Tkurren fondet e investimit, shkak norma e ulët e interesit të lekut dhe rënia e euros

30/05/2019 10:04 AM 0 komente

“Fondet e investimit janë një alternativë e depozitave bankare ku qytetarët mund të përdorin kursimet e tyre, por normat e ulëta të interesit për lekun dhe rënia e euros në dy vitet e fundit ka bërë që ky treg të tkurret për 2018 më shumë se 9%, ose afro 66 milionë dollarë”, thotë Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare.

Në Shqipëri janë rreth 30 mijë klientë pjesa më e madhe individë që kanë futur paratë e tyre në 5 fonde investimi. Paratë  janë përdorur kryesisht për blerjen e Obligacione Qeveritare brenda dhe jashtë vendit.

“Po të shikojmë Banka e Shqipërisë në vite, ka mbajtur norma të ulëta në bazë dhe normalisht që norma e fitimit është e ulët. Normalisht kur individët kanë normë të ulët kthimi dhe kur të gjitha investimet janë obligacione dhe bonde qeveritare, është normale që qytetarët të shikojnë një alternativë tjetër investimi. E dyta është  edhe kursi i këmbimit”, tha Ervin Koçi, drejtor ekzekutiv i AMF-së.

Kjo rënie e aseteve mendohet të ketë ndodhur si rezultat i pranisë së një ambienti me norma të ulëta të interesit, sidomos në valutë të huaj. Kursi i këmbimit ka ndikuar në rënien e vlerës së aseteve

Fondet e investimeve janë institucione financiare, ku qytetarët mund të investojnë kursimet e tyre. Këto fonde mbikëqyren nga shteti përmes AMF-së dhe ofrojnë fitime më të larta për qytetarët se sa depozitat bankare apo bonot e thesarit. Por edhe rreziku është më i madh sepse investimi lidhet direkt me ecurinë e produktit në treg, që jo gjithmonë mund të jetë pozitive. Po ashtu ndryshe nga depozitat bankare, paratë e investuara në fondet e investimit nuk garantohen nga qeveria në rast të një krize të mundshme financiare.

Top Channel

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of