Tre lloje resortesh që do të zhvillohen tek Rana e Hedhun, plani për transportin me kremalier

20/07/2020 11:00 PM 0 komente

Zona e Ranës së Hedhun në Shëngjin parashikohet që të shihet me prioritet për zhvillimin e turizmit dhe si e tillë duket se nuk do të shpëtojë dot nga investimet në restorte. Plani i Detajuar i Zhvillimit, nxjerrë për konsultim parashikon që të zhvillohen të paktën tre lloj resortesh duke respektuat tipologjinë që ka zona.

“Zhvillimi i propozuar synon zhvillimin turistik me struktura resortesh apo hoteliere së bashku me gjithë shërbimet e e nevojshme publike duke rritur numrin e turistëve dhe cilësinë e turizmit.

Zhvillimi shihet i ndarë në 3 zona të cilat mbartin tipologji të ndryshme resortesh. Në zonën e parë si dhe me sipërfaqen më të madhe që mund të ndërtohet, propozohet tipologjia e resorteve deri në tre kat të mbështetur pjesërisht në shpatin e malit dhe pjesërisht në pilota. Në zonën e dytë, duke qenë që ndodhet më pranë detit por dhe në një zonë me pisha propozohen struktura të shpërndara me ndikim të ulët në mjedis. Në zonën e tretë me sipërfaqen më të vogël ku mund të ndërtohet si dhe më pranë monumentit Rana e Hedhun propozohen struktura më elitare” thuhet në plan.

Në zonë gjithashtu propozohet edhe krijimi i dy itinerareve për  nxitjen e turizmit. I pari ai  malor brenda të cilit përfshihen: Itinerari kulturor (tumat); Itinerari me prodhimet dhe produktet tradicional të zonës; Itinerari hiking për të apasionuarit pas natyrës. Përveç itinerareve nga toka duke qenë se zona ka akses nga deti propozohet një mol ankorimi i cili do mundësojë lidhjen tokë-det si dhe do të jetë një pikë për sjelljen e turistëve.

Plani i jep përgjigje edhe alternativave për transportin ku për herë të parë sillet në vëmendje variant i lëvizjes me me vagona kremalierë, ose funikularë, të cilët në mënyrë diagonal do të lidhnin pllajat mbi malin e Rencit, me gjiret ranore të Shëngjinit dhe Baks – Rrjolli.

Në infrastrukturë vihet theksi tek investimet që mund të kryhen ku së pari rruga e re e propozuar Shëngjin-Velipojë. Kjo rrugë pritet të shërbejë si një aks lidhës ndërmjet dy zonave Shëngjin-Velipojë por jo vetëm.

Përgjatë aksit do të këtë disa pika stacionesh për autobusët e linjës së re turistike që do të lidhin zonën e resortit me plazhin. Një tjetër propozim është shëtitorja bregdetare e cila bën lidhjen Rana e Hedhun- Baks-Rrjol.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of