Tjetër “low cost” i shtrenjtë nga Tirana

30/06/2017 2:35 PM 0 komente

Tashmë në shërbim të turistëve është vendosur linja direkte me kryeqytetin çek, Pragën, por biletat nuk janë edhe aq ekonomike dhe mund t’u leverdisin turistëve çekë, por jo atyre shqiptarë.

Sipas të dhënave zyrtare të kompanisë SmartWings, bileta (vajtje-ardhje) me nisje më datë 6 korrik dhe kthim më datë 13 korrik kushton 320 euro. Edhe gjatë muajit gusht, çmimet e biletave janë në të njëjtin nivel.

Shqipëria është kthyer në destinacion për turistët çekë. Në vitin 2016, rreth 14.000 njerëz e vizituan vendin. Për këtë arsye, midis dy
kryeqyteteve është vendosur linja direkte e fluturimeve. Operatori çek SmartWings do të fluturojë dy herë në javë, çdo të hënë dhe të enjte, deri në shtator.

Më herët, agjencitë turistike shqiptare ofronin udhëtime për në Pragë me avion, kryesisht tranzit përmes Serbisë, ku e gjithë paketa, me avion dhe tre net qëndrim kushtonte më pak se 300 euro.

Interes nga turistët çekë

Sipas burimeve zyrtare të Tirana Airport Partners, Travel Service, kompania më e madhe ajrore çeke, operon udhëtime të rregullta nën markën e SmartWings. Do të ketë dy fluturime direkte në javë, të hënën dhe të enjten, thanë burimet, deri në fund të muajit shtator.
Shqipëria është kthyer në një destinacion shumë popullor për turistët çekë. Në vitin 2016, rreth 14.000 njerëz e vizituan vendin. Shumë turistë çekë udhëtojnë individualisht për të eksploruar jo vetëm bregdetin, por edhe malet shqiptare.

Aktualisht po punohet me të gjithë partnerët për ta promovuar Shqipërinë si një destinacion të dëshiruar. Qëllimi i përbashkët është vendosja e udhëtimeve të rregullta nga Praga në Tiranë dhe anasjellas gjatë gjithë vitit. Lidhja direkte do të kontribuojë edhe në rritjen e numrit të vizitorëve shqiptarë në Republikën Çeke.

Në Shqipëri u hapën dhe dy linja ajrore me kosto (jo) të ulëta këtë vit

Në mars, filluan fluturimet Wizz Air nga Tirana në Budapest dhe anasjellas dhe nga 10 maji, Transavia ofroi udhëtime direkt nga Tirana në Amsterdam dhe anasjellas. Por, ndryshe nga vendet e rajonit, ku një biletë vajtje-ardhje e gjen edhe 60 euro, në Shqipëri, edhe operatorët low cost ofrojnë bileta mesatarisht mbi 200 euro.
Nga Tirana në Budapest, janë dy data nisjeje dhe kthimi çdo javë, të mërkurën dhe të dielën. Bileta më e lirë që mund të gjesh në korrik është 145 euro (vajtje-ardhje).

Fluturimet me linjën Transavia për në Amsterdam, janë tre herë në javë, të hënën, të mërkurën dhe të premten. Në maj, udhëtimi më i lirë ishte më 17 maj, nisja nga Tirana dhe kthimi në datën 19 maj, ku bileta vajtje-ardhje kushtonin 86 euro. Në korrik, biletat shtrenjtohen ndjeshëm. P.sh., për vajtje në datën 21 korrik dhe kthim në datën 24 korrik, kushton 247 euro. Edhe në gusht janë po kaq të shtrenjta.
Transavia ofron dhe fluturime direkt drejt Parisit (Orly). Në qershor, bileta më e lirë vajtje-ardhje kushton 147 euro. Në korrik, çmimi shtrenjtohet ndjeshëm në 192 euro deri në 248 euro.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of