Debatet publike për çështjen e inceneratorëve do të vazhdojnë gjatë. Problemet financiare të kontratave dhe pagesave të kryera do të vijojnë të mbeten pikë kryesore e debateve të përnatshme, por edhe e hetimeve.
Por përtej skandalit financiar, çështja e inceneratorëve ka ekspozuar një sërë problemesh të thella në sistemin ekonomik dhe politik të vendit. Nëse duam të shmangim situata të ngjashme në të ardhmen, mbase sot është koha e duhur për të diskutuar për çfarë mësuam vërtet nga kjo histori.
Së pari, sistemi i financave publike vazhdon të jetë lehtësisht pre i abuzimeve. Megjithëse janë shpenzuar fonde, orë pune, vëmendje e shtuar e institucioneve ndërkombëtare, raporte e studime, mjafton pak presion politik dhe të gjitha sistemet e kontrollit të financave publike shkërmoqen.
Në vitin 2013, qeverisja e re premtoi një reformë madhore në administrimin e financave publike, pasi u përball me një borxh publik të rritur dhe pasi zbuloi një sërë detyrimesh të prapambetura. Nën asistencën e institucioneve ndërkombëtare dhe pas një angazhimi publik, qeveria propozoi ndryshime në kuadrin rregullator për menaxhimin e financave publike dhe kontratave.
Sot e gjitha kjo ngrehinë nuk ka thuajse asnjë produkt të prekshëm. Borxhi publik është edhe më i lartë dhe ishte ulur shumë pak edhe përpara tërmetit e pandemisë, kryesisht për shkak të kontributit pozitiv të normave të interesit dhe kursit të këmbimit. Detyrimet e prapambetura janë rritur sërish. Humbjet e sektorit energjetik kanë arritur nivele të krahasueshme.
Ndërkohë një sërë kontratash afatgjata, në formën e Partneriteteve Publike-Private, janë dhënë pa asnjë vlerësim real të kostos dhe riskut që mbartin. Megjithëse u premtua se situata e vitit 2013 nuk do të përsëritej më, nuk është ekzagjerim të thuhet se sot, situata me financat publike është edhe më e rënduar dhe asnjë nga reformat nuk kanë mundur të përmirësojnë menaxhimin e tyre.
Asnjë hallkë apo sistem sigurie nuk ekziston sot që të parandalojë firmosjen apo ekzekutimin e kontratave problematike si ato të inceneratorëve. Madje nuk ekziston asnjë mekanizëm që të imponojë transparencë në veprimtarinë financiare dhe vendimmarrëse të qeverisë e institucioneve ligjzbatuese që të tilla ngjarje t’i nënshtrohen më e pakta ekspozimit dhe diskutimit të opinionit publik që në zanafillën e tyre dhe jo kur e keqja ka gllabëruar miliona euro.
Së dyti, drejtësia e vonuar përfundimisht është drejtësi e munguar. Reforma në drejtësi kishte një synim të qartë publik, goditjen e korrupsionit në nivelet e larta të politikës dhe shoqërisë, duke spastruar sistemin gjyqësor. Ajo ngrihej mbi supozimin, jo të pasaktë, se korrupsioni madhor, kronik e sistemik, ishte problemi kryesor që po bllokonte zhvillimin e vendit. Bash për këtë arsye, një pjesë e publikut e priti me entuziazëm të madh.
Por, në rastin e inceneratorëve, sistemi po lëviz me një ngadalësi të pajustifikuar dhe me disa standarde. Në faqet e revistës, por edhe në media të tjera, problemet me kontratat e inceneratorëve janë ekspozuar mbi 4 vite më parë. Pagesat për shërbime inekzistente kanë vazhduar gjatë këtyre viteve. Të gjitha këto janë miratuar nga një zinxhir institucionesh publike.
Por organet e drejtësisë kanë vazhduar të mbyllin sytë e të reagojnë pak, ose aspak, përpara provave. Edhe sot, akuzat zyrtare kufizohen në shpërdorimet më të vogla të kontratave dhe nuk hetojnë miratimin e tyre nga nivelet m ë të larta të shtetit shqiptar.
Nëse reforma e drejtësisë nuk arrin të prodhojë një produkt më të mirë se kaq, ajo do t ë jetë një zhgënjim i madh për shoqërinë shqiptare dhe këdo që u angazhua në mbrojtjen e saj. Pa një drejtësi funksionale, të aftë të hetojë e veprojë në kohën dhe proporcionin e duhur, ekonomia shqiptare nuk do mund të ofrojë kurrë sigurinë që qytetarët dhe investitorët kërkojnë për të ardhmen e tyre.
Së treti, roli që sektori publik po luan në ekonominë shqiptare po shkatërron tregun dhe po çorienton incentivat. Kompanitë në kontroll të PPP-ve (koncesioneve) janë sot ndër më fitimprurëset në tregun shqiptar. Në rastin më të mirë, shumica e tyre ofrojnë shërbime bazike, që mbuloheshin lehtësisht nga organet publike.
Në rastin më të keq, siç është shembulli i inceneratorëve, kontratat janë abuzime masive dhe asgjë më shumë se mekanizma më të kamufluar për t’iu shtuar abuzimeve me tendera dhe për të rritur shumat dhe kohëzgjatjen e abuzimit.
E megjithatë, këto janë sot kompanitë më të suksesshme që prodhon ekonomia shqiptare. Në vend që të kërkojmë dhe të stimulojmë zhvillimin e tregut privat, inovator, me vlerë të shtuar, ekonomia kontrollohet tërësisht nga sektorë parazitarë, kryesisht të lidhur me kontrata publike.
E thënë më thjesht, jemi rikthyer në ekonominë e centralizuar shtetërore, por të vendosur tashmë mbi një terren grabitjeje në përmasa të mëdha.
Efektet e këtij zhvillimi janë të dëmshme dhe afatgjata në ekonomi e mbi të gjitha, në moralin e shoqërisë. Të rinjtë e talentuar të vendit, në mungesë të shembujve të suksesit, investojnë jetën dhe karrierën për t’u bërë pjesë e skemave të tilla.
Mediat e vendit, në kërkim të parave të reklamave, lidhen me kompani problematike, të cilat më pas limitojnë lirinë dhe pavarësinë e tyre editoriale.
Në fund, dhe mbase më e rëndësishmja, fitimet e krijuara nga marrëveshje të tilla po pasurojnë individë që do të kërkojnë në të ardhmen sërish kontrata të ngjashme – duke thelluar pikërisht korrupsionin dhe abuzimin me tregun privat dhe që do të kufizojnë liritë.
Inceneratorët duhet të jenë një pikë referimi në debatin publik shqiptar, jo vetëm për abuzimet që ekspozuan, por edhe për problemet e thella dhe sistemike në ekonominë dhe politikën shqiptare. Nëse shoqëria shqiptare nuk është në gjendje t’i zgjidhë këto probleme, gjasat që vendi ynë të ketë zhvillimin e ëndërruar ekonomik janë inekzistente.
Abuzimi i sotëm në këto përmasa nuk është thjesht korrupsion, por është skema perfekte e zhdukjes së lirisë për shoqërinë shqiptare dhe e kriminalizimit të saj, në një të ardhme jo të largët.
Endrit Yzeiraj
Anëtar i Këshillit Botues të Monitor
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.