Bashkimi Europian do të sjellë një plan investimi prej 30 miliardë eurosh në Ballkanin Perëndimor, nëse ky rajon do të funksionojë si një i tërë, duke punuar për një treg të përbashkët rajonal. Deklarata u bë nga Komisioneri për Zgjerimin, Oliver Varhelyi në Samitin e Ballkanit Perëndimor, mbajtur sot në Tiranë.
“Jam i kënaqur që shoh që ndoshta ky do jetë fillimi i fundit të krizës së pandemisë dhe se do të fillojmë që t’u rikthehemi mënyrave të mëparshme dhe të kryhen takime të tjera kaq të rëndësishme në formë fizike dhe të shtyjmë përpara punën.
Ne e shohim angazhim dhe përkushtim të udhëheqësve për të krijuar tregun e përbashkët rajonal, nuk kemi arritur aty ku dëshirojmë, por duhet të arrijmë atje deri në korrik, kur të kemi samitin e radhës.
Po shikojmë rezultatet e para që po ndryshojnë jetë qytetareve me marrëveshjen për lëvizjen pa tarifën Roaming, kjo është një arritje e madhe, do ketë të tjera që të lëvizin me ID, njohja e diplomave, heqja e lejes për punë, pra të gjithë këto gjëra do të bëjnë që bashkëpunimi në Ballkanin Perëndimorë t’u shërbejë qytetarëve.
30 miliardë euro në formë investimesh në rajon, ky nuk ka për të funksionuar nëse rajoni nuk funksionon si një i tërë, ky plan investimesh do japë rezultatet e veta nëse ky rajon punon në këtë treg rajonal.
Nga ana ime, ne kemi një marrëveshje në BE për financimin e këtij plani, kemi arritur marrëveshje me Këshillin dhe PE për programin e fondeve të paraaderimit, mekanizëm që do të financohet ky plan.
Kemi disa çështje në tryezë, duam që të organizohet konferenca ndërqeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe kemi këtë Samit të sotshëm që të tregojmë rezultatet, ky vit mund të jetë për Ballkanin Perëndimor”, tha Varhelyi.
Pjesë e samitit ishin drejtuesit e 6 shteteve të Ballkanit Perëndimor, Shqipëria, Kosova, Serbia, Maqedonia e Veriut, Bosnjë-Hercegovina dhe Mali i Zi.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.