Akademia Mbretërore Suedeze e Shkencave vendosi t’i japë Çmimin Nobel për Fizikën 2021 “për kontributin e rëndësishëm në njohjen e sistemeve fizike komplekse“ shkencëtarëve Syukuro Manabe dhe Klaus Hasselmann “për ndikimin fizik të klimës së Tokës, duke përcaktuar ndryshueshmërinë dhe duke parashikuar në mënyrë të besueshme ngrohjen globale”, si dhe Giorgio Parisi “për zbulimin e ndërveprimit të çrregullimit dhe luhatjeve në sistemet fizike nga shkalla atomike në planetare”.
Tre shkencëtarët ndajnë Çmimin Nobel për Fizikën të këtij viti për studimet e tyre mbi fenomenet kaotike dhe ato në dukje rastësore. Syukuro Manabe dhe Klaus Hasselmann kanë hedhur themelet e njohurive tona mbi klimën e Tokës dhe si njerëzimi ndikon në të. Giorgio Parisi shpërblehet për kontributin revolucionar në teorinë e materialeve të çrregullta dhe fenomeneve rastësore.
Sistemet komplekse karakterizohen nga rastësia dhe çrregullimi dhe janë të vështira për t’u kuptuar. Çmimi i këtij viti njeh metodat e reja për t’i përshkruar dhe parashikon sjelljen e tyre në afat të gjatë.
Klima, moti dhe sistemet komplekse triumfojnë
Syukuro Manabe është meteorolog dhe klimatolog në Princeton University në SHBA. Ai tregoi se në ç’mënyrë rritja e nivelit të dioksidit të karbonit në atmosferë ndikon në rritjen e temperaturave në sipërfaqen e Tokës. Ai ka hedhur themelet për zhvillimin e modeleve fizike mbi klimën dhe është i pari që ka hulumtuar ndërveprimin midis rrezatimit dhe transportimit vertikal të masave të ajrit.
Klauss Hasselman, nga Max Planck Institute for Meteorology në Hamburg, Gjermani, ka krijuar një model që lidh motin dhe klimën, duke shpjeguar sepse modelet e klimës mund të mbeten të besueshme edhe pse moti është i ndryshueshëm dhe kaotik. Metoda e tij është përdorur për të treguar se rritja e temperaturave vjen për shkak të emetimeve tona të gazit serrë.
Shkencëtari italian, Giorgio Parisi vlerësohet “për zbulimin e ndërveprimit midis çrregullimit dhe luhatjeve në sistemet fizike, nga shkalla atomike në atë planetare”. Dhe këtë e ka bërë jo vetëm në fizikë por edhe në fusha mjaft të ndryshme, si matematika, biologjia, neuroshkencat dhe machine learning.