Flet Elion Martini, drejtor në Departamentin e Shitjes dhe Suportit të Qirasë Financiare në Credins Leasing
Sektori i transportit dhe ai i ndërtimit janë ata që udhëheqin në grupin e bizneseve që zgjedhin të përfitojnë mjetet e tyre të punës nëpërmjet qirasë financiare. Elion Martini, drejtor në Departamentin e Shitjes dhe Suportit të Qirasë Financiare në Credins Leasing, thekson se viti 2018 ka pasur ecuri pozitive me një rritëm konstant, por jo të njëtrajtshëm krahasuar me vitet me mëparshme.
Martini nënvizon se tregu vuan nga edukimi i konsumatorit, i cili më shpejt drejtohet te kredia sesa qiraja financiare. Në këto kushte ka nevojë jo vetëm për edukim më të madh të tij, por edhe për thjeshtim të promovimit që i bëhet këtij tregu, si dhe përshtatja më e mirë e produkteve për klientët.
Si ka qenë ecuria e këtij tregu gjatë vitit 2018 nga të dhënat që keni paraprakisht?
Ecuria gjatë vitit 2018 ka qenë e mirë. Ka një ritëm konstant rritjeje, por jo e njëtrajtshme krahasuar me pritshmëritë me periudhat e viteve më parë. Duhet thënë se qiraja operacionale ka pasur mjaft zhvillim, duke plotësuar kërkesat në rritje të klientelës, si për qira ditore, ashtu edhe për qira afatgjata.
Si e shihni qasjen e dy kategorive kryesore, bizneseve dhe individëve për të përfituar nga produktet që ofron tregu i qirasë financiare në vend?
Qiraja financiare, si produkt, jep shumë përparësi krahasuar me kredinë. Jo vetëm e parë nga aspekti i kostove, por edhe në fleksibilitetin që paraqet ky produkt. Gjatë vitit 2018, është vazhduar tendenca që kërkesat kanë qenë më të larta nga bizneset se sa nga individët. Individët u shfaqën më tepër të orientuar nga blerja me cash.
Të dhënat zyrtare të Bankës së Shqipërisë tregojnë se ka një rritje me rreth 4 milionë USD të portofolit të qirasë financiare në vitin 2017 ndikuar nga mjete transporti personale dhe pune? Si e shpjegoni këtë?
Kjo shifër është një ritëm konstant rritje ndër vite. Nuk ka pasur ndonjë zhvillim galopant.
Si shfaqet pjesa e problematikave në këtë treg e lidhur kjo me aftësinë paguese të përfituesve flasim këtu për kreditorët problematikë?
Problematika e lidhur me këtë produkt mbetet përsëri e ulët. Të pasurit e sendit me qira financiare të jep mundësinë që edhe në raste vështirësish financiare, të arrihet të gjendet zgjidhja, duke e transferuar apo duke e tregtuar sendin për të përfituar një vlerë sa më të lartë prej tij. Ky qëndrim është i lidhur ngushtë me termat dhe analizën fillestare ndaj sendit dhe klientit. Krahasuar me produktin e kredisë në sistemin bankar, leasing paraqitet me një performancë mjaft të mirë duke premtuar zhvillim më të madh në të ardhmen.
Në kuadër të nismës së deeurozimit, edhe pse nuk përfshihet tregu i qirasë financiare, ka një tendencë për të shkuar drejt produkteve që ofrohen në lekë dhe jo në euro? Ka ndonjë zhvillim në këtë treg?
Duhet thënë që portofoli leasing zë një peshë shumë të vogël të totalit të portofolit të kreditimit. Ky produkt vazhdon të jetë i orientuar drejt financimit me euro, pasi edhe vetë furnitorët i reklamojnë dhe i tregtojnë sendet në monedhën euro.
Cilët janë sektorët që kanë pasur edhe kërkesën më të lartë sa u përket mjeteve të transportit të punës apo pajisje pune dhe linja prodhimi?
Një sektor i rëndësishëm që përfshin këto lloj financimesh ka qenë ai i transportit e më pas ndërtimi me pajisje specifike. Qëllimi i financimeve leasing është i lidhur me financime të sendeve të reja dhe relativisht të reja. Kërkesat momentale për mjete të reja në fushën e ndërtimit nuk çon në njëtrajtshmëri dhe siguri vazhdimësie, ndaj prirja është për mjete të përdorura me vlera më të ulëta. Mjaft herë këto mjete të ofruara janë jashtë politikave të financimit, pasi janë shumë të vjetra në kohë.
Çfarë mund të bëhet për të nxitur më tej rritjen e këtij tregu në vend?
Financimi leasing lidhet ngushtë me stabilitetin ekonomik. Kjo sjell dhe planifikim për zhvillim e rinovime të linjave. Pjesë e rritjes së këtij produkti, është edhe kultura ekonomike që shfaqet në biznese. Mbetet dominuese kërkesa klasike për kredi. Gjithashtu mendoj se një element i rëndësishëm për të zhvilluar leasing është përshtatja e produkteve sipas nevojave të klientëve. Ndryshimi i raporteve të financimit, ndërmjet automjeteve dhe pajisjeve/linjave të prodhimit, do të sjellë rritje të këtij produkti në vetvete. Reklamimi më i mirë i produktit duke evoluar nga çmimi fillestar i shitjes në referencën e një kësti mujor, do ta mbështeste këtë treg.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.