Numri i të punësuarve dhe pagat kanë shënuar rritje në të tre degët e ekonomisë, industri, ndërtim dhe shërbime sipas të dhënave të INSTAT të referuara në statistikat afatshkurtëra të tremujorit të parë.
Gjatë janar-mars 2015, ndryshimi vjetor i numrit i të punësuarve në ndërmarrjet që operojnë në aktivitetin “Industri” (Industri nxjerrëse dhe përpunuese) paraqet 6,3 % rritje krahasuar me tremujorin e parë 2014.
Gjithashtu në aktivitetet “Energji elektrike, gaz, avull” dhe “Grumbullimi, trajtimi dhe furnizimi me ujë” ky tregues paraqet rritje respektivisht me 6,5 % dhe 13,9 %.
Me një rritje prej 3,4 % rezulton ndryshimi tremujor i numrit të të punësuarve me pagesë në ndërmarrjet e aktivitetit “Industri”, rritje e cila vjen nga ndikimi i aktivitetit “Industri përpunuese” me 4,5 %.
Indeksi i numrit të të punësuarve me pagesë në aktivitetin e “Ndërtimit” në tremujorin e parë 2015 krahasuar me tremujorin e katërt 2014, shënoi rritje prej 0,6 %.
Në tremujorin e parë 2015, ndryshimi tremujor në ndërmarrjet që operojnë në “Shërbime” paraqet rritje të numrit të të punësuarve me pagesë me 10,8 %, krahasuar me tremujorin e katërt 2014.
Në këtë rritje kanë ndikuar aktivitetet “Tregti me shumicë” me 17 %, “Tregti me pakicë dhe shumicë, dhe riparimi automjeteve dhe motoçikletave” me 14,3 %. Ndërsa, në aktivitetin ”Transport dhe magazinim” paraqet rënie me 3,8 % në këtë tregues.
Pagat, ndërtimi me rënie
Gjatë tremujorit të parë 2015, ndryshimi vjetor i nivelit të fondit të pagave shënoi një rritje prej 8,4 % në “Industri”, ndryshim i cili vjen kryesisht nga rritja e këtij treguesi në aktivitetin “Industri përpunuese me 10,5 %. Në aktivitetin “Grumbullimi, trajtimi dhe furnizimi me ujë” ky tregues u rrit me 6,8 % dhe në aktivitetin “Energji elektrike, gaz, avull” ky tregues u rrit me 1,1 %.
Në aktivitetet e “ Shërbimeve”, ndryshimi vjetor, në tremujorin e parë 2015, paraqet një rritje të fondit të pagave me 9,0 % krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kontribut kryesor në rritjen e këtij treguesi kanë dhënë aktivitetet “Tregti me shumicë” me 19,6 %, “Aktivitete arkitekture dhe inxhinierike” me 13,3 % dhe “Hotele” me 9,3 % .
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.