Enti Rregullator i Energjisë(ERE) nisi pak ditë më parë procedurën për miratimin e standardeve të trajtimit të ankesave të kliënteve të energjisë elektrike dhe gazit natyror nga të licencuarit në aktivitetin e furnizimit. Sipas vendimit ERE nënvizon se qëllimi i vendosjes së këtyre standardeve është sigurimi i një procesi të drejtë dhe efektiv të trajtimit të ankesave të klientëve të energjisë elektrike dhe gazit natyror, në mënyrë që të përmirësohet cilësia e shërbimit të furnizimit me energji dhe gaz dhe të rritet besimi dhe pëlqimi i klientëve për këtë shërbim të ofruar nga të licencuarit.
“Në kuadër të parimit të informimit, Standardet, përcaktojnë detyrimin e furnizuesit për t’i vënë në dispozicion klientit, ankuesit apo palëve të tjera të interesuara në mënyrë sa më lehtësisht të disponueshme informacionin minimal të nevojshëm për procedurat e trajtimit të ankesave, i cili duhet të pasqyrohet dukshëm në faturën e konsumit të energjisë elektrike” thuhet në vendimin e ERE.
I njëjti vendim nënvizon se standardet përcaktojnë se, ankesa do të regjistrohet në format elektronik apo të shkruar menjëherë pas pranimit të saj si dhe parashikon elementët të cilët do të përfshihen në të, si: kodi unik identifikues, mënyra e paraqitjes së ankesës, vendndodhja e objektit dhe data e paraqitjes se ankesës, identiteti i parashtruesit të ankesës dhe detajet e kontaktit të tij, një përmbledhje të ankesës, kategorizimi i llojit të klientit apo klientit sipas nivelit të tensionit dhe tarifave, lloji i ankesës si dhe informacioni nëse klienti është ankuar më parë apo jo për të njëjtin objekt ankimi për të cilin bëhet ankesa.
Sipas ERE në lidhje me detyrimet që rrjedhin ndaj të licencuarit për zgjidhjen e ankesës, Standardet parashikojnë hetimin dhe verifikimin e të gjithë rrethanave dhe të dhënave lidhur me ankesën e regjistruar si dhe kërkimin e informacionit shtesë tek ankuesi brenda 5 ditëve punë pas miratimit të ankesës dhe më pas informimin e ankuesit për veprimet e ndërmarra për të zgjidhur ankesën si dhe, në rastin kur ankesa rezulton e drejtë, kryeja e veprimeve korrigjuese apo kompensimit të klientit në përputhje me legjislacionin ne fuqi.
”Parimi i konfidencialitetit parashikohet në detyrimet që këto Standarde vendosin mbi të licencuarit për të respektuar çdo informacion apo dokument të vënë në dispozicion nga klienti, në lidhje me ankesat e paraqitura nga ky i fundit.
Të licencuarit kanë gjithashtu detyrimin për paraqitjen në ERE çdo tre muaj, të një raporti të detajuar me shkrim i cili do të duhet të përmbajë një sërë të dhënash, si: numri i ankesave të marra në tremujorin për të cilin po raportohet, numrin e ankesave për secilën kategori, të cilat janë zgjidhur në përputhje me pritshmërinë e kërkesave të klientit dhe të atyre që nuk janë zgjidhur” vlerëson Enti./N.Maho
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.