Autoriteti i Aviacionit Civil (AAC) në buletinin e radhës ka dhënë informacion mbi fluturimet përgjatë dy muajve të parë të vitit, ku pas rritjes së shkurtit, rënia e pasagjerëve në mars ishte drastike për shkak të pezullimit të fluturimeve nga situata e krijuar nga Covid-19.
Referuar të dhënave zyrtare të ardhura në Autoritetin e Aviacionit Civil nga Aeroporti Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, shifrat tregojnë një numër prej 193,720 pasagjerë të cilët kanë udhëtuar gjatë muajit Shkurt për/nga TIA, me një rritje prej 10% krahasuar me vitin e kaluar.
Kompania italiane “Blue Panorama”, zotëron tregun me 21% të totalit dhe një numër prej 41,198 pasagjerë, përqindje kjo me diferencë të lartë krahasuar me kompaninë pasardhëse shqiptare “Albawings”, e cila zotëron 14% të tregut dhe 26,384 pasagjerë si dhe kompania “Air Albania”, e cila qëndron me shifra gjithashtu të larta duke zotëruar 13% të tregut me 25,640 pasagjerë. Grafiku pasqyron më qartë fluksin e pasagjerëve që kanë udhëtuar përgjatë muajit Shkurt 2020, të ndarë sipas kompanive ajrore në përqindje. Në grafik mund të shihet më qartë zotërimi i tregut dhe përqindja për ç’do kompani. Sipas grafikut bie në sy, që kompanitë që fluturojnë drejt Italisë, si “Air Albania”, “Albawings”, “Blue Panorama”, “Alitalia”, zënë përqindjen më të madhe në tregun e transportit ajror për muajin Shkurt 2020, përafërsisht 55% të totalit.
Përsa i përket rritjes/rënies së fluksit të lëvizjes së pasagjerëve për muajin Shkurt në vitet, 2018,2019,2020 vëmë re se kompania “Wizz Air”, ka përqindjen më të lartë të rritjes për Shkurt-in e vitit 2020. Krahasimisht me të njëjtën periudhë të vitit 2019, fluksi është 134% më i lartë. “Transavia” gjithashtu ka rritje me 133% krahasimisht me një vit më parë. Duke u pasuar nga “Air Serbia” e cila shënon rritje prej 97% të numrit të pasagjerëve, kjo rritje e “Air Serbia”, bie në sy pasi vjen pas një rritje shumë të vogël prej 2% një vit më parë. Disa nga kompanitë sikurse duket në tabelë, kanë ngritje më të vogla, e disa prej kompanive kanë ulje të numrit të pasagjerëve krahasimisht me të njëjtin muaj, një vit më parë. Grafiku anash paraqet krahasimin e numrit të pasagjerëve në muajin Shkurt 2020, kundrejt së njëjtës periudhë të vitit 2019 dhe 2018. Bie në sy se përveç kompanisë “Wizz Air”, shifrat e të cilës nga viti në vit kanë ardhur duke u rritur, kompania “Albawings”, ka pasur rritje të dukshme nga viti në vit gjithashtu.
Marsi rënie drastike
Shifrat zyrtare të ardhura në Autoritetin e Aviacionit Civil,tregojnë një numër prej 76,106 pasagjerë, të cilët kanë udhëtuar gjatë muajit Mars për/nga TIA, nga të cilët 369 janë pasagjerë të fluturimeve Charter. Në raport me shkurtin, rënia është 60%, ndërsa me marsin e kaluar me 64%.
Ky ka qënë një muaji i vështirë për aviacionin civil në të gjithë botën si pasojë e pandemisë COVID-19, ku kjo situatë sigurisht nuk mund të linte pa prekur edhe vendin tonë. Numri i pasagjerëve ka qenë i ulët si pasojë e ndalimit të fluturimeve nga/për Aeroportin e Tiranës.
Bazuar në të dhënat zyrtare të ardhura, si dhe të paraqitura në grafik për muajin Mars 2020, për shkak dhe të kohës së impaktit të kufizimeve të fluturimeve si pasojë e Covid-19, kompania “Wizz Air”, zotëron tregun me 16% të totalit dhe një numër prej 12,315 pasagjerë, pasuar nga kompania “Blue Panorama” e cila ka zotëruar me 13% dhe 9,785 pasagjerë. Ndjekur nga dy kompanitë shqiptare, të cilat kanë nga 12% të tregut, respektivisht “Albawings” 9,071 pasagjerë dhe “Air Albania” 9,131 pasagjerë.
Pavarësisht se destinacionet drejt Italisë ishin të parat që anulluan, kompanitë që fluturojnë drejt vendit fqinj, si “Air Albania”, “Albawings”, “Blue Panorama”, “Alitalia”, zënë përqindjen më të madhe në tregun e transportit ajror për muajin Mars 2020, përafërsisht 41% të totalit. MARS 2020: Nëse do të bënim krahasimin e tre viteve të fundit, duke theksuar se për shkak të situatës të krijuar nga pandemia e Covid-19, mbylljes së kufijve dhe anullimit të fluturimeve, rrjedhimisht trafiku ajror dhe fluksi i pasagjerëve këtë vit, gjatë muajit Mars ka një rënie prej 64% krahasuar me vitin e kaluar.
Përsa i përket rritjes/rënies së fluksit të lëvizjes së pasagjerëve për muajin Mars për vitet 2018, 2019, 2020 vëmë re, se të gjitha kompanitë kanë rënie dhe kompania që duket se ka rënien më të madhe krahasuar me një vit më parë është “Blue Panorama” me 80%, pasuar nga “Alitalia” me 76%. Gjithashtu, grafiku i mëposhtëm paraqet krahasimin e numrit të pasagjerëve në muajin Mars 2020 kundrejt të njëjtës periudhë të vitit 2019 dhe 2018.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.