Qeveria është duke hartuar ndryshime ligjore në lidhje me trashëgiminë kulturore, ku do të parashikohet si formë menaxhimi edhe Partneriteti Publik Privat (PPP).
Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, bëri të ditur se këto ndryshime synojnë që ta kthejnë trashëgiminë kulturore në një motor për zhvillimin e ekonomisë. Sipas saj, ndryshimet do të mund të jenë gati në vitin 2017. Ligji i ri do të synojë që sitet e trashëgimisë kulturore të mund të menaxhohen pa deformime të interesave, duke përfshirë edhe privatin.
Në mars të vitit 2016, një vendim i Këshillit të Ministrave parashikoi dhënien me qira të monumenteve të kulturës. Në atë kohë, argumentimi i këtij vendimi ishte se shteti nuk kishte mundësi financiare që të siguronte mirëmbajtjen e tyre dhe për të parandaluar degradimin doli si domosdoshmëri dhënia e tyre në menaxhim të përkohshëm.
I tillë ishte rasti i Kalasë së Lezhës, mjediset e së cilës u parashikuan që të jepeshin me koncesion për 20 vjet.
Por kjo çështje shumë shpejt përfundoi në dyert e gjykatës, ku të paktën nga Administrativja, shteti doli i humbur. Në lidhje me këtë, ministrja Kumbaro siguroi se tashmë çështja është zgjidhur dhe se ka garanci që nuk do të ketë më abuzime.
Në lidhje me VKM-në për dhënien me qira, në fillim të këtij viti, ekspertët ngritën shqetësimin për kualifikimin e mëtejshëm të individëve në aspektin e menaxhimit të objekteve të artit e kulturës. Në anën tjetër, projektligji i ri për trashëgiminë kulturore, i cili është duke u diskutuar, synon edhe decentralizimin, si dhe rritje të transparencës dhe mbrojtje të barabartë të pasurive; përafrim legjislacioni; saktësim konceptesh shkencore dhe përdorim konceptesh të pranuara ndërkombëtarisht; përafrim legjislacioni dhe terminologjie me detyrimet ndërkombëtare; përafrim me direktivat e BE-së mbi trafikimin ilegal dhe qarkullimin e trashëgimisë kulturore; përafrim dhe bashkërendim me detyrimet e konventave ku Shqipëria është palë (UNESCO, KE etj.)
Ndryshime në ligje të tjera
– Kodi Penal (parashikim veprash të reja penale dhe ndryshim i masave të dënimit);
– Ligji mbi taksat vendore (lehtësim fiskal për pronarët e pasurive kulturore, duke qenë se iu kufizohet tagri i përdorimit të pronës e justifikuar me vlerën kulturore që prona mbart)
– Kodi i Doganave (përafrim legjislacioni i BE-së mbi qarkullimin e pasurive kulturore dhe parandalimi i trafikimit të pasurive kulturore)
Risitë e projektligjit:
Detyrim ligjor dhe afate të saktë për:
– miratimin e një strategjie kombëtare të kulturës
– planifikimin kombëtar të territorit në mbrojtje absolute të Trashëgimisë Kulturore dhe peizazhit
– pavlefshmëri absolute të lejeve zhvillimore/planeve të rregullimit, të nxjerra në kundërshtim me regjimet e mbrojtura të TK
Lehtësime fiskale
– ngritja e një fondi buxhetor për Trashëgiminë Kulturore ku mbështetja kryhet me konkurrueshmëri
– parashikim përjashtimesh nga taksat dhe tarifa për pronarët e TK
– mbështetja për ndërhyrjet vullnetare, me qëllim ruajtjen e pasurive kulturore
Ndalime
– tjetërsim i pasurive kulturore në pronësi publike
– qarkullimi në territor dhe sidomos jashtë tij, pa pajisjen e pasurive me certifikatë qarkullimi
– dëmtimi / shkëputje/ prishje koleksionesh
– mbajtje e pasurive kulturore në kushte të papërshtatshme që i dëmtojnë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.