Treg për limonë e ullinj

07/12/2019 10:06 PM 0 komente

Ulliri ka përfitime shumëplanëshe për fermerët, përpunuesit dhe ekonominë. Mishi dhe yndyrat shtazore po kërkohet të ndalohen fare për konsum nga një pjesë e madhe e publikut dhe studiuesve, të cilët e lidhin blegtorinë me emetimin e shtuar të gazeve serrë. Shumë konsumatorë dhe industri po bojkotojnë vajin e palmës, për mënyrën dhe vendet e kultivimit të palmës që shkatërron natyrën. Një pjesë e madhe e njerëzve po kthehen ose janë veganë e vegjetarianë – Shqipëria nuk duhet ta humbë shansin që po i rijepet me ullirin.

 

Nga Fatos Fico

“Tregu për limonë” është një ese nga George Akerlof, e cila i dha atij çmimin “Nobel” në Ekonomi. Akerlof, në këtë ese, niset nga thënia “biznesi në vendet e pazhvilluara është i vështirë” dhe ndërton gjatë esesë një strukturë të kostove të pandershmërisë të të bërit biznes. “Limon” është shprehja amerikane për makinat e përdorura që nuk vlejnë më dhe në gjuhën shqipe do të përkthehej si një gjë “teneqe”, ose si ai momenti kur i tregon dikujt një blerje dhe pasi i tregon çmimin që e pagove dëgjon fjalët – ta paskan hedhur mirë.

Punimi i Akerlofit nuk tregon se duhet të shkosh në treg me këtë shokun apo shoqen që di gjithçka, ai tregon se në një treg ku shitësit kanë më shumë informacion së blerësit, ky informacion asimetrik bën që në treg të ketë vetëm mall “teneqe” dhe kjo do ta çojë tregtinë drejt zhdukjes. Blerësi vepron me bindjen që malli që do të blejë ka një “hile apo defekt” të fshehur që e di vetëm shitësi dhe kërkon një çmim gjithmonë e më të ulët. Shitësi nuk mund të shesë mall cilësor me çmim të lartë, sepse nuk ka blerës të gatshëm të paguajnë atë çmim. Malli që shitet është gjithmonë e më shumë jocilësor dhe me çmim në ulje, derisa çmimi që rezulton është aq i ulët sa nuk është më e mundur asnjë lloj shitblerje, sepse nuk ka më shitës. Tregu për limonë ndodh jo vetëm për mallrat, por edhe për shërbimet, punësimin, sigurimet, mediat, etj.

 

Informacioni asimetrik i vajit të ullirit

Vaji i ullirit ekstra i virgjër (VUEV) është një mall tipik ku informacioni asimetrik, informacioni që ka blerësi dhe informacioni i shitësit ose prodhuesit janë në nivele të ndryshme. Blerësit kanë një informacion të përgjithshëm për VUEV – ka veti deri diku kuruese, ka dëgjuar për polifenole, antioksidantë, se është i vaji më i mirë, përdoret nga shefat e mëdhenj, produkt lokal dhe di se në shumë pjata është i pazëvendësueshëm. Nga ana tjetër, kemi çmimin, lajmet për abuzimet ku VUEV në shishe është vetëm etiketa, shijen jo aq popullore të VUEV. Shumë konsumatorë nuk e dinë se VUEV, përveç aciditetit në kufijtë e duhur, që të jetë i tillë duhet të jetë “i hidhur” dhe “të djegë”. Vetëm atëherë ka ato vetitë kuruese për të cilat flitet shumë. Të tjerë konsumatorë mendojnë se në fund të fundit, vaji është vaj, pak rëndësi VUEV apo VU mjafton të ketë ngjyrë jeshile.

Vaji i ullirit (VU) për konsum ka 4 kategori, vaj ekstra i virgjër, vaj i virgjër, vaj ulliri dhe vaj lampante për konsum. Këtu nuk është vendi për të treguar si të njohim vajin e ullirit, por kur informacioni, edhe pse mund të jetë asimetrik ,çfarë duhet të bëjmë për të krijuar një marrëdhënie besimi midis prodhuesve/shitësve dhe blerësve.
“Vështirësia në dallimin e cilësisë së mirë nga ajo e keqe është thelbi i të bërit biznes dhe kjo shpjegon pse institucionet ekonomike janë më të rëndësishmet…” thotë Akerlof.

Italia dhe Greqia prodhojnë VU. Greqia, për arsye të ndryshme, nuk ka ditur të tregtojë prodhimin e saj si një prodhim cilësor. Një pjesë e madhe e VU grek blihet me shumicë nga Italia dhe ambalazhohet e tregtohet si vaj italian. Kjo ndodh edhe për VU të vendeve të tjera të Bashkimit Europian, atyre të Afrikës së Veriut, ka ndodhur dhe për atë shqiptar. Në etiketë mund të shkruhet diku në fund, vaj me origjinë komunitare (EU) ose ekstra komunitare, por pak e lexojnë atë. Markimi si produkt italian është garancia që shumë blerës kërkojnë.

Qeveri italiane janë ndërruar shumë më tepër se në Greqi, kjo nuk ka ndikuar në cilësinë e shumë produkteve italiane. Italia ka ditur të ruajë imazhin që për VUEV nuk shet limonë. Teknologjia italiane për nxjerrjen e VUEV është nga më të avancuarat në botë dhe vazhdimisht përmirësohet. Konsumatorët janë të informuar rregullisht dhe stilet e konsumit e traditat përforcohen. Kontrolli për abuzime funksionon dhe është në gjendje të kapë dhe hiletë më të sofistikuara. Marketimi është i lidhur me peizazhin, historinë, traditat, krahinat. Marketimi është i lidhur me mënyrën e jetesës, një produkt natyral, tipik, mesdhetar.

Mjafton një VUEV cilësor, e me pak hudhra, spec djegës e makarona ke bërë një pjatë. Shumë ambasada italiane në vendet ku nuk ka VUEV në treg, një punë që e bëjnë mirë, është të furnizojnë bashkëkombësit e tyre në ato vende me VUEV italian.

 

BURIMI: INSTAT

 

Standardizimi dhe kontrolli i cilësisë

Një krahasim me industrinë e makinave do të na lejojë të shikojmë më mirë se diferencimi, standardizimi, kontrolli drejt cilësisë më të lartë bëjnë që tregu të ruhet dhe kur prodhuesi përballet me aktorë të rinj në treg që e konkurrojnë me çmim. Makinat japoneze e më pas ato koreane e kineze nuk i nxorën nga tregu makinat gjermane, por i detyruan të pozicionohen në një segment tjetër. Kjo nuk ndodhi për shumë kompani amerikane. Një prodhim cilësor, në qoftë se nuk arrin të transmetojë informacionin dhe të bindë konsumatorët që nuk është “limon”, do të dalë nga tregu. Këtë e dinë mirë ata që duan ta kapin tregun. Një makinë koreanejugore marketohet me 7 vjet garanci. A ka sinjal më të fortë për blerësin?

 

BURIMI: DOGANA

 

Rasti i Shqipërisë

Vetëm prodhuesit e VUEV shqiptar e kanë të vështirë të informojnë e bindin konsumatorët për cilësinë që ofrojnë. Për më shumë, ata janë të fragmentuar e informacioni për cilësi të mirë te blerësit mbetet lokal, ndërsa ai për “abuzimet” përhapet më shpejt dhe u vishet të gjithë prodhuesve.

Vaji i ullirit duhet së pari “institucionalizuar”, p.sh., si në Itali. Duhet të ketë informacion kapilar se çfarë dhe pse një vaj është VUEV. Duhet informacion që një pjesë e madhe e fabrikave në Shqipëri kanë teknologji moderne për të nxjerrë VUEV. Duhet informacion që panel-testet e VUEV, ato që japin vulën për VUEV janë profesionale e transparente. Duhet informacion që vaji i sallatës dhe VUEV ndryshojnë si nata me ditën.
Prodhuesit duhet të ndikojnë që në media një program me gatime sa të mëson për mënyrën e gatimit, të të informojë për përbërësit, si VUEV. Roli i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU), lidhur me kontrollet dhe standardet, por edhe autoriteteve të tjera, duhet shumëfishuar. Jo vetëm kundrejt prodhuesve, por si garanci që VU në dyqane pavarësisht nga origjina është sipas etiketës dhe standardit që reklamon.

Në realitet, përgjithësisht fabrikat e përpunimit e bëjnë detyrën mirë dhe dinë të prodhojnë VUEV cilësor. Pjesa e madhe e problemit në cilësinë e vajit të ullirit në Shqipëri qëndron me fermerët e ullinjve dhe konsumatorët. Shumë fermerë mendojnë se ulliri i pjekur shumë ka më shumë vaj. Në një pemë me ullinj të sapopjekur, pesha e kokrrave është më e vogël se ajo e ullinjve shumë të pjekur, pasi shtohet sasia e ujit në kokërr sa më shumë ato “piqen”.

Por, sasia vajit mbetet e njëjtë në të dyja rastet, në të njëjtën pemë. Vaji nuk shtohet më si ashtu uji në kokërr. Ndryshimi thelbësor qëndron në atë që vaji VUEV përfitohet vetëm nga ullinjtë e sapopjekur, të padëmtuar e sa më pak “të oksiduar”, vetëm atëherë vaji ka ato vetitë “kuruese”, vetëm kur është VUEV, e vetëm atëherë mund të ruhet 18 e madje dhe 24 muaj – kur zbatohen rregullat, pa dritë, temperatura të ulëta, enë inoksi me kapacitet të madh. Vaj i ëmbël që nuk djeg i kërkuar nga shumë konsumatorë, treguesit popullorë të “një vaji të mirë”, do të thotë që atij i mungojnë shumë nga polifenolet dhe përgjithësisht nuk arrin të klasifikohet si VUEV. Ruajtja e këtij vaji është e mundur vetëm për periudha të shkurtra.

Tregu i VUEV vendas do të vështirësohet dhe do të shkojë drejt zhdukjes, nëse prodhuesit përballë kërkesës për çmime të ulëta dhe mungesës së informacionit tek konsumatorët, do të fillojnë të shesin produkt me cilësi të ulët, deri sa vaj cilësor të mos prodhohet fare për shkak të çmimit.
Në një promovim në social media të VUEV shqiptar, shkruaja se një fermer, i cili praktikon kultivim organik, mund të marrë, si vlerë edhe 20 euro për litër për VUEV. Çmimi si një sinjal për cilësinë te konsumatori e për të rritur interesin te fermerët. Logjika është që një VUEV konvencional kushton rreth 10 euro/litër, një vaj organik është rreth dyfish.

Një reagim ndaj promovimit ishte ky “…nëse dhe ne (Shqipëria) do të kishim me letra (certifikata origjinale por jo false) çdo gjë rreth bimës së ullirit, duke filluar nga toka (me vlerat, cilësinë e saj) pesticidet (cilësia, kushtet e ruajtjes, kushtet e prodhimit, datat e skadencës), mënyra e prodhimit (kontroll periodik dhe certifikim i makinerive)…mund të vazhdoj me detaje… edhe mund ta mendoja të blija te dikush vaj për 20 euro (por jo në Shqipëri). Unë nuk besoj se ju po i bëni reklamë ndokujt?”

Ky reagim tregon pse institucionet janë ai përbërësi magjik që duhet të jetë në çdo produkt. Kjo tregon pse vaji i ullirit italian, francez, mund të shitet në gjithë botën, edhe me çmime shumë të larta, pse Greqia duhet ta eksportojë një pjesë të madhe në Itali dhe pastaj të rieksportohet si “vaj italian”, pse ai shqiptar rrezikon në afatgjatë zhdukjen, edhe pse është aktualisht cilësor. Institucionet punojnë mirë kur dora e tyre është e padukshme. Konsumatorët presupozojnë që p.sh., në Itali një VUEV është cilësor, është organik, etj., sepse kryhen kontrollet, certifikimet, ato kanë vlerë, ka mekanizma institucionalë që garantojnë blerësit.

Aktualisht, në Shqipëri, po subvencionohet mbjellja e pemëve të reja të ullirit sidomos atyre autoktone, po subvencionohen mbledhja me mjetet e duhura dhe linjat e përpunimit. Tregu për limonë na tregon se nuk janë të mjaftueshme. Duhet i gjithë zinxhiri institucional që produkti të jetë i besueshëm për cilësinë dhe çmimin, kur informacioni është asimetrik midis shitësit dhe blerësit. Përndryshe vetëm këta faktorë si më sipër të subvencioneve do të çojnë në ulje të mëtejshme të çmimit dhe do të kenë efekt të kundërt me atë që mendohet të japin, deri në zhdukjen e tregut të vajit cilësor të ullirit vendas.

 

BURIMI: MINISTRIA E BUJQËSISË

 

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of