Në periudhën 2010-2014, import-eksporti i mallrave në rrugë detare ka shënuar rritje në portet e vendit. Natyrisht Porti i Durrësit, vazhdon të përpunojë volumin më të madh të mallrave. Sipas të dhënave të Institutit të Transporteve, në vitin 2014 volumi i import-eksporteve arriti në 3.7 milionë ton mallra. Gjatë katër viteve sasia e mallrave e përpunuar nuk ka pësuar ndryshime të forta dhe mesatarisht është luhatur në nivelin 3.4 milion ton. Nga të dhënat gjithashtu del në pah se gjatë katër viteve të fundit Porteve Detar i Shëngjit ka rritur ndjeshëm volumin e përpunimit të mallrave të import-eksporteve, duke lënë pas edhe portin e dytë më të madh në vend atë të Vlorës. “Epërsia” e Portit të Shëngjinit ka nisur në vitin 2011, ku volumi i mallrave të përpunuar arriti në mbi 362 mijë ton. Kjo më së shumti i detyrohet rritjes së investimeve që janë bërë në këtë port për thellimin e basenit (kapaciteti aktual i përpunimit të portit është 1500 – 2000 ton / ditë dhe porti ka kapacitet për përpunimin e anijeve me tonazh deri në 5000 ton).
Megjithatë në vitin 2014 sasia e përpunuar në potin e Shëngjinit shënoi rënie në rreth 230 mijë ton krahasuar me vitin 2013. Ndërsa performanca e Portit të Vlorës ishte më pozitive, volumi arriti në mbi 191 mijë ton nga rreth 139 mijë ton që ishte në vitin 2013.
Burimi: Instituti i Transporteve
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.