Tokat, Bashkitë kanë probleme me evidentimin e aseteve dhe regjistrimin e tyre

10/02/2020 11:30 AM 0 komente

Reforma territoriale që ndryshoi kufijtë e disa bashkive, paqartësia ligjore dhe në disa raste edhe indiferenca kanë bërë që disa bashki  në vend të kenë probleme me evidentimin e pasurisë së tyre sa i takon tokave, pyjeve, kullotave apo ndërtesave e aseteve të tjera në brendësi.

Kontrolli i Lartë i Shtetit në të gjitha Bashkitë e audituara ka ngitur problematika që lidhen ngushtë me pronën dhe që variojnë nga njëra bashki në tjetrën. Kështu në një auditim të zhvilluar në Bashkinë Himarë KLSH ka konstatuar se nuk është bërë regjistrimi i pjesës shtesë që ka përfituar kjo Bashki si rrjedhojë e reformës territoriale. “Nga Bashkia Himarë, nuk është përgatitur regjistri i pronave të cilat me VKM kanë kaluar në pronësi të saj” nënvizon KLSH. Ky institucion rekomandon që brenda 6 mujorit të parë të këtij viti të merren masa për ndryshimin e situatës.

“Kryetari i Bashkisë Himarë, të analizojë situatën e krijuar dhe të nxjerrë të marrë masat që me specialistë të fushës, të inventarizojë dhe saktësojë pronat sipas të dhënave të kontabilitetit, si dhe krijimin e regjistrit të aseteve dhe regjistrimin e pronave, në zbatim të kërkesave të UMF nr. 30, datë 27.12.2011 “Për menaxhimin e aktiveve në njësitë e sektorit publik”, i ndryshuar dhe ligjit nr. 139/2015 “Për Vetëqeverisjen Vendore”, i ndryshuar” thuhet në auditim.

Një tjetër problematikë e evidentuar në Bashkitë e vendit është ajo e mosregjistrimit të ndërtesave që janë marrë nga mbyllja e ish-komunave. Një rast i tillë është ai i Bashkisë Krujë lidhur me ish-komunën Thumanë.  “Nga auditimi  rezultoi se, në gjendjen e Llogarisë 212 “Ndërtesa Konstruksione” sipas inventarit kontabël përfshihen dhe aktivet “ndërtesa e konstruksione” të Njësia Administrative Thumanë, e cila paraqitet në një vlerë sintetike prej 104,595,727 lekë e pa analizuar si në kontabilitet ashtu dhe nga pikpamja fizike. Kjo situatë është trashëguar me reformën territoriale, si rezultat i përfshirjes në bilancin e Bashkisë Krujë i bilancit të vitit 2015 të mbylljes së ish-komunës Thumanë i paraqitur me probleme dhe pa analiza për këto aktive “thuhet në adutimin e KLSH në Bashkinë Krujë.

Për këtë KLSH ka rekomanduar që Bashkia Krujë nëpërmjet një komisioni të ngritur me specialistë të fushës të kryejë inventarizimin dhe saktësimin e aktiveve të llog. 212 “Ndërtesa Konstruksione” për NJA Thumanë dhe nëpërmjet Drejtorisë Ekonomike të kryejë zbërthimin e dokumentacionit të trashëguar nga ish-komuna për nxjerrjen e të dhënave për aktivet e hyra e veprimet me to në vite për të verifikuar, analizuar e saktësuar vlerat e paraqitura në bilancin e vitit 2015 për të cilat të bëhen sistemimet e nevojshme në kontabilitet, duke rakorduar me inventarin fizik të analizuar aktiv për aktiv.

Në Bashkinë Tepelenë Kontrolli i Lartë i Shtetit lidhur me pronat ka konstatuar se në disa raste nuk ka regjistrim të vlerës së saktë të tyre. Kështu në pasqyrat e pozicionit financiar, llogaria 210 “Toka, troje, terrene” dhe llogaria nr. 211 “Pyje, kullota, plantacione”, nuk paraqesin vlerën e saktë të pasurisë së njësisë vendore, për shkak të mos marrjes së masave për regjistrimin në ZVRPP të pasurive ekzistuese dhe të atyre të cilat me VKM të posaçme kanë kaluar në pronësi të Bashkisë Tepelenë. “Në vitin 2018 llogaria 210 “Toka, troje, terrene” ka vlerën 7,778,488 lekë dhe përbëhet nga vlera 250,910 lekë për parqe dhe lulishte, vlera 2,879,803 lekë për rehabilitim ambiente publike, vlera 3,279,917 lekë për sistemime të ambienteve publike, vlera 1,367,858 lekë për kënde lojërash për fëmijë. Llogaria nr. 211 “Pyje, kullota, plantacione” në fund të vitit 2018 ka vlerën 96,200 lekë dhe paraqet vlerën e pemëve dekorative” nënvizon KLSH.

Lidhur me këto çështje Kontrolli i Lartë i Shtetit ka rekomanduar që titullari i njësisë vendore, Drejtoria e Zhvillimit Ekonomik dhe Menaxhimit Financiar, të marrë masa për sistemimin e llogarisë 210 “Toka, Troje, Terrene” dhe llogarisë nr. 211 “Pyje, kullota, plantacione, duke bërë që në këto llogari të paraqitet vlera e saktë e pasurisë së njësisë vendore. “Të inventarizohen këto prona, duke krijuar regjistrin e aktiveve me të gjitha 8 të dhënat e nevojshme (vendndodhje, sipërfaqja etj.). Të merren masa për regjistrimin e këtyre aseteve në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës” thuhet në auditin e KLSH-së në Bashkinë Tepelenë.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of