Trajtimi suplementar për minatorët, metalurgjinë dhe naftëtarët, qeveria do ndryshojë ligjin

12/12/2018 11:44 AM 0 komente
\

Trajtimi suplementar që nënkupton një shtesë mbi pensionin për ato profesione që konsiderohen të vështira duket se do të pësojë ndryshime të reja.  Ministria për Financat dhe Ekonominë ka hartuar një draft lidhur me ligjin “Për trajtimin financiar suplementar të punonjësve që kanë punuar në miniera nëntokë, të punonjësve të industrisë së naftës dhe gazit dhe të punonjësve që kanë punuar në metalurgji” ku janë bërë një sërë ndryshimesh. Referuar relacionit të bërë publik financat sqarojnë se ky projektligj ka për qëllim të mbulojë me përfitime përpara kohës së mbushjes së moshës për pension, si dhe përfitime shtesë mbi ato që akordohen nga ligji nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, për tre kategori mjaft të veçanta punonjësish, të cilët kanë punuar në miniera nëntokë, në industrinë e naftës, si dhe në punë me një shkallë vështirësie shumë të lartë në metalurgji.

“Duke qenë se, konceptualisht sistemi i pensioneve dhe çdo përfitim social i kësaj natyre, kërkon mbulim me kontribute dhe për faktin se ish-punonjësit e nëntokës në trajtim financiar të veçantë, apo të papunë dhe pa mbështetje sociale me kushte të plotësuara, nuk kishin periudha të mbuluara me kontribute me shtesë, për përfitime të parakohshme, skema u përcaktua duke vendosur një edhe kontribut shtese prej 5% që paguhet nga punëmarrësit dhe punëdhënësit aktuale, si dhe financime buxhetore për mbulimin e përfitimeve aktuale si dhe pjesë të efektit financiar që nuk mbulohet nga kontributi shtesë” thuhet në relacion.

Lidhur me punën në miniera theksohet se duke konsideruar një punë shumë të vështirë, precedentët e krijuar si për trajtimet financiare të parakohshme ashtu edhe përfitimet  shtesë nga pensioni i pleqërisë, pavarësisht se rreth 16 mijë përfitues aktualë kanë nga 18 deri në 25 vjet që trajtohen me pensione nga sigurimet shoqërore ose  trajtime të veçanta  financiare, projekt ligji parashikon, vazhdimin e pensioneve të parakohshme të mbuluar me kontribute shtesë dhe nga buxheti, si dhe vendosjen e një skeme trajtimi financiar shtesë mbi pension që varet nga vitet e punës në nëntokë e cila për të gjithë përfituesit aktualë dhe të atyre në 5 vitet e ardhshme, mbetet të financohet pothuajse totalisht nga buxheti.

“Gjithashtu,  në këtë projektligj parashikohet që i gjithë spektri i periudhave të sigurimit në profesione pune shumë të vështira si në industrinë e naftës dhe të gazit, ashtu edhe në metalurgji të kenë konceptualisht një trajtim financiar të  njëjtë. Për këto arsye projekti i paraqitur parashikon, ndarjen e përfitimeve në fushën e sigurimeve shoqëror dhe trajtimeve mbi pension, nga  dispozitat që përcaktojnë një status të veçantë për industrinë e naftës dhe të gazit” vlerësojnë financat.

Projektligji parashikohet që të ketë edhe efekte financiare që llogariten në qindra milionë lekë në vit.

“Referuar kushteve për pension, bazuar në të dhënat që disponohen, si dhe në numrin aktual të punësuarve në industrinë e naftës, parashikohet që numri i personave që përfitojnë të arrijë në rreth 7000, nga 9900 që përllogaritej të ishte para ndryshimeve me një efekt financiar vjetor rreth 750 milionë lekë. Në projekt ligjin fillestar, efektet financiare ishin parashikuar rreth 400 milionë lekë. Numri i përfituesve minatorë parashikohet të jetë rreth 16 mijë persona dhe efekti përllogaritet  rreth 530 milionë lekë në vit ndërsa për metalurgjinë, numri i përfituesve parashikohet të jetë rreth 2500 me një efekt financiar rreth 250 milionë lekë” thuhet në relacion.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of