Akademia Mbretërore Suedeze e Shkencave vendosi t’i japë Çmimin Nobel për Kiminë 2022 Carolyn R. Bertozzi, Morten Meldal dhe K. Barry Sharpless “për zhvillimin e kimisë së klikimeve dhe kimisë bioortogonale”.
Çmimi Nobel për Kiminë i këtij viti lidhet me thjeshtësimin e proceseve të vështira.
Barry Sharpless dhe Morten Meldal kanë hedhur bazat për një formë funksionale të kimisë – kimisë së klikimeve – ku blloqet e ndërtimit molekular bashkohen shpejt dhe me efikasitet.
Carolyn Bertozzi e ka ngritur kiminë e klikimeve në një dimension të ri dhe ka nisur ta përdorë në organizma të gjallë.
Barry Sharpless i dha jetë kësaj nisme. Rreth vitit 2000 ai ideoi konceptin e kimisë së klikimeve, një formë e kimisë së thjeshtë dhe të besueshme, ku reaksionet ndodhin shpejt dhe shmangen nënproduktet e padëshiruara.
Carolyn Bertozzi e ngriti kiminë e klikimeve në një nivel të ri. Për të gjurmuar biomolekulat e rëndësishme, por të pakapshme në sipërfaqen e qelizave – glikanet – zhvilloi reaksione klikimi që funksionojnë brenda organizmave të gjallë. Reaksionet bioortogonale ndodhin duke mos ndërprerë kiminë normale të qelizës.
Këto reaksione tashmë përdoren në nivel global për të eksploruar qelizat dhe për të ndjekur proceset biologjike. Duke përdorur reaksionet bioortogonale, kërkuesit kanë përmirësuar shënjestrimin e barnave farmaceutike kundër kancerit, të cilat tani janë në fazë eksperimentimi klinik.
Cilët janë inxhinierët e molekulave
Amerikania Carolyn R. Bertozzi, e cila ndan mënyrë të barabartë çmimin Nobel për Kiminë 2022 me Morten Meldal dhe K. Barry Sharpless është e vetmja grua fituese e e Çmimeve Nobel në shkencë këtë vit.
E lindur në vitin 1966 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe profesore në Universitetin e Stanford, Bertozzi (56 vjeçe) u vlerësua së bashku me dy kolegët e saj për zhvillimin e teknikës së “click chemistry” (kimisë së klikimeve) dhe “kimisë bioortogonale” – një term i shpikur nga vetë Bertozzi për të treguar reaksionet kimike që ndodhin te qeniet e gjalla, duke mos ndërhyrë në proceset biokimike që ndodhin brenda tyre.
Së bashku me të u vlerësuan edhe shkencëtari danez Morten Medal (68 vjeç), i cili jep mësim në Universitetin e Kopenhagën, i cili ka dhënë ndihmesën e tij në zhvillimin dhe përsosmërinë e kimisë së klikimeve, e përuruar nga shkencëtari amerikan Barry Sharpless (81 vjeç). I lindur në vitin 1941 në Filadelfia, Sharpless ka punuar në Institutin kalifornian Scripps.
Pas Nobelit për Mjekësinë dhe Fizikën, Nobeli për Kiminë mbyll serinë e Çmimeve Nobel shkencorë 2022.