Tirana po bëhet më pak e përballueshme

31/07/2018 4:31 PM 0 komente

Në raport me të ardhurat, sot është më e lirë të blesh një shtëpi në Amsterdam, Berlin, Stokholm, Bruksel, Athinë, sesa në Tiranë. Kryeqyteti i Shqipërisë renditet i pesti në Europë, nga 31 kryeqytete, për sa i përket përballimit të blerjes së një apartamenti në gjashtëmujorin e parë të 2018-s, sipas portalit Numbeo. Duhen mesatarisht 17.65 vite për të blerë një apartament në Tiranë me të ardhurat e disponueshme mesatare të familjeve shqiptare.

Në vend të parë ndër kryeqytetet më të shtrenjta të Europës, për sa i përket përballimit është kryeqyteti i Serbisë, Beogradi, ku me të ardhurat e disponueshme duhen 21.2 vite për të blerë një apartament. Më pas renditen Roma, me 20.74; Moska me 19.85 vite dhe Parisi me 18.5 vite, ndjekur nga Tirana.

 

Tirana po bëhet më e shtrenjtë, të ardhurat në vend numëro…

Çmimet e apartamenteve në Tiranë kanë qenë në rritje të vazhdueshme për zona të caktuara vitin e fundit. Brenda Unazës së qytetit, çmimet fillojnë nga 1200 euro për metër në katror deri në 2500-3000 në zonat pranë qendrës dhe te televizioni, që është aktualisht zona më e shtrenjtë e Tiranës. Shtrenjtimi i çmimeve është reflektuar edhe në indeksin që Numbeo përditëson çdo 6 muaj.

Nëse në vitin 2012, Tirana renditej e 49-a për sa i përket çmimit të apartamenteve në raport me të ardhurat, në 2017-n kryeqyteti renditej në vendin e 12. Në gjashtëmujorin e parë të 2018-s, Tirana është ngjitur në klasifikim, duke u renditur e shtata (në këtë renditje përfshihen 100 qytetet kryesore të kontinentit europian). Pra në 6 vjet është përkeqësuar me 42 vende, teksa çmimet janë rritur me 30-40% krahasuar me 6 vjet më parë.

Por, ndërsa çmimet janë shtrenjtuar me ritëm të shpejtë, nuk ka ndodhur e njëjta gjë me të ardhurat të disponueshme, gjë që ka sjellë edhe rritjen e papërballueshmërisë. Në 2016-n, sipas INSTAT, rritja mesatare e pagave ishte negative, ndërsa në 2017-n, ishte rreth 3%, ndërsa çmimet e apartamenteve u shtrenjtuan me 10-20% në të njëjtën periudhë. Numbeo përllogarit përballimin e blerjes së një apartamenti duke marrë në konsideratë raportin midis çmimit të një apartamenti dhe të ardhurave të disponueshme.

 

Në rajon, Prishtina më i përballueshmi

Në rajon, kryeqyteti më i përballueshëm për të blerë një shtëpi është Prishtina, e cila renditet e 17-a nga 31 kryeqytete të Europës. Më pas, renditet në vendin e 12 Sarajeva, e ndjekur nga Shkupi në vendin e 10-të.

 

Kryeqytet më të përballueshme në Europë

Kryeqyteti më i përballueshëm në botë është Reikjaviku, i ndjekur nga kryeqyteti i Europës, Brukseli. Apartamentet janë të përballueshme edhe në Kopenhagën. Në Europën Perëndimore, është më e lehtë përballimi i blerjes së një apartamenti, duke qenë se edhe të ardhurat e disponueshme të familjeve janë më të larta. Megjithatë, edhe Sofja, renditet një ndër kryeqytetet më të përballueshme për blerjen e një apartamenti, ku edhe pse të ardhurat e disponueshme janë ndër më të ulëtat në raport me vendet e tjera anëtare të Bashkimit Europian, ka çmime të ulëta për apartamentet.

Numbeo është baza më e madhe e të dhënave, të mbledhura me kontributin e përdoruesve, mbi qytetet dhe shtetet në mbarë botën. Ai mundëson të dhëna në kohë reale për mbi kushtet e jetesës përfshirë: kostot e jetesës, indeksin e shtëpive, shëndetësinë, trafikun dhe ndotjen.

Raporti i çmimit ndaj të ardhurave është matësi kryesor i përballueshmërisë së blerjes së një apartamenti (sa më i ulët ky tregues aq më mirë). Në përgjithësi, përllogaritet si raport i çmimit të një apartamenti me madhësi mesatare ndaj të ardhurave të disponueshme mesatare të një familje. Në këtë formulë, madhësia mesatare e një apartamenti merret 90 metra katrorë. Çmimi për metër në katror është çmimi mesatar i zonave në qendër të qytetit dhe atyre në periferi.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of