Toka e kripur, që po kthehet në “ar”

19/06/2019 12:29 PM 0 komente

Diku, në lagunën e Karavastasë, gjenden me mijëra hektarë tokë djerrë, sepse kripësia nuk toleron rritjen e bimëve. Por, një sistem i ri i konsultuar me izraelitët dhe i çuar në fund nga sipërmarrës shqiptarë, po e kthen këtë tokë në “ar”, teksa po lulëzojnë parcelat e para me shegë dhe goji berry. Grupi Agro Iliria po zhvillon një plan investimi për një nga fermat më të mëdha në Europë, që përfshin 1100 hektarë për rritjen e shegës, goji berry-t, një hapësirë për agroturizëm dhe një fushë golfi. Investimi fillestar është 6.6 milionë euro por pritet të rritet. Si u kalua nga ndërtimi në bujqësi…

 

Nga Nertila Maho

“Të hënën dhe të martën më gjeni këtu, për të mërkurën flasim se ndoshta më duhet të lëviz pak për në Tiranë, por do të kthehem shpejt në plantacion”, – dëgjojmë në anën tjetër të telefonit. Kjo është jeta e Shpëtim Osekut, administratorit të grupit Agro Iliria që, në tre vitet e fundit, ndahet mes Tiranës dhe Divjakës, në fermën më të madhe me shegë dhe goji berry në vend. Mungesa e tabelave të sakta dhe rrugëve dytësore me disa opsione do të na e bënte të vështirë që të arrinim saktësisht aty ku ishte plantacioni, por për fat të mirë nuk kishim lënë orar që të na duhej të ishim nën presionin e kohës.

Një vendndodhje (koordinata në hartë) e dërguar në WhatsApp e zgjedh fare lehtë këtë problem. Për herë të parë, për fermën që do të ndërtonte grupi Agro Iliria”, dëgjuam kur nga Këshilli i Investimeve Strategjike në fillim të vitit 2018 do të miratohej statusi i investitorit strategjik. E nga ai moment e deri më sot mund të flitet me fakte konkrete, kompania po nxjerr në treg prodhimin e parë të goji berry për këtë vit, kurse shegët priten diku nga tetori. Është pikërisht kjo arsyeja pse u nxitëm që të vizitonim plantacionin. Jo në pak raste, disa investime me status strategjik kanë mbetur në letër por, në këtë rast, mund të shohësh sesi ka marrë jetë një i tillë, edhe pse ende në fillim të rrugëtimit. Një orë e dyzetë minuta, pasi jemi nisur nga Tirana ndodhemi në hyrje të plantacionit.

Përpara se të arrish në këtë zonë të duhet të përshkosh pjesën më të madhe të tokave pjellore të Myzeqesë, apo “hambarin” e famshëm të Shqipërisë por, në fakt, ajo që vë re është mbjellja e parcelave të vogla me lloj-soj kulturash, nuk ka asnjë harmonizim mes tyre. Ky është një tregues për fazën ku ndodhet ende sot bujqësia jonë, që më shumë është e mbijetesës sesa e biznesit.

Në fillim të plantacionit shohim një tabelë të madhe që na lajmëron se po hyjmë në territorin e tij. Një gjysmë kodrinë e ngritur artificialisht të pengonte të krijoje idenë e asaj çka do të gjeje përballë. Janë parcela të tëra, të ndara nga njëra-tjetra, të lulëzuara, dhe estetikisht të bukura për syrin, me një rregullsi të habitshme. Në kapanonin ngritur në hyrje të plantacionit gjejmë Shpëtim Osekun, duke ndarë detyrat për djemtë që punojnë aty. “A doni t’u hedhim një sy parcelave dhe pastaj flasim për detajet”, – na thotë. Pasi akomodohemi në një makinë të lartë, nisim edhe vizitën në fermë.

 

Shpëtim Oseku, administratori i “Agro Iliria”

Ferma do të jetë 1100 hektarë, fillimisht shegë dhe goji berry

“Ne duam që të kemi fermën më të madhe në Europë. Sot kemi të mbjella vetëm tetë parcela, nga të cilat shtatë janë me shegë dhe një me goji berry. Në total janë mbjellë diku te 100 hektarë, por ne presim që deri në fund të investimit që kemi planifikuar, hapësira e fermës të jetë 1100 hektarë. Sigurisht do të duhen disa vite për ta zbatuar atë” – shprehet Oseku.

Ai na sqaron se duhen minimalisht 46 mijë rrënje goji berry për 10 hektarë dhe 42 mijë rrënjë shegë për të njëjtën hapësirë. Për të dyja këto, kompania arrin t’i sigurojë fidanët vetë tashmë dhe këtë e vumë re në mjediset e jashtme të kapanonit ku më së shumti kishte goji berry në vazo. Si shega ashtu edhe goji berry janë marrë nga Izraeli. Ky i fundit njihet për një industri të zhvilluar që ka në epiqendër shegën dhe po kështu është një nga eksportuesit më të mëdhenj në tregje të pasura me kthim të lartë fitimi, si Rusia apo Gjermania.

Administratori i Agro Iliria” na sqaron se varieteti që është zgjedhur për t’u kultivuar është Aco i cili njihet për një prodhim më të hershëm sesa varietetet e tjera. Edhe goji berry është një varietet i marrë nga Izraeli. Çmenduria për frutën e vogël në ngjyrë të kuqe nisi në tregje në vitin 2015 pas një marketimi të gjerë të përfitimeve shëndetësore që kishte kjo e fundit. Izraeli lëshoi gjithë potencialin e tij për të furnizuar kërkesën e madhe që hasi lidhur me këtë frutë, por vit pas viti kërkesa është rritur më shumë sesa vetë prodhimi. Në vitet 2015, një kilogram goji berry e cilësisë së parë do të shitej për 50 dollarë në tregjet botërore. Sot, çmimi ka rënë disi, falë edhe një orientimi më të madh drejt kultivimit të saj. Në tregun shqiptar, 100 gramë goji berry të paketuara në kuti plastike në markete mund t’i gjesh për 300 lekë.

“Ne nuk kemi kontrata paraprake as për goji berry dhe as për shegën, sepse, sikurse dihet, në bujqësi asgjë nuk është e sigurt. Këtë vit, goji berry vonoi pak, pasi kishim të paktën 8 javë shi, ndërkohë që ajo do kohë të ngrohtë që të mbyllë ciklin e saj dhe të bëhet për vjelje. Pavarësisht kësaj, ne nuk kemi probleme me gjetjen e tregut, pasi si shega edhe goji berry janë të kërkuara në tregje. Ajo që ne synojmë janë tregjet europiane”, – shprehet Oseku.

Cikli i jetës, si për shegën, edhe për goji berry-n, llogaritet në 30 vjet. Pas vitit të 25-të, ato kanë arritur potencialin e tyre dhe bëhet zëvendësimi gradual në parcela për të siguruar vijimin e prodhimit. Deri në fund të investimit, Agro Iliria synon që në plantacionin me 1100 hektarë të ketë të paktën 700 hektarë me shegë dhe pjesën tjetër ta ketë të kombinuar.

 

Goji Berry, bima me veti të larta kurative dhe antioksiduese

Si u kthye toka e kripur ku nuk rritej asgjë në një tokë pjellore

Në prill të vitit të kaluar, Këshilli i Investimeve Strategjike i dha Agro Ilirisë statusin e investitorit strategjik për një vlerë fillestare investimi 6.6 milionë euro. Bëhej fjalë për një hapësirë fillestare prej 800 hektarësh, ku kompania kishte aplikuar dhe përfituar tokën me kontratën 1 euro, për ta shfrytëzuar për 99 vjet. Por, pse u zgjodh pikërisht hapësira në zonën e Karavastasë së Re.

“Për një plan biznesi si ky duhej një hapësirë e madhe toke, pa konflikte pronësie dhe me shtrirje uniforme. Të tillë në gjithë Myzeqenë nuk ke mundësi ta gjesh. Ndarja e bërë me ligjin 7501 e ka copëzuar në atë gradë tokën sa parcelat nuk shkojnë më shumë se disa hektarë. Kjo tokë kishte mbetur e pashfrytëzuar, sepse niveli i kripësisë ishte në atë masë sa që nuk e toleron shumica e bimëve. Nuk e di nëse jam i saktë, por treguesi i kripësisë ishte 8000, ndërsa deti vetë e ka 40 000. Sot, në pjesën ku kemi shegët dhe gojin, treguesi i kripësisë ka zbritur në 1500-2000. Kemi një sistem të veçantë që e ka siguruar këtë nivel.

Baula (struktura ku janë vendosur pemët) është 70 centimetra e lartë dhe e pajisur me ujë të kondensuar gjithë jetën, çka bën shpëlarjen apo largimin e kripës. Ne kemi ndërtuar një liqen për ujitje me kapacitet 250 mijë m³ ujë. Përmes atij, bëjmë edhe ujitjen me sistemin që kemi ndërtuar”, shpjegon Oseku.

Ky sistem, sipas tij, është tërësisht një risi në Shqipëri dhe për këtë është konsultuar me një ekspert nga Izraeli. Hap pas hapi, sistemi iu është përshtatur kushteve të Shqipërisë dhe po rezulton i suksesshëm. Këtë mund ta shohësh qartësisht teksa në plantacionin ku lulëzojnë shegët dhe goji berry-t duket gjithçka normale kurse në plantacionin ngjitur, ku ende nuk ka nisur puna, mund të shquash vetëm një bimësi të rrallë, tipike për tokat e kripura dhe që shumë shpejt do të marrë trajtën kafe, nën veprimin e kripës dhe temperaturave të larta. Kripën mund ta shohësh qartësisht, edhe në hapësirat nga njëri rresht në tjetrin mes shegëve dhe goji berry-t.
Përpara se të vendosej për bimët që mund të duronin kripësinë, grupi Agro Iliria mori në studim disa opsione dhe vendosi që në finale mes fikut, karçofit, shegës dhe goji berry-t të zgjidhte dy të fundit, për të zhvilluar planin e saj.

 

Vështirësia për krah pune dhe certifikimi i produkteve

Nuk është hera e parë që bizneset ankohen për krahun e punës. Bujqësia duket se nuk bën përjashtim. Në fermën e grupit Agro Iliria janë të punësuar me kontratë me kohë të plotë 30 punonjës, ndërsa në kohën kur nis vjelja, punësohen edhe 70 të tjerë, me kontratë sezonale. Paga mesatare, sipas Osekut, për punonjësit me kontratë të plotë luhatet diku tek 45 mijë lekë pak a shumë, por edhe pse me këtë nivel, vështirësia për të gjetur punëtorë mbetet e madhe.

“E kemi shumë të vështirë për të gjetur punonjës, sidomos kur kemi kohën e vjeljes dhe na duhen më shumë njerëz. Kjo është e vështirë, sepse vetë fshati i sotshëm është organizuar në mënyrë të tillë që s’ka krah pune. Ata që janë, punojnë tek toka e tyre. Pjesa tjetër janë pjesërisht në fshat sepse një kohë tjetër e kalojnë në qytet, pastaj është edhe ideja që jo të gjithë preferojnë këtë lloj pune. Arsyeja tjetër është emigracioni, ku të rinjtë preferojnë të ikin jashtë” – shprehet Oseku. Në potencialin e saj të zgjerimit me 1100 hektarë, punësimi që do të mundësojë ferma do të jetë për të paktën 1600 punonjës.

Teksa afrohemi te kapanoni, pasi kemi parë disa prej parcelave, ai na drejton për te magazina ngjitur. “Gjithçka që prodhohet në fermë është bio. Pra nuk ka përdorim të plehrave kimikë. Ne kemi të shtruar 250 kilometra tubacione të shpërndara në plantacion dhe uji që vjen nga rezervuari që kemi ngritur përzihet me fertilizuesin organik dhe më pas shpërndahet në mënyrë organike te parcelat. Sot ne kemi të certifikuar në Spanjë si “bio” goji berry-n dhe me Global Gap shegën.

 

Kisha pranë së cilës kompania pritet të zhvillojë agruturizëm, do të ndërtojë një manastir, fushë golfi dhe një vend parkimi për 200 kampera

Planet për një agroturizëm dhe një fushë golfi

Kur flasim për 1100 hektarë, të para nga lartësia më e madhe që mund të të ofrojë Karavastaja, që është një kodrinë e vogël e sajuar disa metra e lartë dhe ku ndodhet rezervuari i plantacionit, të duket një hapësirë gjigante. Orientimet e vetme që mund të marrësh janë me ndërtesa vetmitare që mund të shquhen aq larg, ose me kreshta pyjesh, të cilat tregojnë se ndoshta kripësia e detit bie aty. Por, në të gjithë këtë hapësirë, grupi Agro Iliria ka vendosur që të ketë një miks të ofertës së saj. Nuk do të jetë vetëm një prodhues i shegëve dhe goji berry-t.

“Ne duam që të paktën 140 hektarë të fermës të jenë agroturizëm. Nuk duam një model të rëndomtë agroturizmi, ku ti shkon, ha produkte tipike dhe largohesh. Duam që të ofrojmë një përvojë të veçantë sesi është të jetosh në fshat. Brenda kësaj hapësire do të ngrihen stalla për kuaj, lopë, dele. Do të krijohet një hapësirë e dedikuar, ku të mund të vendosen 200 rulo me turistë, që do të duan të qëndrojnë”, shprehet Oseku.

Në zemër të fermës, qëndron edhe një kishë, rrethuar me qiparis, që është si një oaz i gjelbër në zemër të së gjithë tokës së kripur, ku bimësia nuk arrin më shumë se disa centimetra. Pikërisht kjo do të jetë edhe zona ku do të zhvillohet pjesa e agroturizmit, sigurisht e distancuar nga kisha, e cila sikurse na shpjegon Shpëtim Oseku, do të ruhet në gjithë vlerat e saj dhe do të restaurohet. Ai na tregon se, sipas gojëdhënave të zonës, thuhet se në atë kishë është e vetmja zonë me ujë të ëmbël, çka mbështetet edhe nga fakti që kemi pemë që kanë mbijetuar dhe rritur në kushtet e kripësisë ekstreme që rrethon zonën.

Një tjetër investim që do të bëhet në këtë zonë është një fushë golfi. Jo të pakta janë rastet kur Shqipëria është lakuar si një destinacion ku mund të zhvillohet ky lloj turizmi, nëpërmjet investimeve të kësaj natyre, por deri më tani nuk ka pasur ndonjë investim domethënës. Oseku thekson se, këtë herë, nuk do të mbetet vetëm plan, të paktën agroturizmi pritet të nisë në fund të këtij viti ose në fillim të vitit tjetër, kjo do të varet nga kushtet, por hyn te planet afatshkurtra.

 

Ëndrra për industrinë farmaceutike ose kozmetike

Goji berry është një nga frutat që njihet si një “bombë” antioksiduese duke lënë pas fruta të tjera që dikur mbanin këtë fron prej dekadash, apo shekujsh. Edhe për shegën mjafton që të klikosh në internet për të kuptuar dhjetëra vetitë që i numërohen dhe kontributin pozitiv që mund të japë konsumi i saj. Administratori Oseku na tregon se dëshira e tij e madhe është që produktet që prodhohen nga Agro Iliria të jenë pjesë e industrisë farmaceutike.

“Ne duam që këtë industri, në bashkëpunim me aktorë të njohur në këtë treg, ta kemi këtu në Shqipëri. Nuk do të donim që të eksportonim për këtë qëllim por të ishim pjesë e ngritjes së saj”, nënvizon ai. Industria farmaceutike dhe ajo kozmetike i kanë gjithmonë sytë nga prodhime me vlera dhe që falë përpunimit, përfitojnë suplemente apo produkte finale për konsum të gjerë. Është e vështirë sot që, me një kërkim tek markat më të mira të kozmetikës, të mos gjesh diçka ku është përfshirë edhe shega. Kompani prestigjioze kanë linja të tëra bukurie të ndërtuara mbi shegën apo goji berry-n.

 

Kalimi nga ndërtimi te bujqësia

Grupi Agro Iliria është themeluar në fillim të vitit 2015 dhe si aktivitet kryesor ka eksport – importin e të gjitha produkteve dhe nënprodukteve bujqësore, blegtorale, ushqimore, të hortikultures, alkoolike dhe joalkoolike të prodhuara nga këto produkte, lëndëve të para, agroinputeve dhe materialeve biologjike që shërbejnë për këta sektorë dhe agroindustrinë etj. Aksionerët janë me nga 50% Shpëtim Orseku dhe Ilir Trebicka. Z. Trebicka zotëron edhe 49% të një prej kompanive më të mëdha të ndërtimit në vend Trema Engeneering 2 (pjesën tjetër e zotërojnë austriakët e Strabag), duke shënuar në këtë mënyrë diversifikim të portofolit nga ndërtimi drejt bujqësisë.

“Kur kërkon të bësh një investim të madh në Shqipëri janë disa sektorë që mund të të shkojnë nëpër mend dhe nuk është se nuk i menduam. I pari, sektori minerar, por duke parë çmimet nga njëra anë dhe historinë që shoqëron këtë sektor në vend, e përjashtuam. Ndërtimi është një tjetër sektor por nuk është diçka që mbetet apo mund ta trashëgosh. Ka një cikël edhe ai. Turizmi që flitet aq shumë ka potencial, por do infrastrukturë dhe këtë nuk e ke në dorë ti. Ndaj thamë, pse jo bujqësia. Fillimisht ne pamë një mundësi për 50 hektarë hidroponi, por duke bërë vlerësimet e konsultimet tona, dolëm me planin final për 1100 hektarë fermë. Kemi menduar që shega dhe goji berry të jenë primare, por nuk kemi përjashtuar kultura të tjera. Për shembull, në të gjithë rrugët e aksesit që rrethojnë fermën do të kenë të mbjella në anësore ullinj. Janë diku te 47 kilometra që do të mbushen me këto pemë, ku njëri prej varieteteve është ai autokton Kalinjot. Po kështu, kemi vendosur që të mbjellim edhe fikun, meqë edhe ai e duron kripësinë e lartë të tokës. Do të jenë tre lloje, dy të zinj ku njëri prej tyre thahet në pemë dhe paketohet direkt për treg dhe të tjerët një i bardhë dhe një i zi normal, që konsumohen të freskët dhe që do të jenë për tregun e brendshëm”, – sqaron Oseku teksa kemi mbaruar gjithë zigzaget nëpër plantacion pas vizitës në kishë.

E lëmë pas fermën për t’u ndeshur sërish me qindra parcela djerrë prej kripësisë, për të kaluar Karavastanë e Re dhe për të gjarpëruar nëpër rrugët dytësore të një sërë fshatrave të Myzeqesë në kthim drejt Tiranës.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of