Ulet me 2.1 % pesha e sistemit financiar ndaj PBB-së, institucionet jo-bankare marrin pjesë nga bankat. Ulet teprica e kredisë dhe depozitat e jorezidientëve. Efekte edhe nga kursi i këmbimit. Ndikim ka dhënë dhe shkëputja e degës së Kosovës nga BKT
Banka e Shqipërisë ka raportuar rënien e aktiveve të sistemit financiar në raportin e fundit të stabilitetit. Sipas BSH, pesha e totalit të aktiveve të sistemit financiar ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) ra në 104.8%22, nga 106.9% në fund të vitit 2018.
Banka qendrore sqaron se rënia e peshës së sistemit financiar reflekton tkurrjen e aktiveve të sektorit bankar të ardhur si pasojë e thyerjes strukturore të të dhënave. Në fund të periudhës, pesha e sektorit bankar ra në 93.6%, nga 96% në fund të vitit 2018. Ndikim ka dhënë dhe shkëputja e degës së Kosovës nga Banka Kombëtare Tregtare, që prej 1 janarit të këtij viti i raporton të dhënat e ndara.
Por ndryshe nga sektori bankar në Shqipëri po rritet pasha e sektorit jo-bankar. Institucionet financiare jo-bankare janë përfshirë në fushata agresive të kredidhënies për kredi konsumatore duke shfrytëzuar kushtet shtrënguese të bankave. Shpeshherë materialet publicitare të tyre njoftojnë kredi vetëm me ID ose pa interes për herën e parë, ndërsa në fakt normat efektive të këtyre kredive variojnë nga 60 në 80%.
Kjo strategji agresive e kredidhënies ka sjellë që pesha e sektorit jobankar të rritet në 11.2%, nga 10.7%, si rrjedhojë e zgjerimit të veprimtarisë së institucioneve financiare jobanka dhe fondeve të investimit. Treguesit e performancës së sistemit financiar, duke përfshirë ata të kapitalizimit, të përfitueshmërisë, të likuiditetit dhe të cilësisë së aktiveve, mbeten në nivele të mira.
Aktivet e bankave
Efekti i thyerjes strukturore ka ndikuar në rënien e aktiveve të sektorit bankar gjatë periudhës. Si rezultat, vlera e raportuar e aktiveve ra me rreth 30 miliardë lekë gjatë periudhës, duke arritur në rreth 1,420 miliardë lekë. Kontributin kryesor në rënien e aktiveve e ka dhënë tkurrja e investimeve në tituj dhe zvogëlimi i portofolit të kredisë për jorezidentët në valutë me nga 19 miliardë lekë. Nga të gjithë zërat e aktivit të sektorit bankar, kredia për jorezidentët është zëri që është prekur më tepër nga thyerja strukturore. Zgjerimi i investimeve ndërbankare në formën e llogarive rrjedhëse në institucione financiare, zbuti kontributin negativ të veprimeve me thesarin dhe ndërbankare. Pakësimi i fondeve rezervë përmirësoi ecurinë e aktiveve me rreth 4 miliardë lekë. Nëse do të korrigjohej për efektin e thyerjes strukturore, aktivi i sektorit bankar do të shënonte një rritje prej 1.3% gjatë periudhës dhe prej 2% në terma vjetorë.
Efekti i kursit të këmbimit
Mbiçmimi i lekut ndaj valutave kryesore ka dhënë një efekt neto negativ në bilancin në valutë të sektorit bankar, por ky efekt ka pasur kahe të ndryshme në dy tremujorët e parë të vitit. Kështu, nënçmimi i lekut gjatë tremujorit të parë dhe mbiçmimi i tij gjatë tremujorit të dytë të vitit, ka bërë që efekti statistikor i kursit të këmbimit në vlerën e raportuar të bilancit valutor të sektorit bankar në secilin tremujor të ishte përkatësisht pozitiv (+15 mld lekë) dhe negativ (-18 mld lekë).
Në fund të periudhës, aktivet dhe pasivet në valutë të sektorit bankar zinin përkatësisht 52.4% dhe 51% të totalit të bilancit, dhe këto raporte kanë shënuar rënie të lehtë në krahasim me periudhat e kaluara. Në anën e aktivit, efekti i kursit ka qenë më i fortë në veprimet me thesarin dhe ato ndërbankare dhe në veprimet me klientët (kredinë), ndërsa në anën e pasivit, pothuajse i gjithë efekti statistikor i kursit të këmbimit është reflektuar në kundërvlerën në lekë të depozitave në valutë.
Në krahasim me gjysmën e parë të vitit të kaluar, efekti i kursit të këmbimit ka qenë dukshëm më i vogël për shkak të ndryshimit të prirjes në ecurinë e monedhës euro ndaj monedhës vendase gjatë periudhës janar – mars të vitit 2019. Analiza në vijim duhet të interpretohet marrë në konsideratë edhe efektin statistikor të kursit të këmbimit në kundërvlerën në lekë të bilancit valutor të bankave.
Depozitat pakësohen të jo-rezidentëve
Depozitat dhe fondet e veta vijojnë të përbëjnë burimet kryesore të financimit të veprimtarisë së sektorit bankar, duke zënë mbi 90% të totalit të pasivit dhe kjo strukturë nuk a shënuar ndryshime të dukshme gjatë periudhës. Varësia ndaj burimeve të huaja të financimit vijon të mbetet e kufizuar dhe ka shënuar rënie të mëtejshme gjatë periudhës. Si pasojë e efektit të thyerjes strukturore, detyrimet ndaj jorezidentëve në formën e depozitave të jorezidentëve janë pakësuar dukshëm. Në të njëjtën kohë, është evidentuar rënie edhe në portofolin e kredisë për jorezidentët, gjë që ka ndikuar në rënien e pozicionit kreditor neto të sektorit bankar.
Ulet kredia
Në fund të periudhës, teprica e kredisë së sektorit bankar rezultoi rreth 562 miliardë lekë. Për shkak të efektit të thyerjes strukturore, teprica e kredisë ishte 3.3% dhe 3.5% më pak në krahasim me gjashtë muaj dhe një vit më parë. Gjatë periudhës, mbështetur në ndryshimet mujore, ecuri veçanërisht e mirë është regjistruar në kredinë për individët, kredinë në lekë dhe kredinë afatgjatë, ndërkohë që kredia në valutë, ajo afatmesme dhe ajo afatshkurtër kanë vijuar të tkurren. Sipas performancës, klasat e kredive me rënien më të madhe ishin ato të kredive performuese (kreditë “standarde“ dhe ato “në ndjekje”).
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.