Krishtlindjet festohen në shumë mënyra, në çdo cep të botës, dhe jo gjithnjë më datë 25 Dhjetor. Në Norvegji festohet më 24 Dhjetor, në Gjermani më datë 6 Janar, në Rusi, më datë 7 Janar, siç parashikohet nga Kalendarin Julian.
Çdo vend pret një “Babagjysh” të ndryshëm… dikush Shën Nikollën me variacionet e tij, dikush Santa Klaus, me slitën që tërhiqet nga renët; ka nga ata që e presin te dera e shtëpisë e të tjerë pranë oxhakut. Disa vende zbukurojnë bredhin e të tjerë, homologun e tij tropikal. Më poshtë janë disa nga traditat për Krishtlindje më të veçanta në të gjithë botën.
Traditat e Krishtlindjeve në vendet skandinave
Shtëpia e Babagjyshit të Krishtlindjeve ndodhet në Rovaniemi, në Lapland, por në Turku, kryeqyteti antik finlandez, përurohet Krishtlindja, me Deklaratën e Paqes së Krishtlindjes – kjo traditë daton në Mesjetë dhe respektohet ende sot. Të gjithë finlandezët e ndjekin në televizor dhe vetëm në atë moment, fillojnë me të vërtetë Krishtlindjet. Ndërkohë Joulipukki (Babagjyshi i Krishtlindjeve) shkon personalisht në festime, duke parakaluar në rrugët e ndriçuara të Helsinkit.
Në Finlandë, festimet për Krishtlindje janë shumë të famshme. Finlandezët, si në shumë vende skandinave, e zbukurojnë pemën më 23 dhjetor, ditën e “vigjiljes së vogël” dhe i festojnë Krishtlindjet në ditën e vigjiljes: më 24 dhjetor është traditë të shkosh në sauna me familjen dhe në varreza tek të afërmit, të hash drekë me të afërmit dhe të presësh Babagjyshin e Krishtlindjeve të trokasë në derë. Fëmijët pyeten nëse janë sjellë mirë dhe më pas u jepen dhuratat.
Në Norvegji, vendi i fjordeve, ai që troket në derë është Julebukk, një fshatar i maskuar me një maskë dhie dhe një mantel prej leshi, në mënyrë që të mos njihet, i cili endet nga një shtëpi në tjetrën duke kënduar këngët e Krishtlindjes në këmbim të ëmbëlsirave .
Kjo është një traditë pagane që frymëzohet nga miti i Thor, që sipas legjendës, udhëtonte me një karrocë që tërhiqej nga dy dhi. Në folklorin vendas, Babagjyshi i Krishtlindjeve përshkruhej i hipur mbi një dhi; në folklorin modern janë dhitë që tërheqin slitën e Babagjyshit në vend të renëve.
Në Suedi, festimet e Krishtlindjeve nisin më 13 dhjetor, me Shën Luçian. Gjatë festimeve është traditë që vajzat e para të lindur në një familje të vishen si Lussebruden (nusja Luçia) me një fustan të gjatë të bardhë me një brez të kuq, dhe me një kurorë në kokë me degë boronice të ndërthurura me qirinj të ndezur. Në ditët e sotme, përdoren qirinj elektrikë, që padyshim janë më të sigurt.
Krishtlindjet në vendet e Lindjes, tradita e Babagjyshit të keq
Në shumë vende të Europës Lindore, Shën Nikolla festohet më 5 dhe 6 dhjetor, nën shoqërinë e keqe të Krampus, një demon që i ngjan një dhie, i cili ndëshkon fëmijët e këqij. Në vende të ndryshme merr emra të ndryshëm: Parkelj në Slloveni dhe Kroaci, Père Fouettard në Francë, Hans Trapp në Alsase, Zwarte Piet në Holandë, Houseker në Luksemburg, Schmutzli në Zvicër. Në Austri dhe Gjermani, në vend të çorapes që varet te oxhakut është traditë të lësh një çizme jashtë te dera – fëmijët e mirë do të marrin dhurata e ëmbëlsira; atyre të këqij, Krampus do t’u sjellë një copë druri.
Krishtlindjet në Karaibe, midis bredhave tropikalë dhe këngëve pop
Në Surinam vijnë dy Babagjysha – një i bardhë, Shën Nikolla, dhe një i zi, Goedoe Pa, i cili u lë fëmijëve dhurata dhe poezi pranë këpucëve me kusht që t’i kenë lustruar në mënyrë të përsosur një natë më parë. Në Martinique, bima që i ngjan më shumë një bredhi që do të shndërrohet në një pemë të Krishtlindjes vezulluese është filao (lokal), ose Casuarina equisetifolia, e njohur gjithashtu si Pisha Australiane. Në të gjitha shtëpitë e Porto Rikos gjatë festimeve ndihet pambarimisht kënga Feliz Navidad e José Feliciano, një ndër këngët më të famshme të këngëtarit portorikan, i cili konsiderohet një hero i muzikës pop kombëtare.
Krishtlindje në Japoni, tradita e pulës së skuqur
Në tokën e “Sol Levante” (Diellit), në Japoni, më pak se 1 për qind e popullsisë është e krishterë.
Për rastësi, në ditët pranë Krishtlindjes, japonezët kanë gjithsesi rastin për të festuar: më 23 dhjetor festohet ditëlindja e Perandorit Akihito, dhe kjo është festë kombëtare. Më 24 dhjetor, është një lloj Shën Valentini – vigjilja quhet Sei Naru Yoru, që mund të thotë “natë e shenjtë” apo “nata e seksit”.
Prej rreth gjysmë shekulli, në Japoni është traditë ngrënia e pulës së skuqur në natën e vigjiljes – një gjetje marketingu e rrjetit zinxhir KFC në vitet 1970, që vijon ende sot. Si kompensim, data 25 dhjetor është një ditë pune normale. Meri Kurisumasu!
Burimi: Lonely Planet Italia