazën tradicionale dhe të qëndrueshme të klientëve mjaft të nderuar të Bankës. Aksionerët e rinj kanë parashtruar qartësisht vizionin e tyre për zgjerimin e aktivitetit të Bankës, si një aktor i rëndësishëm i sektorit bankar shqiptar, në drejtim të mbështetjes dhe të zhvillimit të ekonomisë lokale.
Flet Dritan Mustafa, Drejtor i Përgjithshëm Ekzekutiv, Tirana Bank
Si e vlerësoni ecurinë e sistemit bankar dhe të bankës suaj në vitin 2018?
Ecuria e sistemit bankar në përgjithësi dhe e Tirana Bank në veçanti, kanë qenë në përputhje me zhvillimet dhe ecurinë e ekonomisë lokale. Rritja pozitive e Prodhimit Kombëtar Bruto (3–4% gjatë 2018) dhe një inflacion në nivele relativisht të ulëta (rreth 2%) përbëjnë një terren të përshtatshëm ekonomik për një performancë të qëndrueshme të sistemit bankar, referuar treguesve kryesorë komercialë dhe financiarë (likuiditeti dhe investimet).
Sektori bankar ka karakteristika të qëndrueshme zhvillimi. Konkretisht, totali i aseteve (pothuaj i barabartë me volumin vjetor të Prodhimit Kombëtar të Brendshëm) tregon rëndësinë sistemike të sektorit financiar në Shqipëri, por edhe më të rregulluar referuar kuadrit ligjor dhe rregullativ përkatës. Sistemi bankar mbetet mjaft likuid, me një volum depozitash rreth 9.5 miliardë euro.
Gjithsesi, norma vjetore e rritjes është relativisht më e ulët krahasuar me vitet e kaluara, që tregon tendencë për ulje të kursimeve dhe rritje të investimeve të klientëve. Kredidhënia e re ka vijuar me ritme pozitive, pavarësisht se portofoli i kredisë (afërsisht 4.7 miliardë euro) raportohet me ulje krahasuar me një vit më parë, referuar kryesisht fshirjes së kredive me probleme që kanë kryer bankat në drejtim të reduktimit të portofolit problematik.
Bankat lokale vijojnë të zbatojnë me kujdes hapa në drejtim të optimizimit të prezencës dhe rimodelimit të aktivitetit, në përputhje me tendencat në industrinë financiare globale, kryesisht në drejtim të një numri më të vogël degësh dhe rritje graduale të kanaleve alternative.
Zhvillimi më i rëndësishëm gjatë vitit 2018 është sigurisht tendenca e konsolidimit të sistemit bankar dhe ndryshimet në pronësinë e disa bankave, dhe si rrjedhojë uljen e numrit të bankave në treg, si dhe futjen e aktorëve të rinj në sektorin financiar.
Gjatë vitit 2018, Tirana Bank i nënshtrua me sukses një procesi vlerësimi, me objektiv për të identifikuar investitorë potencialë dhe ndryshim të strukturës aksionere, në kuadër të strategjisë për dalje nga tregu lokal (sikurse edhe rajonal) i investitorit tradicional Piraeus Bank.
Pavarësisht këtij procesi masiv dhe angazhimeve të veçanta në këtë drejtim, Banka ka operuar normalisht në përputhje me objektivat strategjikë, në drejtim të ruajtjes së stabilitetit në marrëdhëniet me klientët, rindërtimit të portofolit standard nëpërmjet një aktiviteti kredidhënieje të shëndoshë, sikurse edhe reduktimit substancial të aseteve financiare problematike. Banka vijon të ruajë një pozicion të fortë të kapitalit dhe të likuiditetit, duke qenë një nga institucionet financiare më të sigurta në treg.
Cilat janë pritshmëritë për sistemin bankar dhe bankën tuaj për vitin 2019?
Në përputhje me parashikimet nga institucionet financiare ndërkombëtare dhe agjencitë e vlerësimit të riskut, gjatë vitit 2019 vlerësohet që treguesit makroekonomike të mbeten të stabilizuar dhe me normë pozitive rritje të ekonomisë lokale.
Stabiliteti politik (duke marrë në konsideratë edhe proceset e integrimit drejt BE), stimujt ekonomikë që mund të vijnë kryesisht nga rritja dhe diversifikimi i Investimeve të Huaja Direkte, sikurse edhe nga investimet në vepra të reja publike, janë tregues të rëndësishëm, si dhe faktorë përcaktues për realizimin e një zhvillimi të qëndrueshëm ekonomik gjatë vitit 2019 dhe në afat të mesëm.
Gjithsesi, sektori bankar i kushton rëndësi të veçantë nivelit të kërkesës së konsumatorëve, si dhe risqeve të mundshme nga zhvillimet politike, lokale dhe rajonale.
Ndryshimet që vihen re në sjelljen e konsumatorëve, nga tendenca për kursime (gjatë dekadës aktuale dhe që vjen kryesisht nga depozituesit individualë) drejt tendencës për investime dhe konsum, do të shënojë rritje graduale të kërkesës, e cila ndihmon dhe motivon rritjen e prodhimit në vend, si dhe të volumeve të tregtisë në përgjithësi.
Sektori bankar do të vijojë të mbetet i qëndrueshëm për sa i përket situatës së likuiditetit dhe të kapitalit, ndërsa Bankat po rrisin vëmendjen gjithmonë e më shumë drejt kredidhënies, pavarësisht se normat e rritjes mbeten relativisht të vogla.
Objektivi strategjik i Tirana Bank për vitin 2019, sikurse dhe për periudhën afatmesme, konsiston në zgjerimin e aktivitetit dhe të bazës së klientelës, duke shfrytëzuar praninë adekuate të rrjetit të degëve, situatën e qëndrueshme të likuiditetit, si dhe reputacionin e mirë që Banka gëzon në treg. Ne do të shfrytëzojmë mundësitë e zhvillimit që paraqet tregu lokal, për një përqasje të kujdesshme, por dinamike, në drejtim të zgjerimit të portofolit të kreditimit të ekonomisë lokale, duke iu referuar në mënyrë të balancuar segmentit të individëve dhe të biznesit.
Gjithashtu, Tirana Bank do të vijojë të investojë në drejtim të modernizimit të infrastrukturës operacionale dhe të sistemeve të teknologjisë së informacionit, në përputhje me standardet dhe praktikat më të mira bankare. Ne vlerësojmë që Tirana Bank do të vijojë të mbetet një bankë me peshë sistemike për industrinë financiare në Shqipëri.
Një vit më parë, Banka e Shqipërisë prezantoi një plan për të ulur nivelin e euroizimit në vend. Sa efektiv e vlerësoni këtë plan? Si e shpjegoni që depozitat në euro u rritën ndjeshëm në vitin 2018?
E mirëkuptojmë dhe e mbështesim këtë nismë të Bankës së Shqipërisë, në rrethanat kur mbetet e nevojshme ndjekja me efektivitet e një politike monetare, me qëllim ruajtjen e stabilitetit financiar në vend. Gjithsesi, realizimi i këtij objektivi shoqërohet me sfida konstante që vijnë nga prania e lartë e depozitave në monedhën Euro në sistemin bankar, të akumuluara gradualisht gjatë dy dekadave të fundit, dhe si rrjedhojë, edhe një sasi e madhe likuiditeti në monedhën euro në bilancet e bankave. Mundësitë më të kufizuara për investim (si në kredi ashtu edhe në letra me vlerë) në asete në monedhën euro në tregun lokal, referuar edhe kërkesave rregullatore në fuqi, përbëjnë një barrierë konstante për bankat në drejtim të optimizimit të burimeve financiare në këtë monedhë.
Ekzistenca e një sasie të madhe likuiditeti në treg në monedhën euro (që vlerësohet të jetë rreth 40% e depozitave bankare) vlerësohet të jetë një arsye e stabilitetit relativisht të lartë gjatë 10 – 15 viteve të fundit, në kursin e këmbimit të monedhës lokale kundrejt euros, dhe si rezultat, edhe në balancat e import/eksportit.
Por, nga ana tjetër, edhe pse nuk është monedhë ligjore në vend, ndërkohë që Shqipëria nuk është pjesë e Eurozonës, monedha Euro mbetet shumë e pranishme në transaksionet tregtare, veçanërisht në disa sektorë të ekonomisë, si p.sh., në sektorin e pasurive të patundshme, ku çmimet dhe transaksionet e shitblerjes realizohen kryesisht në monedhën euro.
Ndërkohë, flukset vjetore të remitancave/dërgesave të parave nga emigrantët, vijojnë të mbeten një nga arsyet e qëndrueshme të likuiditetit në monedhën euro, që depërton në sistemin bankar lokal prej shumë vitesh tashmë. Nuk duhet nënvlerësuar fakti që mbetemi të “rrethuar” nga ekonomi rajonale, ku euro është monedhë ligjore, duke iu referuar jo vetëm Greqisë apo Italisë, partnerët kryesorë tregtarë të Shqipërisë dhe vende të Eurozonës, por edhe në vendet kufitare si Kosova dhe Mali i Zi.
Këta faktorë konstantë, dhe të tjerë që mund të kenë lidhje me impaktin që vjen nga ekonomia informale, e njohur edhe nga vlerësimet e institucioneve ndërkombëtare, përbëjnë një sfidë serioze në drejtim të uljes së euroizimit në ekonominë lokale.
Rritja e depozitave në monedhën euro mendoj që është kryesisht rezultat i ndikimit nga ulja e ndjeshme e kursit të këmbimit gjatë vitit 2018, që ka nxitur një kategori të caktuar të depozituesve të konvertojnë depozitat e tyre në monedhën euro për të përfituar nga ky zhvlerësim i monedhës Euro kundrejt Lekut. Gjithashtu, ka ndikuar edhe rritja e ofertës nga depërtimi i likuiditetit në euro nga disa investime të rëndësishme të huaja, që kanë qenë në fazën e implementimit gjatë vitit 2018.
Euro është zhvlerësuar ndjeshëm dy vitet e fundit. Cilat janë arsyet kryesore sipas jush dhe si pritet ecuria?
Zhvlerësimi i euros kundrejt lekut, gjatë 2 viteve të fundit, ka ardhur si pasojë e një oferte të lartë të monedhës euro në tregun vendas, e ndikuar nga rritja e eksporteve, rritja e të ardhurave nga sektori i turizmit, investimet e huaja, etj. Në vitin 2018, ku zhvlerësimi i euros u shfaq me ritme më të shpejta, ka ndikuar dhe veprimet e ndërmarra nga disa banka për konvertimin e kapitalit nga monedha Euro në monedhën Lek. Gjithashtu, kursi i këmbimit Euro/Lek ka pasur luhatshmëri të lartë, që ka reflektuar pasigurinë e aktorëve të tregut në lidhje me ecurinë e kursit të këmbimit.
Gjatë muajve të parë të 2019-s ndodhemi në një ekuilibër të ri të çmimit Euro/Lek dhe pritshmëritë janë të luhatet rreth nivelit aktual. Sikurse informohemi, gjatë muajve të ardhshëm, Banka e Shqipërisë mund të vijojë të blejë euro në tregun ndërbankar, me qëllim rritjen e rezervës valutore dhe ky mund të jetë një faktor që do të ndihmojë në stabilitetin e kursit të këmbimit gjatë vitit 2019.
Sistemi bankar është përfshirë vitin e fundit në një valë shitjesh e blerjesh dhe numri i bankave pritet të zbresë në 13. Si pritet të ndikojë procesi i konsolidimit në sistemin bankar?
Ky është një proces i pashmangshëm dhe tërësisht në linjë me tendencat në industrinë financiare globale. Kriza ekonomike e dekadës aktuale shfaqi edhe nevojën për ndryshime strategjike në shumë grupe bankare, referuar modelit të biznesit, riformatimit të prezencës gjeografike, ndryshime në linjat specifike të aktivitetit, etj.
Sa më sipër, është në thelb edhe arsyeja pse gjatë 3 – 4 viteve të fundit, disa grupe bankare ndërkombëtare me prezencë në Shqipëri (kryesisht me origjinë greke dhe franceze) vendosën të shesin aksionet e tyre në filialet shqiptare. Kjo është baza e konsolidimit që po shohim aktualisht në sistemin bankar. Por largimet nga tregu të grupeve tradicionale po shoqërohen edhe me hyrjen në treg të aktorëve të rinj, kryesisht të grupeve private me prani të zgjeruar në rajon.
Realizimi i këtyre ndryshimeve strukturore paraqitet si një mundësi pozitive që bankat të përmirësojnë normat e fitimit (p.sh. referuar normave të përfitueshmërisë kundrejt aseteve, kapitalit, etj.), të cilat motivojnë rritjen e investimeve në drejtim të zgjerimit të aktivitetit, të modernizimit të infrastrukturës si dhe mundësive të reja të biznesit. Konsolidimi nuk paraqet ndonjë risk, sepse sistemi bankar mbetet i mirëkapitalizuar dhe mjaft likuid. Ndërkohë, shumica e bankave në treg mbeten aktive dhe mjaftueshmërisht konkurruese në drejtim të ofrimit të shërbimeve dhe produkteve në përfitim të klientëve.
Së fundmi, Tirana Bank është shitur te grupi Balfin. Si do të ndikojë në ecurinë e bankës dhe identitetin e saj ky transaksion?
Tirana Bank e mbylli me sukses një proces tranzicioni të rëndësishëm dhe transformimi të strukturës aksionere, i nisur gjatë vitit 2018. Gjatë kësaj periudhe, Banka ka qenë aktive me të gjithë gamën e produkteve dhe të shërbimeve, ka zgjeruar më tej bazën e klientelës, si dhe ka ruajtur në mënyrë mjaft të kënaqshme stabilitetin në të gjithë treguesit e rëndësishëm rregullativë dhe financiarë, ku veçohet pozicioni i fortë i likuiditetit dhe i mjaftueshmërisë së kapitalit.
Tirana Bank bëhet pjesë e Grupit Balfin, i cili ruan reputacion të lartë dhe një prezencë mjaft të respektuar në tregun shqiptar dhe në rajon, si dhe me një portofol të diversifikuar të aktiviteteve dhe investimeve. Banka do te mbajë të njëjtin emër, për të ruajtur identitetin e saj, si një institucion financiar lokal i rëndësishëm gjatë dy dekadave të fundit, si dhe lidhjet me bazën tradicionale dhe të qëndrueshme të klientëve mjaft të nderuar të Bankës.
Aksionerët e rinj kanë parashtruar qartësisht vizionin e tyre për zgjerimin e aktivitetit të Bankës, si një aktor i rëndësishëm i sektorit bankar shqiptar, në drejtim të mbështetjes dhe zhvillimit të ekonomisë lokale.
Kjo perspektivë e zhvillimit është edhe motivim për stafin dhe ekipin drejtues, të cilët mbeten të angazhuar për të ofruar standardet më të mira të shërbimit në këtë fazë të re të ciklit të punës së Tirana Bank.
Cilat janë sfidat me të cilat do të përballet sistemi bankar në afatin e shkurtër dhe të mesëm?
Mbetet ende e pranishme, madje kohët e fundit gjykohet më e shtuar, pasiguria që rrjedh nga zhvillimet politike lokale, si dhe ndikimet e tyre në zhvillimet ekonomike, besueshmërinë dhe nivelin e perceptuar te rrezikut nga investitorët. Tendenca e konsolidimit në sistemin bankar do të vijojë edhe gjatë një periudhe afatmesme, për të arritur në një numër më të arsyeshëm të numrit të bankave referuar përmasave relativisht të vogla të tregut shqiptar.
Zhvillimet me ritme të shpejta në fushën e teknologjisë së informacionit do të paraqesin sfida të veçanta në drejtim të modernizimit të infrastrukturës, si dhe të standardit të shërbimeve apo të produkteve bankare, por edhe nevojën për të parandaluar risqet operacionale, me natyrë teknologjike.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.