Transporti detar i mallrave ka pasur një ecuri pozitive e cila pritet të mbetet e tillë gjatë gjithë këtij viti. Operatorët e këtij sektori shprehen optimistë për ecurinë e transportit në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Sipas të dhënave nga Autoriteti Portual i Durrësit gjatë muajit janar të këtij viti në terminalin e Kontejnerëve u përpunuan 7,995 kontejnerë TEU gjithsej ose 427 kontejnerë më e lartë se sa në janar të vitit 2016.
Rritja e numrit të kontejnerëve është konstatuar si për mallrat e eksportit ashtu edhe për importit, përkatësisht me 93 dhe 334 njësi kontejnerike.
Artur Kociaj, administrator i kompanisë Shega Trans thotë se
aktiviteti i import/eksportit në transportin detar është rritur edhe për shkak të uljes së kostove të transportit me rreth 10%. Efekt në këtë ulja ka dhënë edhe heqja e taksës fikse (diritto fisso) dhe asaj të qarkullimit me Italinë. Sipas . Koçiaj, tarifat e transportit në Shqipëri janë bërë të favorshme, çka i ka dhënë mundësi aktivitetin tregtar që të ketë avantazhin e kostove më të ulëta.
Ndërsa në lidhje me efektin që mund të ketë dhënë greva në Greqi dhe bllokimi i portit të Selanikut, në aktivitetin e portit të Durrësit, z. Koçiaj thotë se nuk përjashtohet mundësia për një rritje të aktivitetit, efekt reale mund të
shihen pas 35-40 ditësh. Një sjellje e zakonshme në sektorin e transportit detar.
Sipas të dhënave të Autoritetit Portual Durrës gjatë muajit janar janë përpunuar 12 anije gjithsej me më shumë se 90 mijë ton mallra.
Në Terminalin Lindor janë përpunuar 6 anije me afro 25 mijë ton, ndërsa në atë të Mallrave Gjenerale janë përpunuar 18 anije gjithsej me rreth 45 mijë ton mallra.
Në të njëjtën periudhë në terminalin e Pasagjerëve janë përpunuar 77 tragete me mbi 51 mijë ton mallra gjithsej.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.