Tkurrja e ekonomisë gjermane

30/08/2019 10:02 PM 0 komente

Retë e zeza prej kohësh mbulojnë ekonominë gjermane, dhe në momentin kur ajo mori goditjen e fortë, askush nuk u befasua, shkruan The Economist.

Pas disa javësh të tëra sondazhesh të përsëritura dhe analizim të dhënash mbi industrinë prodhuese, të cilat nxorën në pah gjendjen alarmante të kësaj situate, të dhënat e publikuara se PBB-ja e Gjermanisë ishte tkurrur në 0.1% në tremujorin e dytë të këtij viti, krahasuar me tre muajt e mëparshëm, nuk befasuan askënd.

Gjatë vitit të kaluar, ekonomia gjermane ka qenë kryesisht e sheshtë. Shpenzimet për familjet gjermane, të mbështetura nga rritja e pagave, kanë shënuar gjithashtu rritje, por rënia në industrinë prodhuese, e cila përfaqëson mbi një të pestën e prodhimit po thellohet. Përballë kësaj situate, kompani të ndryshme janë detyruar që të reduktojnë orët e punës. Ndërkohë fakti që shumë analistë mendojnë se Gjermania po shkon drejt recesionit ka shkaktuar debate të shumta.

Së pari, problemet e Gjermanisë e kanë zanafillën brenda vendit apo janë të shkaktuara nga faktorë të jashtëm? Një rënie prej 8% e eksporteve nga viti në vit, duket se është një prej faktorëve kryesorë të këtij ngadalësimi. Ndërsa pasiguria e shkaktuar nga lufta tregtare SHBA-Kinë dhe perspektiva e daljes së Britanisë nga BE pa një marrëveshje janë faktorë që nuk varen aspak nga qeveria e Angela Merkel. Kërkesa për produktet gjermane në Kinë po ngadalësohet. Gjermania do të goditet rëndë nëse Donald Trump do të vazhdojë me bindje të plotë të realizojë kërcënimin për të hequr tarifat për importet e makinave, që pritet të përfundohet gjatë këtij viti.

Megjithatë, kjo është vetëm pjesa e parë e këtij tregimi të zymtë. Prej kohësh, analistët i kanë sugjeruar dhe i kanë kërkuar Gjermanisë që ajo duhet të shkëputet nga varësia e saj ndaj eksporteve. Pavarësisht një ribalancimi të butë, suficiti i llogarisë korrente qëndron në nivelin e lartë prej 7.4% të PBB-së, në ekonominë e katërt më të madhe në botë. E ndikuar nga qeveria, industria e prodhimit të automjeteve, e cila përfaqëson suficitin më të madh tregtar në krahasim me çdo sektor tjetër të eksportit, ka qenë shumë e ngadaltë për t’u përshtatur me zhvillimin e makinave elektrike apo atyre me vetëdrejtim.

Politikanët, duke filluar që nga znj. Merkel, kanë bërë shumë pak për ta përgatitur popullsinë gjermane (e cila po shkon drejt plakjes) për të përballuar më së miri sfida si dixhitalizimi. Pothuajse të gjitha ekonomitë e Eurozonës po përballen me vështirësi të ndryshme, por deri më tani ekonomia gjermane ka qenë ajo që është tkurrur në tremujorin e kaluar. Çështja e dytë, e cila po diskutohet këto ditë, është ajo rreth largimit të palëkundur të qeverisë gjermane ndaj huamarrjes.

“Frena e borxhit”, e parashikuar në Kushtetutë që nga viti 2009, përjashton huamarrjen për të financuar deficitin strukturor përtej 0.35% të PBB-së. Edhe sipas një angazhimi të ngjashëm politik, atij të shwarze Null (një prej objektivave të qeverisë gjermane për të mos pasur asnjë borxh të ri në bilancin shtetëror) premtohej një buxhet i ekuilibruar për shpenzimet aktuale.

Kjo ka siguruar një nivel të ulët të borxhit dhe që nga viti 2014, një suficit, i cili vitin e kaluar arriti në 1.7% të PBB-së, ose 58 miliardë euro (66 miliardë dollarë amerikanë). Kështu, Gjermania ka qenë në gjendje që të rrisë shpenzimet për infrastrukturën, sigurimet shoqërore dhe mbrojtjen, pa pasur nevojë për huamarrje shtesë. Megjithatë, teksa ekonomia më e madhe e Eurozonës po tkurret, debati rreth politikave të borxheve po merr jetë. Deri më tani, qeveria ka qenë e palëkundur. Por sipas Sebastian Dullien, drejtor i Institutit Kërkimor IMK në Dyseldorf, presioni i situatës do të rritet.

Kohët e fundit, Reuters raportoi se një paketë për ndryshimin e klimës që pritet të ndodhë muajin e ardhshëm mund të përfshijë edhe marrëveshjen për një huamarrje të mundshme. Këtë javë, znj. Merkel tha që angazhimi i saj për një buxhet të ekuilibruar mbetet i paprekur, por shtoi se qeveria gjermane do të reagojë në varësi të situatës. Brenda Ministrisë së Financave po zhvillohet një debat i zjarrtë mbi një rritje të mundshme apo jo të investimeve, edhe pse vetë ministri, z. Scholz, po mundohet të tregohet i kujdesshëm, për të shmangur një zhgënjim të mundshëm ndaj Partisë së tij Social Demokrate (partneri i ri i koalicionit të Kristian-Demokratëve të znj. Merkel).

Ndërkohë, jashtë qeverisë, të Gjelbrit po kërkojnë një rritje masive të investimeve në mbrojtje të klimës. Sipas kryetarit të kësaj partie, tha Robert Habeck, rregullat buxhetore të qeverisë janë “politika fiskale vudu”. Por një vrull afatshkurtër i shpenzimeve, do të shkaktonte probleme në fusha si ndërtimi, argumenton znj. Merkel.

Dhe as nuk do të ndikonte në zvogëlimin e pasigurive me të cilat po përballen firmat gjermane. Prandaj, disa analistë shprehen se qeveria duhet të ketë një angazhim më të besueshëm, ndoshta një që të shkojë përtej partive, për të krijuar një fond që do të disbursonte qindra miliarda euro në dekadën e ardhshme. Objektivat e mundshme përfshijnë infrastrukturën e transportit, rrjetet broadband, ndërtimin e shtëpive dhe ndihmën për qeveritë lokale që po luftojnë për të ecur përpara edhe pse me një peshë të rëndë të borxhit mbi supe.

Idetë e tjera përfshijnë reduktimin e taksave për punëtorët gjermanë me pagë të ulët apo për korporatat në të cilat ata punojnë, si dhe prezantimin e stimujve për politika në mbrojtje të klimës, si ndërtimet ekologjike apo karburanti i pastër. Interesat e obligacioneve qeveritare 30-vjeçare janë negative, që do të thotë se investitorët e paguajnë qeverinë për privilegjin e huamarrjes të parave.

Ulja e taksave me kalimin e kohës, investimet në infrastrukturë do të ndihmojnë në ribalancimin e ekonomisë gjermane, të paktën sa u takon eksporteve. Znj. Merkel, edhe pse në mandatin e saj të fundit si Kancelarja e Gjermanisë, mund të arrijë të përballojë me sukses edhe këtë sfidë të radhës, ashtu siç ajo ia ka dalë mbanë edhe në të kaluarën. Megjithatë një tronditje ekonomike mund të rezultojë të përkeqësohet në vazhdim.

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of