Këtu janë tre sugjerime nga Ravi Mehta, ish-shefi i përgjithshëm i produkteve në Tinder, Facebook, TripAdvisor dhe Xbox, për mënyrën se si liderët mund të përshpejtojnë trajektoren e tyre të përparimit në karrierë.
Përcaktoni mospërputhjen me vendin ku jeni aktualisht
Përpara se të filloni të mendoni se si mund ta përshpejtoni rritjen tuaj në karrierë, merrni pak kohë për t’u ulur dhe për të konsideruar nëse ka ndonjë mospërputhje në kompetencat tuaja.
Ku jeni tani? Një mospërputhje mund të ndodhë nëse: nuk ka mundësi të mjaftueshme për të përparuar dhe/ose jeni në pozicionin e gabuar, nuk po merrni mbështetjen e duhur, ose nëse ambienti juaj i punës nuk është miqësor. Përpara se të fokusoheni në përshpejtimin e rritjes së karrierës tuaj, mendohuni nëse përmbushni ndonjë nga kriteret e mësipërme.
Sipas Ravi, vetëm pasi të keni menduar për karrierën tuaj dhe të keni përcaktuar nëse ka ndonjë mospërputhje, atëherë është koha të mendoni se si mund ta përshpejtoni rritjen tuaj. Bëhuni të qartë – madje të përpiktë – për mënyrën se si do të përqendroheni te qëllimet tuaja për të ecur lart. Dy mënyra për t’ju ndihmuar t’i arrini këto qëllime janë: kërkoni mundësi rritjeje dhe shfrytëzoni kohën tuaj.
Kërkoni mundësi për rritje
Ravi tha se është thelbësore të shikoni departamentin tuaj dhe të kuptoni pamjen e përgjithshme. Mendoni: si mund ta përshpejtoni rritjen tuaj në karrierë?
Përcaktoni rezultatet që do të ishin të dobishme për departamentin tuaj. Më pas, pozicionojeni veten për të arritur ato rezultate. Ravi tha se nëse po kërkoni për një mundësi të re, do të ishte mirë t’i anashkalonit pozicionet në departamentet ose kompanitë burokratike. Në vend të kësaj, kërkoni vende pune me potencial të lartë rritjeje.
Vendoseni veten në “rrugën e shpejtë” të rritjes. Kompanitë më të vogla që ofrojnë më shumë mundësi për rritje – dhe ndoshta edhe më shumë ndikim në biznes – mund të ishin një opsion i mirë. Gjithashtu, kërkoni për një organizatë me një stol më të vogël drejtuesish, ku ju mund të ndihmoni në rritjen e ekipit.
Shfrytëzoni kohën tuaj
Ravi tha se për të arritur objektivat kryesore të biznesit, liderët duhet të përdorin kohën e tyre. Ai i inkurajoi liderët të identifikojnë punët pa shumë rëndësi, për të cilat ata shpenzojnë kohë – kjo punë mund të delegohet te të tjerët. Duke pasur këtë parasysh, drejtuesit mund të ndërtojnë ekipet e tyre për të bërë këtë punë.
Ravi tha se liderët që delegojnë me kujdes dhe pa mëshirë, kanë më shumë mundësi të fokusohen në arritjen e objektivave kryesore të biznesit. Sipas Ravit, shumë liderë dështojnë sepse nuk planifikojnë mirë kohën e tyre: prandaj, ditët kalojnë duke u marrë me punë që mund të ishte deleguar te të tjerët ose me probleme që nuk janë thelbësore. Ravi tha se udhëheqësit duhet të jenë të pamëshirshëm në vendosjen e kufijve për mënyrën se si do ta shfrytëzojnë kohën e tyre.
Ravi nxiti liderët të mendojnë se si kolegët, ekipi dhe palët e tjera të interesuara mund të ndihmojnë në arritjen e objektivave të tyre për biznesin. Me mbështetjen e një ekipi, ju mund të rifitoni orë shumë të rëndësishme në ditën tuaj të punës dhe të përqendroheni në përshpejtimin e rritjes të departamentit ose kompanisë tuaj. Ravi tha se është gjithashtu thelbësore që drejtuesit të shpenzojnë një periudhë kohe për “të menduarit kritik” në mënyrë që ata të mund të gjejnë zgjidhje kreative, të cilat më pas do t’i zbatojnë.
Strategjia e Ravit për të gjetur mospërputhjen tuaj, për të kërkuar për mundësi rritjeje dhe për të shfrytëzuar kohën tuaj nëpërmjet angazhimit të palëve të interesuara, i ka mundësuar atij të rritet në mënyrë të shpejtë në shumë organizata të ndryshme. Meqenëse edhe ju dëshironi të përshpejtoni rritjen tuaj, mund të ishte mirë të ndiqnit qasjen e tij. / Forbes