Transporti, që zë rreth 3% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, është nga më të goditurit. Sektori, që qarkullon rreth 27-30 milionë euro në muaj, sipas të dhënave nga INSTAT, pothuajse është paralizuar. Udhëtimet me avionë janë minimale dhe po shkojnë drejt mbylljes totale. Transporti urban është i ndalur.
Industria ajrore po merrte hov vitet e fundit, me numrin e pasagjerëve që udhëtuan nga dhe drejt Rinasit, që arriti në një rekord prej 3.3 milionë pasagjerësh në 2019-n, sipas të dhënave zyrtare nga Tirana International Airport. Operatorët parashikojnë që pasojat të zgjaten në kohë. “Parashikojmë që efekti të shtrihet 1 deri në 2 vjet. Kompanitë ajrore marrin masa drastike. Fillimisht në këtë situatë, kompanitë reduktojnë skedulet e fluturimeve, pasi avionët fluturojnë nën kapacitet për të përballuar kostot variabël të shoqërisë. Pas kësaj vjen edhe strategjia e kompanive për të reduktuar kostot e tjera fikse, aq sa ato munden, si negociatat me furnizuesit e shërbimeve të tyre për ulje të çmimeve, deri sa situata të kthehet në normalitet”, thotë Administratorja e kompanisë të fluturimeve “Albawings”, Etleva Hoxha.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.