Të festosh Krishtlindjet në një vend larg shtëpisë mund të jetë një përvojë interesante dhe e bukur.
Traditat e Krishtlindjes ndryshojnë nga një vend në tjetrin, si në Spanjë. Spanja është një vend krenar, ku banorët janë besnikë ndaj Comunidades Autónomas, apo rajoneve autonome. Rajone si Katalonja apo Vendet Baske kanë madje dhe një gjuhë të vetën.
Shumë tradita Krishtlindjesh në rajonet spanjolle mbështeten në momente unike të historisë dhe janë trashëguar brez pas brezi. Falë kulturës së larmishme, Spanja është vendi ideal për të kaluar pushimet në një mjedis unik, të bukur dhe frymëzues.
Traditat e Krishtlindjeve
1- DITA E TRE MBRETËRVE
Dita e Tre Mbretërve festohet në të gjithë Spanjën, çdo vit, në ditën e Epifanisë. Ndryshe nga vende të tjera kristiane, dita kryesore e festës së Krishtlindjes nuk është 25 Dhjetori, por 6 Janari.
Fëmijët në të gjithë Spanjën dhe vendet ku flitet spanjisht zgjohen në ditën e Tre Mbretërve me dhurata të sjella nga mbretërit. Megjithatë, festimet nuk kufizohen brenda mureve të shtëpisë. Në të gjithë Spanjën, qytetet dhe fshatrat e vegjël i zbukurojnë rrugët me drita dhe dekorime shumëngjyrëshe përpara paradës vjetore të Ditës së Tre Mbretërve.
Paradat në Madrid dhe Barcelonë tërheqin mijëra njerëz dhe transmetohen dhe në televizion.
Ato mbahen zakonisht mbrëmjen e 5 janarit. Pasi shohin paradën dhe hanë darkë me familjet, fëmijët pastrojnë këpucët dhe i lënë jashtë për Mbretërit që t’i mbushin me dhurata.
2- CAGA TIÓ
Caga Tió është një traditë katalanase dhe dekorimi i Krishtlindjeve që ndërthuren bashkë. Edhe pse për disa nuk duket festive, është një pjesë e rëndësishme e traditave katalanase për Krishtlindje, veçanërisht për familjet.
Trungu me fytyrë miqësore mbështillet me një batanije që mbulon shpinën. Ai mbath edhe një beretë, një kapelë tradicionale katalanase.
Çdo mbrëmje, në prag të Krishtlindjeve, fëmijët e ushqejnë Caga Tió duke vendosur para trungut bukë ose lëvozhga portokalli. Në vigjiljen e Krishtlindjeve ose ditën e Krishtlindjeve, disa nga fëmijët këndojnë një këngë për
Caga Tió dhe e godasin trungun me shkop, duke i kërkuar që të nxjerrë ushqime si ëmbëlsirat dhe Turron tradicionale.
3- MESHA E MESNATËS
Mesha e mesnatës është një pjesë e rëndësishme e traditave të Krishtlindjeve në Spanjë. Duke qenë se vendi është në pjesën më të madhe katolik, shumë familje shkojnë në kishë në vigjilje të Krishtlindjeve për të marrë pjesë në meshën e mesnatës.
Mesha e vigjiljes njihet si La Misa del Gallo ose Mesha e Gjelit, pasi në bazë të gojëdhënave, një gjel ka kënduar mbrëmjen kur lindi Jezu Krishti.
Shumë familje spanjolle e hanë vaktin kryesor të Krishtlindjes para ose pas Meshës.
4- ZJARRET NË PYLL
Në të gjithë rajonin e Andaluzisë ndizen zjarre për të festuar Krishtlindjet. Zjarret më të famshme janë ato në Granada dhe Jaén.
Hogueras de Navidad ose zjarri i Krishtlindjes, ndizet gjatë solsticit dimëror, disa ditë para Krishtlindjes. Banorët besojnë se kërcimi mbi flakët e zjarrit sjell shëndet të mirë në vitin e ri.
5- DÍA DE LOS SANTOS INOCENTES
Día de los Santos Inocentes ose Dita e Shenjtëve të Pafajshëm, festohet më 28 dhjetor dhe është një traditë që bazohet në katolicizëm dhe ka evoluuar në botën moderne.
Día de los Santos Inocentes ngjan pak me Ditën e Gënjeshtrave, ku njerëzit bëjnë rrengje dhe tregojnë barsoleta gjatë gjithë ditës. Nëse jeni i pafat, shakaxhiu do të bërtasë, “Inocente, inocente!”.
6- EL ARRASTRE
El Arrastre është një traditë e Krishtlindjeve e qytetit jugor të Cádiz. Çdo 5 janar, ditën para Ditës së Tre Mbretërve, fëmijët e Cádiz, lidhin me litar kanoçe bosh dhe i tërheqin në rrugë. Zhurma e kanoçeve shërben për t’u kujtuar Mbretërve magjistarë t’u lënë dhurata fëmijëve atë natë. Legjenda lokale tregon edhe për një sabotator dhuratash për Krishtlindje.
Përdorimi i kanoçeve për të krijuar zhurmë për Tre Mbretërit, bëhet për të trembur edhe një gjigant mitik.
Çdo vit, gjiganti përpiqet të mbulojë qiellin me re tymi për të penguar Mbretërit që t’u shpërndajnë dhurata fëmijëve.
7- EL GORDO
El Gordo është tradita spanjolle e Krishtlindjeve më emocionuese për banorët.
El gordo, apo “I shëndoshi” është pseudonimi i Lotarisë spanjolle të Krishtlindjeve, që hidhet çdo vit, më 22 dhjetor, duke u ofruar fituesve çmime të mëdha në para. Ajo mbahet çdo vit që prej vitit 1812.
Çdo biletë kushton 200 euro, por shpesh ato shiten në décimos, ose një e dhjeta e biletës që kushton 20 euro. Familje, miq, kolegë madje edhe fshatra të tërë shkojnë së bashku për të blerë biletat. Numrat fitues të lotarisë njoftohen në televizion, më 22 dhjetor.
/ travel2next