Tirana qendron në krye të listës së rajonit, për çmimin më të lartë të shërbimit të taksisë.
Referuar të dhënave të agjencisë Numbeo për muajin prill, çmimi mesatar i shërbimit taksi për 1 km në kryeqytetin tonë kushton 2 euro.
E krahasuar me rajonin, pas Tiranës, vjen Prishtina me çmimin mesatar për 1 km 0.65 euro, ndjekur nga Beogradi me 0.58 euro, Sarajeva 0.51 euro, Shkupi 0.41 euro dhe i fundit në listë, me çmimin më të lirë Podgorica me 0.40 euro, çmim ky 80 % më i lirë se në vendin tonë.
Shërbimi taksi, a ka aktivitet?
Shërbimi taksi në vendin tonë ka filluar të ketë më tepër aktivitet, krahasuar me vite më parë, e këtë e dëshmon edhe hapja e disa kompanive private të të ushtruarit të këtij shërbimi.
Ndërsa, po t’i referohemi taksistëve privatë, ata pohojnë se puna gjatë 2015 ka pasur rënie të ndjeshme. Arsyet e këtij konstatimi, Ervin Hysaj, taksist prej disa vitesh në Rr. Komuna e Parisit, ia atribuon kërkesës së ulët nga banorët për shkak të çmimit. I pyetur nga Monitor, z. Hysej tha se të paktë janë klientët të cilët kërkojnë vendosjen e taksi-metrit në Tiranë, ndaj vendosen tarifa standard për lëvizjen brenda qytetit.
Sipas tij, rritja e çmimit të naftës dhe trafiku në kryeqytet janë ndikimet kryesore për çmimin aktual, e që është më i lartë në rajon për këtë shërbim.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.