Tregu kontrollohet nga “një dorë”, duke mbajtur çmime 6-7 lekë/litër më shtrenjtë
Aktualisht, në tregun e karburanteve, një litër benzinë kushton 186 lekë, kurse nafta 180 lekë
ARD KOLA
Në vendin tonë operojnë rreth 1200 pika të shitjes me pakicë të karburanteve (naftë, benzinë dhe gaz), kur afro 60 për qind janë në pronësi të kompanive të shumicës – importues, kurse pjesa tjetër janë pika të pavarura. Numri i madh i pikave, në raport me sipërfaqen dhe popullsinë, dëshmon për një treg të tejngopur dhe konkurrent, ku në jo pak raste ka sjellë falimentim të shoqërive të ndryshme.
Megjithatë, në syrin e ekspertëve, në Tiranë, kryeqendrën e vendit, ku konsumi është më i lartë, ndodh krejt e kundërta. Nuk ka konkurrencë! Dritan Spahiu, konsulent në sektorin e hidrokarbureve (EBC), tregon për gazetën disa elemente që kanë shkaktuar “minikartelin”, siç e quan ai, të tregut në Tiranë, me ndikim negativ direkt për xhepin e konsumatorëve.
Sipas tij, në Tiranë, numri i pikave të karburantit është shumë i vogël në krahasim me sipërfaqen, popullsinë dhe kërkesën e madhe për naftë dhe benzinë. “Kjo ka shkaktuar një rritje të çmimeve të karburanteve me të paktën 5-7 lekë/litër për disa kompani, të cilat kanë pika karburanti si në Tiranë, jashtë saj në autostrada dhe në qytete të tjera. Pra, në kryeqytet e shesin më shtrenjtë se në zonat e tjera”.
Edhe pse në Tiranë kostot e operimit mund të jenë më të larta se në qytetet e tjera, për shkak të qirave, standardit të pagave etj., Spahiu përmend me radhë disa veçori që kanë krijuar këtë kartel, për rrjedhojë kontrollin e tregut të kryeqytetit në një dorë.
Sipas tij, kërkesa për karburant është në rritje, por jo oferta. Pikat kanë mbetur po ato, nuk kanë ndryshuar, pavarësisht rritjes së popullsisë në kryeqytet. “Automatikisht nga pikëpamja ekonomike, kjo shkakton një rritje artificiale të çmimeve, për shkak të mosarritjes së ekuilibrit, kjo në kurriz të konsumatorit final.
Së dyti, fakti që numri i pikave të karburantit të pavarura është shumë i vogël, nuk ka mundësuar konkurrencë të plotë dhe të lirë, duke ‘kontribuuar’ kështu në një rritje të paarsyeshme të çmimit”, shton më tej Spahiu, i cili e ndjek tregun e karburanteve në vend për më shumë se dhjetë vjetësh.
Pra, disa nga shoqëritë kryesore në treg kanë më shumë hapësirë për harmonizimin e çmimeve, duke pasur parasysh faktin që këto janë kthyer në OFN (Operatore me Fuqi të Ndjeshme).
Tjetër arsye lidhet me largimin e disa kompanive të huaja nga tregu i pakicës, që ka sjellë uljen e standardeve të operimit duke u lënë vend abuzimeve të mundshme me çmimin e karburanteve. Praktikisht, në dy vitet e fundit, shoqëri greke dhe turke, me eksperiencë të gjatë në tregun e karburanteve, ikën nga Shqipëria, duke ua lënë vendin plotësisht të lirë kompanive vendase. Ky ishte motivi i tretë, por eksperti përmend edhe të katërtin fakt, që lidhet me xhirot.
“Pikat e karburantit në kryeqytet kanë mesatarisht një xhiro mujore 2-3 herë (në pak raste dhe pesë herë) më të lartë se pikat e karburantit në periferi. Vetëm ky fakt do të mjaftonte që subjektet e Tiranës të kishin çmime më të ulëta, për shkak të aplikimit të parimit (xhiro e lartë x çmim i ulët) > (xhiro e ulët x çmim i lartë). Në fakt ndodh paradoksi i radhës që aplikohet parimi: (xhiro e lartë x çmim i lartë), duke sjellë kështu fitime të pajustifikuara”.
Megjithatë, duke e lidhur me standardin dhe kostot e Tiranës, Spahiu pranon se i vetmi argument në favor të çmimeve të larta janë kostot e operimit në kryeqytet, si dhe përqindja e lartë e formalizimit. Gjithsesi sa më sipër nuk i justifikojnë çmimet “disproporcionalisht” të larta në Tiranë, duke treguar shenja të një “minikarteli”, i cili duhet të kërkojë urgjentisht vëmendjen e Autoritetit të Konkurrencës.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.