Tkurret sistemi financiar

15/10/2019 10:00 AM 0 komente
TEMA TE NGJASHME:

Ulet me 2.1 % pesha e sistemit financiar ndaj PBB-së, institucionet jo-bankare marrin pjesë nga bankat. Ulet teprica e kredisë dhe depozitat e jorezidientëve. Efekte edhe nga kursi i këmbimit. Ndikim ka dhënë dhe shkëputja e degës së Kosovës nga BKT

 

Banka e Shqipërisë ka raportuar rënien e aktiveve të sistemit financiar në raportin e fundit të stabilitetit. Sipas BSH, pesha e totalit të aktiveve të sistemit financiar ndaj  Prodhimit  të  Brendshëm  Bruto  (PBB)  ra  në  104.8%22,  nga  106.9%  në  fund  të  vitit  2018.

Banka qendrore sqaron se rënia e peshës së sistemit financiar reflekton tkurrjen e  aktiveve  të  sektorit  bankar  të  ardhur  si  pasojë  e  thyerjes  strukturore  të  të  dhënave.  Në  fund  të  periudhës, pesha e sektorit bankar ra në 93.6%, nga 96% në fund të vitit 2018. Ndikim ka dhënë dhe shkëputja e degës së Kosovës nga Banka Kombëtare Tregtare, që prej 1 janarit të këtij viti i raporton të dhënat e ndara.

Por ndryshe nga sektori bankar në Shqipëri po rritet pasha e sektorit jo-bankar. Institucionet financiare jo-bankare janë përfshirë në fushata agresive të kredidhënies për kredi konsumatore duke shfrytëzuar kushtet shtrënguese të bankave. Shpeshherë materialet publicitare të tyre njoftojnë kredi vetëm me ID ose pa interes për herën e parë, ndërsa në fakt normat efektive të këtyre kredive variojnë nga 60 në 80%.

Kjo strategji agresive e kredidhënies ka sjellë që pesha e sektorit jobankar të rritet në 11.2%, nga 10.7%, si rrjedhojë e zgjerimit të  veprimtarisë  së  institucioneve  financiare  jobanka  dhe fondeve të investimit. Treguesit e performancës së sistemit financiar, duke përfshirë ata të kapitalizimit, të  përfitueshmërisë,  të  likuiditetit  dhe  të  cilësisë  së  aktiveve, mbeten në nivele të mira.

 

Aktivet e bankave

Efekti i thyerjes strukturore ka ndikuar në rënien e aktiveve të sektorit bankar gjatë periudhës. Si rezultat, vlera e raportuar e aktiveve ra me rreth 30 miliardë lekë gjatë periudhës, duke arritur në rreth 1,420 miliardë lekë. Kontributin kryesor në rënien e aktiveve e ka dhënë tkurrja e investimeve në tituj dhe zvogëlimi i portofolit të kredisë për jorezidentët në valutë me nga 19 miliardë lekë. Nga të gjithë zërat e aktivit të sektorit bankar, kredia për jorezidentët është zëri që është prekur më tepër nga thyerja strukturore. Zgjerimi i investimeve ndërbankare në formën e llogarive rrjedhëse në institucione financiare, zbuti kontributin negativ të veprimeve me thesarin dhe ndërbankare. Pakësimi i fondeve rezervë përmirësoi ecurinë e aktiveve me rreth 4 miliardë lekë. Nëse do të korrigjohej për efektin e thyerjes strukturore, aktivi i sektorit bankar do të shënonte një rritje prej 1.3% gjatë periudhës dhe prej 2% në terma vjetorë.

 

 

Efekti i kursit të këmbimit

Mbiçmimi  i  lekut  ndaj  valutave  kryesore  ka  dhënë  një  efekt  neto  negativ në bilancin në valutë të sektorit bankar, por ky efekt ka pasur kahe të  ndryshme  në  dy  tremujorët  e  parë  të  vitit.  Kështu,  nënçmimi  i  lekut  gjatë  tremujorit të parë dhe mbiçmimi i tij gjatë tremujorit të dytë të vitit, ka bërë që efekti statistikor i kursit të këmbimit në vlerën e raportuar të bilancit valutor të sektorit bankar në secilin tremujor të ishte përkatësisht pozitiv (+15 mld lekë) dhe negativ (-18 mld lekë).

Në fund të periudhës, aktivet dhe pasivet në valutë të sektorit bankar zinin përkatësisht 52.4% dhe 51% të totalit të bilancit, dhe këto raporte kanë shënuar rënie të lehtë në krahasim me periudhat e kaluara. Në  anën  e  aktivit,  efekti  i  kursit  ka  qenë  më  i  fortë  në  veprimet  me  thesarin dhe  ato  ndërbankare  dhe  në  veprimet  me  klientët  (kredinë),  ndërsa  në  anën  e pasivit, pothuajse i gjithë efekti statistikor i kursit të këmbimit është reflektuar në kundërvlerën në lekë të depozitave në valutë.

Në krahasim me gjysmën e parë të vitit të kaluar, efekti i kursit të këmbimit ka qenë dukshëm më i vogël për shkak të ndryshimit të prirjes në ecurinë e monedhës euro ndaj monedhës vendase gjatë periudhës janar – mars të vitit 2019. Analiza në vijim duhet të interpretohet marrë në konsideratë edhe efektin statistikor të kursit të këmbimit në kundërvlerën në lekë të bilancit valutor të bankave.

 

Depozitat pakësohen të jo-rezidentëve

Depozitat  dhe  fondet  e  veta  vijojnë  të  përbëjnë  burimet  kryesore  të  financimit  të  veprimtarisë  së  sektorit  bankar,  duke  zënë  mbi  90%  të  totalit  të  pasivit  dhe  kjo  strukturë  nuk  a  shënuar  ndryshime  të  dukshme  gjatë  periudhës. Varësia  ndaj  burimeve  të  huaja  të  financimit  vijon  të  mbetet  e  kufizuar dhe ka shënuar rënie të mëtejshme gjatë periudhës. Si pasojë e efektit të thyerjes strukturore, detyrimet ndaj jorezidentëve në formën e depozitave të jorezidentëve  janë  pakësuar  dukshëm.  Në  të  njëjtën  kohë,  është  evidentuar  rënie edhe në portofolin e kredisë për jorezidentët, gjë që ka ndikuar në rënien e pozicionit kreditor neto të sektorit bankar.

 

Ulet kredia

Në  fund  të  periudhës,  teprica  e  kredisë  së  sektorit  bankar  rezultoi  rreth  562  miliardë  lekë.  Për  shkak  të  efektit  të  thyerjes  strukturore,  teprica  e  kredisë ishte 3.3% dhe 3.5% më pak në krahasim me gjashtë muaj dhe një vit më parë. Gjatë periudhës, mbështetur në ndryshimet mujore, ecuri veçanërisht e mirë është regjistruar në kredinë për individët, kredinë në lekë dhe kredinë afatgjatë, ndërkohë që kredia në valutë, ajo afatmesme dhe ajo afatshkurtër kanë  vijuar  të  tkurren.  Sipas  performancës,  klasat  e  kredive  me  rënien  më  të  madhe  ishin ato  të  kredive  performuese  (kreditë  “standarde“  dhe  ato  “në  ndjekje”).

 

 

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of