Flet znj. Manjola Capo, Drejtorja e Divizionit të Kredisë dhe Anëtare e Komitetit Ekzekutiv të Tirana Bank
Drejtorja e Divizionit të Kredisë dhe Anëtare e Komitetit Ekzekutiv të Tirana Bank, znj. Manjola Capo, tha se Banka është ndeshur dhe ka trajtuar edhe raste që kanë paraqitur vështirësi dhe vonesa në pagesën e detyrimeve edhe përpara periudhës së pandemisë, e cila ka thelluar edhe më tej pamundësinë financiare të tyre. Banka trajton këto raste, duke ofruar lehtësi në pagesa dhe plane ristrukturimesh të shumëllojshme, duke vlerësuar gjendjen e tyre përpara krizës dhe ndikimin e shtuar prej krizës. Tirana Banka ka programuar të aplikojë ristrukturimin e kredive në të gjithë klientët e saj që janë në vështirësi, tha Capo në një intervistë për Monitor.
A kanë filluar kërkesat nga biznesi për ristrukturim të kredive sipas orientimeve të BSH-së?
Tirana Bank është përherë këtu pranë nevojave të klientëve të saj, kudo dhe kurdo. Edhe gjatë kësaj periudhe të vështirë, ne kemi qenë në kontakt të vazhdueshëm me klientët tanë. U jemi përgjigjur jo vetëm atyre që kanë marrë kredi, por edhe atyre që na kanë zgjedhur e na kanë besuar për shërbime të tjera. Gjatë kësaj periudhe, ne kemi pasur kontakte dhe jemi munduar t’i informojmë dhe t’u ofrojmë zgjedhjet më të përshtatshme.
Kërkesat për të përfituar nga lehtësimet e pagesave të kredisë sipas urdhrit të Qeverisë së Shqipërisë dhe Bankës së Shqipërisë kanë filluar menjëherë me publikimin e këtij urdhri, nga të gjitha segmentet e klientëve të bankës.
Nëse keni dijeni, çfarë natyre kanë kërkesat e klientëve?
Kërkesat e klientëve kanë të bëjnë kryesisht me mospagesën e detyrimeve për muajt mars, prill dhe maj 2020 dhe me rishpërndarjen e këtyre detyrimeve në periudha të mëvonshme brenda të njëjtit afat të kredisë ose zgjatjen e këtij afati. Gjithashtu, jemi ndeshur dhe kemi trajtuar edhe raste që kanë paraqitur vështirësi dhe vonesa në pagesën e detyrimeve edhe përpara periudhës së pandemisë, e cila ka thelluar edhe më tej pamundësinë financiare të tyre. Banka trajton këto raste, duke ofruar lehtësi në pagesa dhe plane ristrukturimesh të shumëllojshme, duke vlerësuar gjendjen e tyre përpara krizës dhe ndikimin e shtuar prej saj.
A parashikojnë bankat ndikim në afatgjatë të këtij procesi?
Duke vlerësuar situatën aktuale, besojmë që faktor vendimtar për ndikimin afatgjatë te ky proces është kohëzgjatja e pandemisë dhe masave kufizuese. Zgjatja e këtyre masave edhe në javët në vazhdim na bën të besojmë që do të ketë ndikim afatgjatë.
Cilët klientë përfshihen? Të gjithë lejohen të kërkojnë këtë trajtim? (Klientë retail, biznes i vogël e biznes i madh)?
Përhapja e COVID-19 e ka prekur të gjithë shoqërinë shqiptare duke sfiduar shëndetësinë, por edhe ekonominë. Tirana Bank e ka shtrirë këtë lehtësi në të gjithë segmentet e klientëve. Të gjithë klientë tanë kanë të drejtë të kërkojnë masa lehtësuese.
A ka filluar procesi i aplikimit?
Duke zbatuar edhe udhëzimet përkatëse nga Banka e Shqipërisë, procesi i aplikimit ka filluar që në datën 13 mars 2020.
Cilat janë arsyet për aplikim?
Arsyet janë nga më të ndryshmet, nga ndërprerja e marrëdhënies së punës, vetëkarantinimi i individëve, kufizimi i orareve të lëvizjes dhe aktivitetit, efekti zinxhir që shkakton në të gjitha palët ndërvepruese ndërprerja e një aktiviteti, ndërprerja e lëvizjes jashtë për njerëzit, etj. Të gjitha këto kanë krijuar pasiguri për të ardhmen, edhe pse gjendja financiare mund të mos jetë prekur shumë për momentin.
Çfarë përfiton klienti nga shtyrja e pagesave për periudhën në fjalë?
Shtyrja e pagesave për klientët që kualifikohen si përfitues i çliron ata nga detyrimi për të paguar këstet e interesit dhe principalit për periudhën në fjalë, si dhe nga çdo penalitet për këtë mospagesë. Riorganizimi i detyrimeve bëhet në marrëveshje me klientin, sipas kërkesës së tij dhe analizës së bankës, në një periudhë të mëvonshme, përtej datës 31 maj 2020.
Banka e shqyrton në detaje kërkesën e klientit dhe a mund të bjerë dakord me të për më shumë se sa kaq, nëse e gjykon të nevojshme?
Banka e shqyrton me kujdesin e duhur kërkesën e klientit dhe mundet të bjerë dakord me të përtej kësaj kërkese, nëse e vlerëson të arsyeshme, sidomos në rastet kur kërkesa e klientit limitohet vetëm në ofrimin e mundësisë për të mos paguar për periudhën mars-maj 2020, por jo në shtrirjen në kohë të detyrimit të mbledhur.
Tirana Bank, edhe më parë, u është gjendur në krah klientëve që kanë qenë në nevojë duke u ofruar zgjidhjen më të mirë. Situata aktuale ka një veçanti, sepse na vë përpara një situate ku njëkohësisht, shumë klientë janë në nevojë. Megjithatë, ne jemi këtu për klientët tanë edhe në këtë periudhë të vështirë për të gjithë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.