Efektet e krizës në tregjet financiare ndërkombëtare, duket se i kanë prekur edhe mjetet e investuara jashtë të Trustit Pensional të Kosovës. Përveç kësaj, nga muaji shkurt të gjithë anëtarëve të Bordit Drejtues iu ka përfunduar mandati. Aktualisht 2.5 miliardë euro nga pensionet e qytetarëve të Kosovës janë pa menaxhim.
Që nga 28 shkurti 2023, të gjithë anëtarëve të Bordit Drejtues të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës (FKPK) iu ka përfunduar mandati.
Nga kjo datë, 2.5 miliardë euro nga pensionet e qytetarëve janë pa menaxhim, duke u ekspozuar para rreziqeve të mundshme për shkak se asnjë veprim nuk mund të merret pa një Bord funksional.
Sipas ligjit, vetëm Bordi vendos për investime apo tërheqje të mjeteve të investuara.
Konkursi për zgjedhjen e anëtarëve të rinj është mbyllur më 23 dhjetor 2022, por që nga atëherë Komisioni përgjegjës ende nuk i ka shqyrtuar kandidatët që kanë aplikuar.
Komisioni përzgjedhës për këto pozita përbëhet nga Ministri i Financave, Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës dhe nga Auditori i Përgjithshëm.
Deri më tani të tirja këto institucione nuk kanë shpjeguar se pse po e vonojnë shqyrtimin e kandidatëve, ani pse kjo neglizhencë mund t’i rrezikojë seriozisht pensionet e kosovarëve të investuara jashtë vendit.
Në mungesë të Bordit, kursimet e mbledhura nga Trusti gjatë këtyre muajve, s’mund të investohen në tregje financiare dhe se nëse ulet vlera e instrumenteve financiare ku janë investuar mjetet e Trustit, askush s’mund të bëjë ndryshime për të evituar rreziqet.
Nga Trusti kanë thënë se konkursi për anëtarë të Bordit Drejtues të FKPK-së është hapur nga institucioni (Trusti) në momentin që ka ardhur kërkesa nga Komisioni Përzgjedhës, i cili është organ ligjor përgjegjës për këtë çështje. Pas përfundimit të konkursit, ata kanë thënë se të gjitha aplikimet janë dërguar tek Komisioni Përzgjedhës.
“Pas dërgimit të aplikimeve tek Komisioni Përzgjedhës përgjegjësia e FKPK-së për këtë çështje përfundon (siç është përcaktuar me legjislacionin në fuqi). Për të gjitha çështjet që nuk janë në kompetencën e institucionit tonë (pra FKPK-së) nuk mund të japim komente e as vlerësime”.
Ndërkaq, nga Banka Qendrore e Kosovës kanë hedhur përgjegjësinë tek dy institucionet tjera që janë pjesë e Komisionit Përzgjedhës për zgjedhjen e anëtarëve të Bordit të Trustit, duke thënë se Guvernatori Mehmeti u ka bërë tri herë kërkesë ministrit të Financave dhe Auditorit të përgjithshëm lidhur me këtë proces, por që deri më tani nuk ka pranuar asnjë përgjigje nga të dyja palët.
Ndryshe, pothuajse gjatë gjithë vitit 2022, investimet e Trustit Pensional të Kosovës në tregjet e jashtme kanë pasur kthim negativ.
Kriza në tregjet financiare globale përgjatë këtij viti referues, ka bërë që investimet e jashtme të Fondit Pensional të Kosovës të tkurren në shifra mjaft të larta. Si rrjedhojë e kësaj, Trusti nga janari deri në fund të muajit dhjetor të vitit 2022, ka humbur hiç më pak se 118.9 milionë euro nga rënia e vlerës së aseteve të saj në këto tregje.
Efektet e krizës në tregjet financiare ndërkombëtare, duket se i kanë prekur edhe këtë vit mjetet e investuara jashtë të Trustit Pensional të Kosovës.
Sipas të dhënave të Trustit vlera e mjeteve pensionale të investuara nga Trusti po shënon rënie, performanca aktuale e investimeve është minus 1.3 milionë euro.
“1) Portofolin Standard – për kontribuuesit e moshës deri 63 vjeç dhe 2) Portofolin Konservativ – për kontribuuesit e moshës 63 vjeç e më shumë. Arsyeja e kësaj ndarjeje është mbrojtja e kontribuuesve afër pensionimit nga luhatjet eventuale rënëse në tregjet financiare ndërkombëtare. Meqë dy portofolet kanë masë të ndryshme të riskut dhe kthimit potencial por edhe shpërndarjes së investimeve, kuptohet se ndryshojnë edhe në rezultat”
Sipas Trustit për periudhën nga 1 janar 2023 e deri më 10 mars 2023 data e fundit që e kanë në dispozicion të dhënat për të dyja portofolet janë sikur në vijim:
“Mjetet nën menaxhim: 1) Portofoli Standard: €2,326,299,164 2) Portofoli Konservativ: €118,390,617.Performanca e investimeve. Portofoli Standard: Ndryshimi i çmimit të njësisë -0.06% (ose kthimi bruto -1.3 milionë euro). Portofoli Konservativ: Ndryshimi i çmimit të njësisë +0.64% (ose kthimi bruto +758 mijë euro)”.
Marrë në përgjithësi aktualisht FKPK-ja i ka rreth 73% të investimeve në tregjet financiare ndërkombëtare dhe rreth 27% në Kosovë (kryesisht në letra me vlerë të Qeverisë së Kosovës dhe më pak në banka) me shumë nominale rreth 650 milionë euro.
Ndërkohë, në muajin janar 2023, Trusti kishte raportuar humbjet e njëjta sikurse edhe në muajin dhjetor 2022, -118.9 milionë euro. Aktualisht, vlera e aseteve të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës është 2 miliardë e 420 milionë euro, ndërsa vlera neto e aseteve të jashtme të të fondeve pensionale është 1 miliardë e mbi 698 milionë euro./Fatos Shala
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.