Nga Lilyana Pavlova,
Zëvendëspresidentja e Bankës Europiane të Investimeve
Rrethanat e reja e kanë bërë edhe më urgjente zbatimin e nismave drejt zgjidhjeve më të pastra dhe inovative, për të krijuar ekonomi më të qëndrueshme, dixhitale dhe gjithëpërfshirëse, duke respektuar mjedisin dhe burimet e tij, shkruan Lilyana Pavlova, Zëvendëspresidentja e Bankës Europiane të Investimeve në një artikull të posaçëm për Monitor
Transport i qëndrueshëm për një mjedis më të pastër
Transporti i sigurt dhe efikas është thelbësor për të lehtësuar tregtinë dhe zhvillimin ekonomik në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Kjo është e domosdoshme për integrimin e mëtejshëm të tregut në ekonominë e BE-së, ndërkohë që kriza e Covid-19 vazhdon të shkaktojë ndryshime në të gjitha aspektet e botës që njihnim më parë.
Në kapitullin e ri që pandemia ka hapur për shoqërinë, krijimi i kanaleve të reja për ndërlidhje dhe lëvizje ka marrë rol edhe më të rëndësishëm, në mënyrë që proceset e punës të vijojnë, pavarësisht kufizimeve.
Rrethanat e reja e kanë bërë edhe më urgjente zbatimin e nismave drejt zgjidhjeve më të pastra dhe inovative, për të krijuar ekonomi më të qëndrueshme, dixhitale dhe gjithëpërfshirëse, duke respektuar mjedisin dhe burimet e tij. Tranzicioni duhet të adresohet edhe në transport. Ky sektor është shtysë e fortë për rritjen ekonomike, pasi lehtëson shkëmbimin e mallrave dhe lëndëve të para, zhvillimin e turizmit dhe bën më efikas lëvizjet e përditshme të qytetarëve.
Megjithatë, rreth 24% e emetimeve globale të dioksidit të karbonit shkaktohen nga djegia e karburantit të automjeteve. Kjo përbën një pengesë madhore për eliminimin e emetimit të gazrave të karbonit në Europë dhe është pjesë e angazhimit të Bashkimit Europian në Marrëveshjen e Parisit për klimën, për t’u bërë i pari kontinent që nuk ndikon në ndryshimet klimatike.
Zhvillimi i teknologjive të reja të fjalës së fundit, të tilla si lëndët djegëse alternative, lëvizshmëria elektronike, qelizat e karburantit dhe stacionet e karikimit dhe paralelisht, ndërtimi i sistemeve të tranzitit masiv, si metro e hekurudha të lehta përfaqësojnë projekte të lëvizshmërisë së re, ku Banka Europiane e Investimeve është e gatshme të rrisë mbështetjen.
Vetëm në vitin 2019, BEI alokoi 10.5 miliardë euro për 81 projekte në fushën e transportit, duke përfshirë investimet në zhvillimin e qëndrueshëm. Përveç krijimit të instrumenteve të reja financiare për këto projekte, BEI do të ofrojë ekspertizën teknike për të ndihmuar sipërmarrësit të sjellin idetë e tyre në treg dhe për të nxitur inovacionin në këtë drejtim.
Udhëtime lokale më të shpejta dhe të sigurta në Ballkanin Perëndimor
Infrastruktura e transportit në Ballkanin Perëndimor ende përballet me sfida në shumë aspekte, por gjërat po ecin në drejtimin e duhur. Në sajë të mbështetjes së Bankës Europiane të Investimeve, rajoni po integrohet në rrjetet globale të lëvizjes dhe rrugëve logjistike, veçanërisht në Rrjetin Trans-Europian të Transportit.
Në vitin 1977, Banka e filloi aktivitetin në rajon, duke financuar ndërtimin e autostradave strategjike që lidhnin njerëzit nëpër ish-Jugosllavi. Dyzet vjet më vonë, Banka e BE-së ende vijon të kontribuojë në ndërtimin e segmenteve të reja të autostradave dhe rehabilitimin e mijëra kilometrave rrugë, duke përmirësuar standardin e jetesës së njerëzve në të gjithë rajonin. Vetëm në dekadën e fundit, ajo ka investuar mbi 2 miliardë euro në rrjetin modern të transportit, duke kontribuar në udhëtime më të shpejta dhe rritjen e sigurisë rrugore.
Një nga projektet më ambicioze të transportit në Ballkanin Perëndimor përfshin ndërtimin e seksioneve të Korridorit paneuropian Vc.
Deri më tani, BEI ka investuar 631 milionë euro në këtë autostradë të rëndësishme që lidh Bosnjë-Hercegovinën me Hungarinë, Kroacinë Lindore dhe Detin Adriatik. Ajo është thelbësore për zhvillimin e turizmit dhe tregtisë, rritjen ekonomike rajonale dhe kombëtare dhe realizimin e udhëtimeve më të shpejta e të sigurta për rreth 1.5 milionë njerëz.
Një lidhje tjetër e madhe e transportit në rajon është Korridori X, ndërtimi dhe përmirësimi i të cilit është mbështetur me 579 milionë euro nga BEI. Falë përmirësimeve në këtë korridor, është krijuar një rrugë tranziti më efikase midis Bullgarisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, si dhe midis Europës Qendrore dhe Turqisë drejt Lindjes së Mesme.
Deri më tani, BEI-ja ka investuar 284 milionë euro në sektorin e transportit në Shqipëri. Ajo ka ofruar mbështetje në ndërtimin e bypass-eve në qytetet e Vlorës dhe Fierit. Këto investime do të përmirësojnë qarkullimin rrugor dhe do të lehtësojnë trafikun në qendrat e qyteteve. BEI-ja ka investuar 35 milionë euro për bypass-in e Fierit, autostradës me një gjatësi prej 22 km. Kjo rrugë lidh Shqipërinë me Greqinë dhe ndodhet në Korridorin VIII Europian Trans-Europian. Edhe segmenti me gjatësi prej 24 km në këtë korridor, midis Levanit dhe Vlorës, është financuar nga BEI me 30 milionë euro.
BEI në Shqipëri
Deri më tani, BEI-ja ka investuar 284 milionë euro në sektorin e transportit në Shqipëri. Ajo ka ofruar mbështetje në ndërtimin e bypass-eve në qytetet e Vlorës dhe Fierit. Këto investime do të përmirësojnë qarkullimin rrugor dhe do të lehtësojnë trafikun në qendrat e qyteteve. BEI-ja ka investuar 35 milionë euro për bypass-in e Fierit, autostradës me një gjatësi prej 22 km. Kjo rrugë lidh Shqipërinë me Greqinë dhe ndodhet në Korridorin VIII Europian Trans-Europian. Edhe segmenti me gjatësi prej 24 km në këtë korridor, midis Levanit dhe Vlorës, është financuar nga BEI me 30 milionë euro.
Rijetëzimi i udhëtimit me tren
Sektori i transportit po kalon një periudhë ndryshimesh të thella, pasi trajton sfidat e dyfishta, të uljes së emetimit të gazrave të dëmshme dhe të dixhitalizimit. Në të njëjtën kohë, nevojitet të kompensohet një dekadë e tërë me investime të pamjaftueshme në infrastrukturën bazë.
Roli i Bankës Europiane të Investimeve në sektor do të jenë edhe më i rëndësishëm në vitet e ardhshme dhe ajo është e gatshme për të qenë pjesë në transformimin e transportit. Mbështetja jonë do të intensifikohet për transport më të pastër dhe të sigurt. Projektet hekurudhore janë ndër format e transportit me emetime më të ulëta.
Për dekada me radhë, linjat hekurudhore që dikur ishin burim krenarie në ish-Jugosllavi janë lënë në harresë, për shkak të infrastrukturës së vjetruar dhe mirëmbajtjes së dobët. Ndërtimi dhe modernizimi i seksioneve hekurudhore midis Shqipërisë dhe Malit të Zi, Serbisë dhe Malit të Zi, Kroacisë dhe Maqedonisë së Veriut, do të mbështesin integrimin rajonal dhe krijimin e një tregu më gjithëpërfshirës.
BEI-ja është e gatshme të investojë në rijetëzimin e hekurudhave rajonale. Në Shqipëri, BE-ja ka dhënë një grant me vlerë 2.42 milionë euro për asistencë teknike, të kanalizuar nëpërmjet Kuadrit të Investimeve të Ballkanit Perëndimor për përgatitjen e rehabilitimit të seksionit hekurudhor Durrës – Pogradec. Përmirësimet e kësaj linje hekurudhore pritet të përmirësojnë shpejtësinë e trenave, sigurinë e udhëtimit dhe kalimet në nivel.
Korridoret X, Vc dhe VIII, si dhe përmirësimet e lidhjeve hekurudhore janë të përfshira në investimet prioritare të Planit Ekonomik dhe të Investimeve të BE-së për Ballkanin Perëndimor, i njoftuar së fundmi nga Komisioni Europian. Ky plan parashikon të financojë deri në 9 miliardë euro gjatë periudhës 2021-2027 në mbështetje të integrimit rajonal, kryesisht duke mbështetur tranzicionin e gjelbër dhe dixhital, rritjen e konkurrencës, rritjen gjithëpërfshirëse dhe ndërlidhjen e qëndrueshme. BEI-ja do të kontribuojë në zbatimin e disa prej strategjive të mësipërme, si pjesë e familjes së BE-së dhe një partner i angazhuar për rajonin.
Modernizimi i transportit publik
Përmirësimi i transportit publik urban, nëpërmjet modernizimit dhe elektrifikimit të mjeteve dhe rrjeteve të transportit të linjave fikse, do të jetë një nga prioritetet e BEI-së për lëvizje më efikase, më inteligjente dhe më të sigurta në rajon. Përmirësimi i rrugëve ujore në korridorin pan-europian është një tjetër projekt i rëndësishëm, duke qenë se lehtëson tregtinë, rritjen ekonomike dhe integrimin rajonal. BEI-ja po financon përmirësimin e lundrimit përgjatë lumenjve Danub dhe Sava në Serbi me kredi në vlerën 100 milionë euro, të plotësuara me një grant prej 14,1 milionë eurosh të BE-së.
Integrimi i mëtejshëm i tregut të përbashkët përmes ndërtimit të rrjetit të transportit do të vijojë të jetë në axhendën e BEI, duke kontribuar në integrim më të shpejtë në BE. Mbështetja e inovacionit në krijimin e sistemeve të transportit më të sigurt, të qëndrueshëm dhe me emisione zero do të inkurajohet fuqimisht, sepse këto forma janë më pak të dëmshme për shëndetin dhe mjedisin.
BEI do të mbështesë të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor në rrugën për ekonomi më të gjelbër, dixhitale dhe gjithëpërfshirëse, duke ndihmuar në zhvillimin e projekteve të reja në fushën e transportit, energjisë së rinovueshme, dixhitale dhe infrastrukturën jetësore. Të gjitha këto nisma duhet të çojnë në krijimin e një rajoni të integruar, me ekonomi konkurruese dhe më shumë mundësi punësimi për të gjithë.
Integrimi i Ballkanit
Infrastruktura e transportit në Ballkanin Perëndimor ende përballet me sfida në shumë aspekte, por gjërat po ecin në drejtimin e duhur. Në sajë të mbështetjes së Bankës Europiane të Investimeve, rajoni po integrohet në rrjetet globale të lëvizjes dhe rrugëve logjistike, veçanërisht në Rrjetin Trans-Europian të Transportit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.