Tonin Gjini: Vetëm vendosja e kontrollit të produkteve mund ta bëjë blegtorinë një sipërmarrje fitimprurëse

10/07/2014 11:16 AM 0 komente

Veprimtaria blegtorale e Tonin Gjinit zhvillohet në Lezhë. Ai ka investuar në importimin e dhive alpine franceze, të cilat ka filluar edhe t’i mbarështojë. Duke qenë se këto dhi kanë një qumësht cilësor, veprimtaria kryesore e sipërmarrjes fokusohet në prodhimin e djathit. Gjini thotë se rendimenti i prodhimit ka arritur deri në 3 tonë djathë në muaj.

Por për të arritur këtë lloj prodhimi është nevojitur një investim jo i vogël fillestar. Kjo shikohet edhe tek çmimi i importimit të dhive alpine, si edhe kosto për përkujdesjen ndaj tyre. “Dhitë duhet të porositen 1 vit para dhe kryhet një parapagim deri në 50% të vlerës. Keci vjen në moshën 5 muajsh. Nga dita e pagesës fillestare e deri në momentin, që fillon të japë prodhim, kostoja e një dhie alpine franceze, e cila në kushte optimale jep nga 900-1000 litra qumësht në vit shkon deri 1000 euro”, – thekson ai.

Duke parë koston e lartë, për të tregtuar prodhime blegtorale cilësore, Gjini vë në pah faktin se informalizmi në treg rrezikon të dëmtojë së tepërmi sipërmarrjet. Për këtë, ai thekson se duhet të vendosen standarde kontrolli. “Një nga problematikat e përpunimit të djathit natyral është vështirësia për ta futur atë në treg. Kjo vjen për faktin se në treg ndodhen shumë prodhime të ndryshme djathi, të cilat nuk i përmbushin standardet, pavarësisht etiketimit të tyre. Si rrjedhojë, edhe konsumatori, në shumë raste nuk merr atë për të cilën paguan në çmimi. Problemi kryesor është tregtimi i djathit me niseshte, i cili tregtohet në shumë vende.

Përveçse se konsumatori nuk merr një produkt cilësor, penalizohen edhe ata sipërmarrës të cilët tregtojnë një produkt cilësor, i cili ka kosto të konsiderueshme prodhimi. E vetmja formë që konsumatori të jetë i informuar, është që çdo produkt të jetë i certifikuar”, – nënvizon Gjini.

Ecuria a sektorit të blegtorisë është e lidhur me mbështetjen nga shteti. “Nëse nuk do të ketë ndihmë nga shteti, nuk është se blegtoria do të zhduket, por prodhimet tona nuk do të jenë konkurruese në treg”, – vë në dukje Gjini. Më tej ai shprehet se nëse ka vullnet të mirë nga ana e qeverisë, atëherë gjërat mund të ndryshojnë në avantazh të rritjes së prodhimtarisë të sektorëve të bujqësisë dhe blegtorisë.

Sipas tij, politikat zhvillimore në këto sektorë duhet të ndërtohen në bazë të zona të ndryshme, ku zhvillohet veprimtaria blegtorale apo bujqësore.

Nëse ka vullnet të mirë nga ana e qeverisë, atëherë gjërat mund të ndryshojnë në avantazh të rritjes së prodhimtarisë të sektorëve të bujqësisë dhe blegtorisë.

Politikat zhvillimore në këto sektorë duhet të ndërtohen në bazë të zona të ndryshme, ku zhvillohet veprimtaria blegtorale apo bujqësore.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of