Nga turshitë tek merimangat prej kristali, çdo vend ka traditat e veta kur bëhet fjalë për zbukurimin e pemës së Krishtlindjeve.
Gjatë dhjetorit, familjet në mbarë botën mblidhen bashkë për të bërë një nga traditat më universale të Krishtlindjeve – zbukurimin e pemës.
Vargjet e dritave të ndezura zbukurojnë shtëpitë me një shkëlqim festiv, ndërsa të rriturit dhe fëmijët zhyten në energjinë e ngrohtë të festave.
Vende të ndryshme i zbukurojnë pemët me gjëra të ndryshme, duke i bërë jehonë diversitetit që e bën planetin tonë një vend kaq të bukur. Hyni në shpirtin festiv për të zbuluar dekorimet e veçanta që zbukurojnë pemët e shtëpive në të githë botën
Brazil – Topa pambuku
Në Hemisferën Jugore, Krishtlindjet ndodhin gjatë verës, gjë që do të thotë se vetëm një mrekulli mund t’i veshë rrugët në të bardhë. Për të përjetuar shpirtin e Krishtlindjeve, brazilianët shpesh i dekorojnë pemët me topa pambuku për të imituar borën që bie. Vitet e fundit, kjo tendencë është përhapur edhe në vende të tjera.
Francë – Mollë
Njerëzit i dekoronin pemët e tyre të Krishtlindjeve me zbukurime ushqimore, shumë kohë përpara shpikjes së candy canes (një karamele me shkop në formë kallami që shpesh lidhet me festën e Krishtlindjes, si dhe me Ditën e Shën Nikollës). Në Francë, mollët ishin një zbukurim i zakonshëm për pemën për shkak të lidhjes së tyre me Kopshtin e Edenit.
Një vit jo i mbarë për korrjet i dha fund kësaj tradite, por sot është ende e zakonshme të shohësh zbukurime në formë molle që varen në degët e pemëve të Krishtlindjeve në Francë. Në zemër të Strasburgut, pema më e madhe e Krishtlindjeve në vend zbukurohet sipas një teme që ndryshon çdo vit.
Ukrainë – Merimanga dhe rrjeta
Shumë njerëz do të vraponin në një drejtim tjetër nëse do të shihnin një merimangë në një pemë Krishtlindjesh, por jo në Ukrainë. Një përrallë e njohur në Europën Lindore, e quajtur “Legjenda e merimangës së Krishtlindjeve” tregon historinë e një familje që nuk kishte mundësi të zbukuronte pemën e vet. Të trishtuar, ata shkuan të flenë në vigjilje të Krishtlindjeve dhe të nesërmen u zgjuan me pemën që ish mbuluar me një rrjetë merimange që shkëlqente bukur në dritën e mëngjesit. Legjenda i la vendin dekorimit të pemëve në Ukrainë me zbukurime dhe rrjeta merimangash prej kristali.
Australi – Zbukurime me guaska
Australia është një tjetër vend në botë, ku Krishtlindjet ndodhin gjatë muajve më të nxehtë. Pavarësisht mungesës së borës, banorët e jetojnë shpirtin e festave. Ata përqafojnë rrezet e diellit duke dekoruar pemët e tyre me guaska deti. Australianët shpesh e braktisin pemën e Krishtlindjes dhe në vend të saj zbukurojnë një bimë vendase, e cila merr një nuancë festive të së kuqes gjatë verës, duke e bërë atë një dekor ideal.
Kinë – Lantern (fenerë) me letër të kuqe
Krishtlindjet nuk festohen në Kinë me të njëjtën shkallë si në vende të tjera të krishtera me dendësi popullsie, por nuk është e pazakontë të shohësh festën në vitrinë në qytetet më të mëdha si Pekini dhe Hong-Kongu. Vetë pemët quhen “Pemët e dritës”. Zbukurimet më të njohura janë zakonisht të kuqe dhe përfshijnë lantern prej letre dhe zinxhirë që simbolizojnë lumturinë.
Holandë – Biskota
Është e zakontë për fëmijët që të lënë një pjatë me biskota dhe një gotë me qumësht për të kënaqur Babagjyshin e Krishtlindjeve, por holandezët i bëjnë gjërat pak më ndryshe. Në fakt, Shën Nikolla (i quajtur Sinterklass) vjen me varkë nga Spanja në fillim të dhjetorit, me dhurata, për të nisur sezonin e festave. Tepsitë e mbushura me kerstkransje piqen në furrë me përsosmëri. Biskotat në formë kurore lidhen dhe varen në degët e pemëve të Krishtlindjeve në Holandë.
Finlandë – Zbukurime me kashtë
Zbukurimet tradicionale prej kashte të quajtura “himmeli” varen me delikatesë në degët e pemës. Familjet mblidhen për të dekoruar pemën dhe të rriturit, zakonisht, kënaqen duke shijuar një gotë të ngrohtë vin brulé. Himmeli-t e punuar më mirë varen si llambadar mbi tryezë në darkën e Krishtlindjes.
Shtetet e Bashkuara – Vargje me kokoshka
Edhe pse nuk është më aq e zakonshme sa dikur, shumë amerikanë u bëjnë homazhe dekorimeve tradicionale të Krishtlindjeve, duke i zbukuruar pemët me vargje me kokoshka.
Indi – Pemë Mango
Do të ishte e vështirë të gjeje një pemë halore në Indi, por mungesa e pishës nuk e prish shpirtin e Krishtlindjeve. Në vend të saj, indianët kultivojnë pemë mango ose banane. Për të imituar borën, indianët varin në degët e pemës copëza me lesh të bardhë. Dekorimet e tjera janë kryesisht shumëngjyrëshe dhe përbëhen nga mijëra yje të ndritshëm dhe zbukurime të bëra vetë.
Gjermani – Turshi dhe qirinj
Shumë nga traditat e zbukurimeve më të dashura në botë për Krishtlindje vijnë nga traditat gjermane, duke përfshirë edhe tregjet e Krishtlindjeve, arrëthyeset dhe kalendarët. Historianët mendojnë se praktika e vendosjes së pemëve brenda në shtëpi dhe dekorimi i tyre e ka origjinën në Gjermani.
Në ditët e para, pemët shpesh zbukuroheshin me qirinj të vërtetë, flaka e butë e të cilëve krijonte një shkëlqim magjik festiv. Shumë gjermanë e vazhdojnë traditën, në vend që të përdorin dritat elektrike, megjithëse është një traditë që është ndoshta më e sigurt për familjet pa mace.
Ndërkohë që askush nuk e di origjinën e saktë, varja e një zbukurimi me turshi është një zakon në Gjermani që është përhapur në zona të tjera të botës. Thuhet se ai që e gjen i pari do të ketë fat në vitin e ri.
/ The Travel