Tkurret tregu i fluturimeve nga koronavirusi, sa do të jenë efektet në të ardhura

27/03/2020 6:51 PM 0 komente

“Shifra është e konsiderueshme, do të mbartet për një periudhë më shumë se 1 -vjeçare”

 

Emergjenca e krijuar në vend për shkak të shtimit të rasteve me koronavis, po jep efekte edhe tek industria e aviacionit. Janë 18 kompani fluturimesh që operojnë në vend dhe për shkak të pezullimit të fluturimeve me Italinë e Veriut, këtij sektori do t’u mungojnë rreth 20 milionë euro në muaj të ardhura.

Administratorja e kompanisë të fluturimeve “Albawings”, Etleva Hoxha, në intervistën për “Monitor” tha se për shkak të kësaj mase, numri i udhëtarëve do të ulet me 37 mijë pasagjerë në javë, apo rreth 160 mijë pasagjerë më pak në muaj. Zonja Hoxha thotë se efektet në të ardhura të munguara do të mbarten për një periudhë mbi 1-vjeçare në këtë industri.

Pas marrjes së masës për pezullim të fluturimeve me Italinë e Veriut për shkak të situatës së krijuar nga koronavirusi, ju si kompani a keni bërë disa llogaritje se sa është ndikimi në sektorin tuaj?

Në tregun e fluturimeve në Shqipëri operojnë 18 kompani ajrore, të cilat realizojnë fluturime direkte në 30 destinacione, nga Tirana, kryesisht drejt vendeve të Europës. Për periudhën mars-prill ka një qarkullim prej 250 mijë pasagjerësh në muaj.

Në javën e fundit u përballëm me bllokimin e fluturimeve me Italinë. Vetëm ky shtet mban 60% të peshës direkte të fluturimeve të pasagjerëve që realizohen nga aeroporti i Tiranës. E përkthyer në numra, në qoftë se do të jemi optimistë dhe të shpresojmë që kjo situatë do të zgjasë vetëm për periudhën mars-prill të vitit 2020, e cila nuk është periudhë piku e industrisë të aviacionit, lëvizja kufizohet për rreth 37 mijë pasagjerë në javë, apo 160 mijë pasagjerë më pak çdo muaj, që do të qarkullojnë drejt destinacioneve italiane vajtje – ardhje.

Këto janë shifra të përkthyera në muaj me Italinë. Për sa u përket destinacioneve të tjera, parashikimi i fluksit është 250 mijë deri në 300 mijë pasagjerë në total që hyjnë e dalin me vendin tonë. Si pasojë e efektit në destinacionet e Italisë, mund të them se tregu i fluturimeve do të tkurret me rreth 37 mijë pasagjerë në javë.

Kompanitë ajrore, të cilat realizojnë fluturime direkte me Italinë, do të preken në të ardhura të munguara në pasqyrat e tyre financiare, rreth 18 milionë deri në 20 milionë euro. Shifra është e konsiderueshme dhe me shumë mundësi që efektet e saj do t’i mbartë për një periudhë më shumë se 1-vjeçare.

Ju shpreheni se të ardhurat e munguara janë vetëm për shkak të bllokimit të fluturimeve me Italinë, po me destinacionet e tjera, si do të operohet? Si po veprohet me Gjermaninë ku ju keni nxjerrë së fundmi edhe ofertë për fluturimet?

Aktualisht po operojmë me fluturimet me Gjermaninë dhe me Anglinë, të cilat janë të skeduluara në muajin qershor, kjo sidomos tek Anglia. Ndërsa Gjermania, për momentin po vijon. Nëse situata do të përkeqësohet edhe në shtetet e tjera, do të komunikojmë shkëputjen e fluturimeve.

Para se të ndodhte bllokimi i fluturimeve, shumë qytetarë kishin rezervuar biletat, si do të veprohet për ta?

Nëse flasim për kompaninë që unë përfaqësoj “Albawings” që në momentin e parë që morëm udhëzimet finale, se çfarë po ndodhte me fluturimet, shtuam burimet njerëzore për kujdesin e klientit. Të gjithë pasagjerët po kontaktohen personalisht për t’iu njohur e drejta e biletës të tyre të pashpenzuar, duke iu dhënë mundësinë e përdorimit të kësaj bilete për një periudhë të pacaktuar që pas datës të bllokimit të fluturimeve.

Kjo masë do të shoqërohet pa penalitete dhe pa limite kohore. Ajo çfarë ne kemi menduar për t’u ardhur më shumë në ndihmë të gjithë klientëve tanë është edhe mundësia e transferimit të biletës të tyre. Secili nga këta pasagjerë që ka rezervuar në “Albawings”, biletën mund ta përdorë, për një të afërm, mik apo për këdo që ata mendojnë, pa i limituar që duhet të jenë ata vetë personat që duhet të udhëtojnë në fluturimet e ardhshme.

Si veprohet në këto raste, çfarë masash do të marrin kompanitë e fluturimeve për të amortizuar efektin nga të ardhurat e munguara?

Siç e përmenda edhe më lart, efekti i këtyre masave do të jetë i shtrirë në kohë. Parashikojmë që efekti të shtrihet 1 deri në 2 vjet. Kompanitë ajrore marrin masa drastike. Fillimisht në këtë situatë, kompanitë reduktojnë skedulet e fluturimeve, pasi avionët fluturojnë nënkapacitet për të përballuar kostot variabël të shoqërisë. Pas kësaj vjen edhe strategjia e kompanive për të reduktuar kostot e tjera fikse aq sa ato munden, si negociatat me furnizuesit e shërbimeve të tyre për ulje të çmimeve, deri sa situata të kthehet në normalitet.

Cilët sektorë të tjerë janë të prekur në industrinë e aviacionit?

Në Shqipëri, tregu për fat të keq nuk njeh një zhvillim të jashtëzakonshëm të industrisë të aviacionit, agjencitë luajnë një rol të rëndësishëm në shpërndarjen e produktit tonë. Në të gjithë vendin numërohen 950 agjenci, ku 300 prej tyre janë të vendosura në Tiranë. Edhe këto do të preken, pasi bllokohen të gjitha shërbimet që ato ofrojnë për pasagjerët, por edhe të ardhurat e tyre që gjenerojnë nga komisionet që ato vendosin për çdo biletë mbi çmimin e kompanisë ajrore.

Pesha e transportit ajror është rreth 2% në Prodhimin e Brendshëm Bruto. Në krahasim me vendet e tjera, sa është pesha e këtij aktiviteti në PBB?

Transporti ajror dhe industria e aviacionit, në përgjithësi, në shifra mesatare, në vendet e zhvilluara zë 3.5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto të çdo vendi. Përkthyer në shifra, sipas IATA-s, shoqata ndërkombëtare e transportit ajror, parashikohet që humbjet të jenë rreth 116 miliardë dollarë, apo 10-fishi i PBB-së të vendit tonë, që do të përballohet nga kompanitë ajrore. Shifra është e lartë por shpresohet që kjo periudhë do të jetë kalimtare dhe humbja të gjenerohet në vitet e ardhshme.

Nga operatorët turistikë kemi marrë të dhëna se ka anulim 90% të biletave për periudhën e verës. Po tani çfarë do të ndodhë?

Impakti i panikut dhe i stepjes të të gjithë pasagjerëve, të turistëve për të vizituar vendet nuk do të jetë vetëm për Shqipërinë, por një indikator që do të zhvillohet për të gjitha vendet në botë. Ende nuk mund të dalim me një shifër ekzakte se sa është impakti në tregun shqiptar, kjo mbetet për t’u studiuar.

A po shqyrtoni mundësinë e aplikimit të punës të zgjuar për punonjësit?

Pa dyshim që po. Ne jemi mbledhur për shqyrtimin e mënyrave se si të bëhemi efektivë në këtë situatë që jemi dhe smart work është një opsion që do ta marrim në konsideratë.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of