Të vizitosh një vend për të zbuluar traditën enologjike.
Apo të gjendesh në çfarëdo vendi të botës dhe të kesh kuriozitetin për të njohur kulturën e tij të verës.
Wine Tour janë gjithnjë e më të kërkuar, por cilët janë më të mirët në botë?
Për këtë ju vjen në ndihmë klasifikimi i TripAdvisor.
Degustimi në fshatin toskan
Në vend të parë ndër “wine tour” më të mirë në botë, gjejmë një përvojë e gjitha italiane, në tokën e “Chianti Classico”. E nisim nga Firence, nga kisha Santa Maria Novella, dhe në mes të ditës, ju do të vizitoni dy kantina verërash me mundësinë për të degustuar verëra dhe lloje të ndryshme vaji ulliri, të ndërthurura me kuzhinën tradicionale toskane.
Tour me kroçerë në luginën Douro në Porto
Nisemi nga Porto në Portugali për të arritur në brendësi të luginës Douro, me destinacion Peso de Régua. Këtu, ata që kanë vendosur të përfshijnë një udhëtim me kroçerë në tour-in e tyre do të hipin në një varkë tradicionale rabelo në lumin Douro, me nisje nga Pinhão; të tjerët mund të eksplorojnë sipas dëshirës fshatin e bukur me azulejos karakteristike. Pas një dreke me gatimet e zonës, ju mund të vizitoni dy kantina për të mësuar teknikat e prodhimit të verës dhe për të provuar verërat vendase.
Verëra portugeze në Lisbonë
Në vend të tretë të klasifikimit, gjejmë sërish Portugalinë. Gjatë shëtitjeve në rrugët karakteristike të Lisbonës, ju mund të ndalni në baret dhe restorantet tradicionale për të bërë një udhëtim të vërtetë kulinar. Ndër më të famshmit është Mantegaira Sivla, i hapur në vitin 1908, ku mund të njihni nga afër historinë e “Porto”, verën e famshme të vendit.
Nga Muir Wood te Napa Valley në San Francisko
Përdoruesit e faqes së Tripadvisor e pëlqejnë shumë ‘wine tour’, që duke nisur nga San Francisko ju çon të zbuloni Muir Woods, pylli i virgjër me sekuoja gjigante ndër më të vjetrat dhe më të lartat në tokë. Pas kësaj shëtitjeje ju do të niseni drejt kantinave të Nappa Valley dhe Sonoma County ku mund të degustoni verëra dhe spumante të ndryshme.
Nga Barcelona në Montserrat
Ju do të niseni me autobus nga Plaça Catalunya në Barcelona drejt parkut natyror të Montserrat, masivi i të cilit, i konsideruar një ndër më të rëndësishmit në Katalonja, është i famshëm për shtigjet e tij, peizazhet dhe format gotike. Nëse keni kohë në dispozicion mund të eksploroni zonën për t’u bërë pjesë e aktiviteteve të shumta para se të vizitoni kantinën Oller des Mas, që ndodhet në një kështjellë të shekullit X.
Tapas dhe verëra në Madrid
Një tur, për t’u bërë më këmbë, duke filluar nga Santa Anna, një udhëtim ku do të provoni tapas e famshme në Madrid. Në secilin prej katër bareve të vizituara, ushqimi shoqërohet me degustimin e verërave spanjolle, të prodhuar nga rrushi i famshëm si tempranillo, malvar, farnacha dhe parellada.
Ujëvara dhe kantina në Seattle
Le ta nisim nga Seattle me drejtim në ujëvarat e Snoqualmine dhe këtu do të arrini pasi të keni përshkuar një luginë të pasur me ferma dhe fusha me lule dhe pasi të keni kaluar kodrat e Cascade. Përveçse do të vizitoni edhe dy kantina me verë, në këtë tour ju do të zbuloni edhe një fabrikë autentike me çokollatë zvicerane.
Nga Melburn në Yarra Valley
Nga Melburni, pas një orë udhëtim, do të arrini në Yarra Valley. Gjatë të gjithë udhëtimit, një ekspert vere do t’ju shpjegojë varietetet e ndryshme të verës që prodhohen këtu. Në këtë tour përfshihet vizita te katër kantina verërash, mes degustimit dhe mundësinë për të admiruar instrumentet antike.
Nga Auckland tek ishulli Waiheke
Tour nis me një shëtitje në traget nga gjiri Harauki, ku sapo të keni arritur ishullin Waiheke, do të nisë tour-i i verës, që jo vetëm do t’ju japë mundësinë të vizitoni kantinat e verës por edhe të hani një drekë me pamje nga vreshtat dhe të degustoni vajrat dhe likeret që prodhohen në këtë vend.
Degustimi i verërave mes kështjellave të Loira
Klasifikimi i tour-eve më të mira të verës në botë mbyllet me atë që zhvillohet në kështjellat e Loira. Ju do të zbuloni traditën e verës të zonës, me shumë mundësi për degustim.